Wednesday, November 5, 2008

Mbi esenë “Banka Simbolike”

nga Ed Mond Sylar


Autodidakt i organizuar në shkallën sipërore, Kokonozi, (ai nuk qesh vetëm me buzë, por me të gjithë trupin), nuk shpreh asnjë pikë fryrje, mendjemadhësie e skepticizmi puritan. Është nga ata individë, që mund ta krahasojmë me një KOLOMB të epokës sonë në shkencën e psikanalizës . E porsi katër elementët e jetës : Thjeshtësia, Mençuria, Mirësia e Pavarësia – janë virtytet themelore të këtij njeriu super - të ndjeshëm, të ndershëm, e idealist në shkallën më të skajshme. I pajisur me njohuri të habitshme për ato subjekte që i interesojnë, ku super-intelekti i tij nuk buron thjeshtë vetëm nga truri, por përshkohet edhe nga substancat vitale të qenies së tij më të thellë, “shpirtit shtegtues që i shpëton unit”. Jashtë klaneve të shuguruara nga psikologjia bashkëkohore, ai është një “bir” natyral i reminishencës Frojdiane e Jungiane, që duke përfshirë dhe vetveten bashkë me baballarët e psikanalizës përbën shpirtin analitik të një trekëndëshi gjeometrik - që të kujton teoremën e pitagorës, ku shuma e dy kateteve në katror është e barabartë me katrorin e hipotenuzës.
*
Në një epokë ku njerëzia janë të etur për ofiqe; lavdi akademike e artistike, porsi një stoik, në mbrojtje të integritetit të vet ; asnjë posti, asnjë klani e asnjë grade shkencore nuk i tundohet ky shkencëtar shumëdimensional i mendjes e i shpirtit. Pikërisht, në kohën kur nga katedrat lëshohen raketa prestidigjitatorësh, Kokonozi, ky integrist i vetëdijshëm nuk pyet shumë për ”provincializmin” e urisë e babëzisë për grada, tituj, poste, ndere. Metodat didaktike e leksionet pedante e të zellshme të pseudo psikologëve kureshtarë epshorë, ky altruist shpirtëror e i shkujdesur i katedrave ua lë me bujari e moskokëçarje “postierëve”, e “shartuesve” të dijes. Do apo nuk do, ai ndjehet në opozitë, sepse jeton si një Faust, kundruall Mefistove. Por nuk është një luftë vendimtare; nuk është një betejë asgjësuese, pasi gjithë jetën ky shpirt i lirë, i pavarur, u është shmangur forcave ekzibicioniste pseudoshkencore e pseudointelektuale. Këtu edhe triumfon sovraniteti i tij, ku karakterin e natyrës Epikuriane – Kokonozi - e mbron ndaj çdo realiteti metafiziko-dramatik, sepse i mungon krejtësisht ajo materie vetëmohuese subkoshienciale e një Sokrati, i cili me apologjitë e veta çdo konflikt e shtynte drejt një dileme të re e një konflikti të ri.
Ndaj, intelektin e tij të mprehtë si diamant, ai e shikon si diçka shumë të vyer, sepse nëpërmjet tij ai përballon çdo realitet ; pa asnjë kompleks, inferioritet apo superioritet; ai komunikon me botën.
Me dashurinë e Paganinit për violinën, merret pa pushim me stërvitjen, bërjen e zhbërjen e unit shpirtëror e intelektual. Me fanatizëm ruan aftësitë vëzhguese vetiu-analitike të koshiencës e të subkoshiencës. Ruan “shpellën” e fshehtë të thesarit në abisin kantian. Nga librat e bisedat e përditshme me miqtë; poetë, piktorë, përkthyes, shkrimtarë e shkencëtarë Das Wünderschon der erzeltern (beichtvater) (ky rrëfimtar i mrekullueshëm), jep e merr përngaherë furnizime me njohuri e ide të reja, duke ushtruar pareshtur nga poli në pol të dyja skajet e unit e të tjetërunit.
Në saj të këtij vitaliteti, të këtij kalimi nga njëri pol në polin tjetër të unit të vet - e shijon ai fuqinë e tij krijuese e predikuese, ku instinkti i vetëpërsosjes së vazhdueshme e nxit drejt një jete pa dallgë, pa eufori, por ndoshta edhe me kontradikta. Por, ai asnjëherë nuk tronditet prej tyre dhe asnjëherë nuk e përçmon seriozisht dyzimin e atyre që e rrethojnë. Me këta “Happy Few” (të lumturit e pakët) - të dashuruar përjetësisht me shkencat e artet, ndjehet i aklimatizuar, sepse me ta porsi kantist - Mit Reinen Der Vernüfften (me arsyen e kulluar) dhe me hiperndjeshmërinë, e idealizmit pa kufi prek shijen e hidhësin e botës.
Për hiperndjeshmërinë e tij të mistershme, Kokonozi nuk ka mësues tjetër veç vetvetes, pasi pak kush, ndjehet si ai dëshmitar i një meta-realiteti sa natyral aq dhe social edhe intelektual, ku metafizika e tij është gjeometria e një truri jo shumë të stërmunduar nëpër literaturat skolastike, por substancë e kulluar e mendimtarit Voluptas Psychologica. Shprehja që na vjen para gati tremijë vjetësh nga antikiteti : “Njeri, njih vetveten” - ka përshtatjen më të plotë tek individualiteti i tij.
Pasi të përballësh me vetveten është një detyrë që shumica e njerëzve e shmang, ose e shtyn për të mos e bërë kurrë, sepse pas tyre mund të fshihen plagë që mund të dhembin.
*
Sot disa nga zbulimet e teorive të tij paraprirëse janë bërë prej disa vitesh pronë e përbashkët e instituteve perëndimore, ku shumë prej nocioneve të psikologjise analitike që ka formuluar rrjedhin drejt lumit të ngahershëm të përmbushjes.
Njëra nga këto teori, ku Kokonozi i kushton kapituj të veçantë fazave të jetës, është “Banka Simbolike”, vepër e cila me improvizimin e “katrorëve të jetës”, apo “fuqive aktoriale”, nëpërmjet funksioneve të arsyes e imagjinatës, i jep njeriut të epokës sonë idenë e një shoqërie që përpiqet të ndryshojë marrëdhënien midis racionales dhe irracionales, ku mbretëria e kësaj të fundit e përballur dhe e konfliktuar me nevojën për aspektet racionale të jetës shoqërore bëhet një vatër reale e normalitetit dhe e mirëqenies së sigurtë, që sipas autorit mundet të nxisë artin e shpresës së të jetuarit, në një jetë më të mirë - njëlloj si teza e famshme e Wittgensteinit (vitgenshtajnit): “Nur um der hoffnungslosen, willen ist uns die hoffnung gegeben, das in dieser leben” (Vetëm për shkak të mosshpresave, na është dhuruar shpresa në këtë jetë.)
Të shpikësh një univers psikanalize të veçantë, ky është funksioni i misionit të një shkence plot shtigje të pashkelura. Në këtë paraqitje - gjetja e subjekteve të “katrorëve të jetës” te “Banka Simbolike”, është një eksperiment interesant i psikanalistit, psikologjia e të cilit në këtë teori, është një metafizikë, një nocion gjeometrik i një truri me sensibilitet gjigant - një ekzaminim metafiziko-algjebrik i hapësirave të kësaj epoke, proces, që konsiston në “algjebrizimin e katrorëve të jetës” (ekuacionet bazë të akteve jetësore normale të kuptueshme), nëpërmjet operacioneve të pastra e konkrete mendore.

Në aspektin e metafizikës Platonike, natyra algjebrike e staturës biologjike (të instinkteve), priret që të shkrihet në marrëdhënie logjike.
Përveç këtyre interpretimeve, në përkufizimin e Kokonozit për funksionet dhe parimet e “Bankës” - termi “simbol”, është hallka lidhëse brenda realitetit midis “katrorëve të jetës” dhe botëkuptimit (konceptit) për jetë më të arrirë e më inteligjente. Prandaj çdo sentencë, simbol, aforizëm, e metaforë tek “Banka Simbolike”, jep gjithmonë një numër të shumëfishtë botëveprimesh.
Me anën e “katrorëve të jetës”, të këtyre “instrumenteve” gjeometrikë, psikanalisti hap disa nga llozet e drynat më të koklavitur të mekanikës së mendjes si edhe të alkimisë së ndjenjës, të cilët kërkojnë të nxisin artin e të jetuarit, dhe të sugjerojnë se arti i të jetuarit nuk është gjë tjetër veç lufta për jetën, një përpjekje për shpëtimin e qenies, e cila edhe ajo vetë shfaqet vetëshkatërruese nëse sulmohet prej një realiteti tjetër si për shembull Sokrati prej shtetarët e Athinës.
Ky konceptim antagonist, i një realiteti të kërcënuar vazhdimisht nga shkatërrimi, në fund të fundit, përbën një kozmos të psikologut, i cili kërkon të analizojë situatat njerëzore në universin e aftësimit (gjymtyrëzimit) të njeriut, për të bërë një “jetë më të sigurt” në përpjesëtim me masën që eksperienca e një bote reale, nga ana tjetër, ushqen dhe zhvillon prirjet opozitare dhe konfliktuoze të natyrës së jetës.

Autori i “Bankës Simbolike”, ka meritën se i njeh pa shumë vështirësi kushtet materiale e intelektuale të epokës ku jetojmë, si edhe kuantifikimin (kokërrzimin) e “katrorëve të jetës” që zgjerojnë kategoritë e realitetit midis materializmit vulgar, që ngurtësohet e stopon, nga njëra anë, dhe psikofizikës (vijueshmërisë) së mendjes inteligjente ana tjetër.

Diçka ka ndodhur në psikologjinë shkencore të Kokonozit në lidhje me moton “për një jetë më të sigurt”. Kur Njutoni flet për kohën matematike, pa dyshim flet edhe për një kohë të gjithë universit. Kështu edhe Kokonozi kur na flet për “katrorët e jetës”, duket sikur na flet për një jetesë, që rrjedh përmes kohës, duke na kujtuar edhe Tennyson (Tenison), që në një varg shkruan : “Life is floëing in the middle of the time and the night”, (Jeta rrjedh në mes të kohës dhe natës).
Një “duel” i madh zhvillohet tek “Banka Simbolike” - midis lumit të kohës nga njëra anë dhe “katrorëve të jetës”, pasi vetëm koha dhe jeta ekzistojnë. Të gjitha të tjerat s’janë veç Moduse. Secili prej njerëzve që jeton këtë jetë, jeton një seri katrorësh dhe se kjo seri katrorësh është pararendëse me ndodhitë e kaluara, të tashme, madje edhe të ardhme. Të tre këto kohë përbëjnë gati të gjithë materien e “Bankës Simbolike”, ku sigurisht nuk shqipton vetëm arsyeja, por edhe imagjinata, që në këtë vepër merr gjithnjë e më tepër një aspekt empirik.
Ka qenë e njohur prej kohësh, në hipotezat e në eksperimentet në psikanalizë, se imagjinata e kanalizuar në rrugë dhe hapësira të veçanta, mund të bëhet një forcë terapeutike e cila shkon shumë më tepër se shërimi i neurozave, sepse një psikanalize e gjithanshme materiale si “katrorët e jetës“ te “Banka Simbolike”, mund ta drejtojë njeriun e epokës drejt një shtegu jetese pa dëlire e eufori, si edhe e mëson, se në ç’mënyrë ta kufizojë pushtetin e imazheve të cilët përndjekin njerëzit, me qëllim që t’i bëjë këta të vetëdijshëm për nevojat e tyre trupore, frymore, shpirtërore, duke ndërmarrë hapat e duhura në plot shtigje të pashkelura, si dhe i tregon atij se deri ku mund të arrijë mendja njerëzore në dimensionet më avangarde, apo ekstravagante.
Në çastet e perceptimit të ndjesive trupore e shpirtërore ; atë që skolastikët e quajnë me të madhe “Enigma e njeriut”, e që Gete te Fausti e ka quajtur : “Rätsel die leben” (gjëagjëza të jetës”), tek “Banka Simbolike”, këto janë aforizmat e psikanalistit që analizon situata njerëzore, ku eksperienca i nënshtrohet gjykimit. Gjykim që vlerëson moralisht gjithçka e që ngrihet mbi vlerat morale të gjithçkaje. Kokonozi i “ndjek” instinktivisht këto eksperienca, ashtu si arkeologu që përfton mbi copëza shkronjash nga mbishkrimet e një guri, qindra zbulime. Apo si të ishte Haruspisi romak, i cili i shihte të brendshmet e kafshëve për të paraparë fate njerëzish. Intelekti i tij elastik nuk ka nevojë t’i ngjeshë dukuritë e gjykimit me dhunë, për t’i rrasur në shtratin prokrustian të një sistemi, ku uni i tij i idealistit subjektiv në nivelin më të lartë, nuk mundet të shkojë përtej shërimit të plagëve të shoqërisë, që është njëra prej fantazmave që e turbullojnë edhe më tepër botëkuptimin e psikologjisë së tij, në lidhje me dramatizimin e jetës së shqiptarëve, dhe fytyrën reale të kësaj epoke.
Kuantifikimi dramatik i fantazmave të qindra mijërave “katrorëve” që çon në shpjegimin e tyre me termat e strukturave matematike, e shqetëson autorin, sepse ato e shpërndajnë realitetin në të gjitha synimet e “Das Seinde Selbast” (vetëqenies), që pavarësisht se sa konstruktiv mund të jetë roli i subjektit “katror”, si pikë referimi, përllogaritjeje dhe vëzhgimi, ky subjekt nuk mundet të luajë rolin e tij shkencor, si aktor etik, estetik, social e politik, sepse tensioni midis arsyeve të fateve njerëzore nga njëra anë dhe nevojave e dëshirave të tyre nga ana tjetër, ka ekzistuar qysh prej fillimit të mendimit filozofik të shoqërisë dhe si i tillë e ka justifikuar ndrydhjen, madje shtypjen si plotësisht racionale të nevojave njerëzore. Jashtë këtij racionalizmi, pavarësisht se sa mundet ta përcaktojmë objektivitetin e natyrës dhe lidhjeve reciproke midis pjesëve të saj, natyra prapëseprapë nuk mundë të influencojë në aspektin e “qëllimeve finale”, sepse njeriu i sotëm jeton në një botë të vlerave dhe këto vlera të ndara nga realiteti praktiko-pragmatist, në më të shumtën e rasteve bëhen subjektive. Mënyra e vetme për t’i shpëtuar ato nga njëfarë vlefshmërie abstrakte e të padëmshme, duket se është sanksionimi hyjnor metafizik; por një sanksionim i tillë deri më sot nuk është i verifikueshëm, dhe si i tillë nuk është realisht objektiv, pasi vërtet vlerat mundet që të kenë dinjitet të lartë moral e intelektual, mund të jenë të “pranuara e të respektuara” në vetvete, në të drejtën e tyre, porse ato duke lulëzuar veç në skaje të realitetit praktik, përfillen pak në “biznesin” efektiv të jetës. Pikërisht, kjo mospërfshirje në vorbullën e objektivitetit, në shtjellat e interesave praktike të jetës si dhe për shkak të krahinizmit e njëanshmërisë egocentrike që marrin në mënyrë të herëpashershme format sociale të jetës njerëzore, i bëjnë ato fakte të kohezionin shoqëror. Nëse vlerat nuk mundkan të rrjedhin dot as nga kushtet ontologjike, as nga ato racionale, atëherë logjikisht ato nuk mund të pretendojnë vlefshmëri dhe zbatim universal. Prandaj e keqja, padrejtësia kundrejt të varfërve, të ndershmëve e të pafuqishmëve e revolton psikanalistin e mendjeve dhe shpirtrave njerëzorë, të cilët shpirtra në fytyrën reale të kësaj epoke ku jetojmë, kanë nevojë jo vetëm për ndihmë shoqërore e ekonomike, por më tepër edhe për ndihmë psikologjike e psikoterapeutike shumë profesionale. Por shumë prej tyre e kanë të vështirë të përballen me terapeutistë si Kokonozi, për vetë faktin se jo vetëm nuk e dinë sesi funksionon ky proces, por janë dhe të stresuar prej imazhit të gabuar që u është përcjellë mbi klinikat e psikoterapisë.
Në “eksperimente” të panumërta me njerëz të zakontë e të pazakontë - ky “verfolger” (gjyetar-gdhendës), i etur dhe i mirë instruktuar dëshmish psikike e shpirtërore ka pasur përherë mjeshtërinë e durimin të zhbirojë ankthe simptomash neurotike, vegime e dëlire ëndrrash anormale, me pasionin e dashurinë për njeriun. mendërisht të ushtruar e shpirtërisht të kapluar, përpara se ato të kridheshin përsëri në labirintet e koshiencës e të subkoshiencës. Askush nga gjenerata e tij – nuk është kaq pranë problemeve të tyre, të luhatur mes enigmash e kontradiktash të zakonta e të pazakonta, duke mbrujtur enigmat e tyre e duke konservuar kontradiktat e tyre ende të papërfunduara. Pikërisht, kjo e “papërfunduar“ e lë të gjallë tek ne forcën e fshehtë e mirëbërëse të këtij njeriu shumëdimensional. Ky njeri përkthen dhe mjaft poetë neoklasikë, simbolistë, surrealistë, modernë, si edhe krijon poezi në hardiskun e tij të kompjuterit. Veçanërisht poezitë kanë nevojë për një ese me përmasa të tjera. Ato meritojnë vlerësim dhe vëmendje të veçantë, si një prurje interesante në letërsinë bashkëkohore, pasi ekzistojnë me të vërtetë vështirësitë e gjykimeve objektive të vlerave artistike. Sot e në të ardhmen këto poezi, si edhe subjektet psikanalitike njëra prej të cilave edhe “Banka Simbolike” – në kohët që do të vijnë do të jenë : “Coriosity Shop” – duke pritur admiruesit e tyre universalë.

Friday, October 17, 2008

Edhe Ëndrrat gënjejnë
“Triumfi i Brunës”

Bruna, një vajzë 20 vjeçe studente e vitit të dytë në Fakultetin X…,inteligjente e me pamje shumë tërheqëse, vazhdimisht ndjehej si e përkëdhelur nga fati. Rritur në një mjedis familjar gjithë përkujdesje, ajo s’kishte provuar veçse përkëdheljet edhe fjalët e ëmbla. Përgjithësisht, qe mësuar t’i plotësohej çdo dëshirë, madje dhe trillet. Megjithatë, nëpër ambiente tërhiqte vëmendjen dhe admirimin e të tjerëve. Shpesh, provonte një ndjesi të veçantë, një jehonë, një shndritje ledhatuese, rreth vetvetes, që e ndiqte ngado, një prani mbrojtëse, të përngjashme me diçka të njohur por të papërcaktuar, që i’a bënte gjërat e botës më ndjellëse e më të afërta. Kjo gjë, siç thoshte dhe ajo vetë, e lumturonte, e shtynte të hidhej në krahët e jetës e të pikaste se sendet përreth ishin shumë familjare dhe mbartnin shpirtin e përjetësisë. Megjithatë, ajo kishte gjithë një botë të brendshme, shpirtin, ende të panjohur për vetë atë. Kur bisedonte, në mënyrën si lëvizte trupin, si fliste, si e mbante kokën e si i paraqiste duart, ndjehej e ditshme, sikur kuptonte gjithçka, përveç se vetndijohej e bukur dhe gjithë elegancë. Gjatë ditës nuk ishin të pakta rastet, kur ndjente në thellësi të vetvetes diçka që nuk shkonte, që e irritonte, e pikëllonte pa ndonjë shkak që ta kuptonte, siç shprehej Bruna. Kishte çaste që ndjehej e rraskapitur. Pikaste një kontrast të madh në gjendjet emocionale të vetvetes. Herë, herë e kapte një si makth dhe jeta i dukej e shkretë, pa asnjë vlerë.

Ky realitet i dyfishtë, i papërputhur me kërkesat emocionale të pavetëdijshme, ose të vetëdijshme, shkakton te njerëzit në përgjithësi, veçanërisht tek seksi femër, ndjesi mospëlqimi e reaksione të panjohura, të çuditshme, deri në shpërthime agresiviteti të paarsyeshme. Aq më tepër tek natyra e Brunës, e mbushur me përshtypje e kapricio që i’a bënin kuptimin e realitetit shumë të vështirë e të mundimshëm. P.sh., ajo nuk ishte e aftë të vlerësonte e të kuptonte ndryshimin midis një njeriu që i shkaktonte asaj emocione dhe ajo e pëlqente, nga një tjetër që, në fakt, i kuptonte realisht gjërat që kishte para sysh, duke vendosur me to një komunikim të drejtë e duke krijuar një relacion në masën e duhur. Për Brunën, ajo që i pëlqente asaj dhe i përçonte ndjesi dhe efekte, imazhe e ngjyrime, etj., ishte inteligjente dhe e respektueshme...!!! ajo krijonte kështu mitin e simbolin e saj në një rrugë inkoshiente e krejt të gabuar. Duke u robëruar prej iluzioneve pa e kuptuar.

Njeriu, për të përcaktuar pozicionin e vetes ndaj vetvetes, duke thënë – “Unë jam ky”, për të përcaktuar aktivitetin shoqëror, ose veprime të tjera të jetës së përditshme, shpesh i referohet gabimisht një mjegullie të ngjyrshme e rrezatuese, e cila e ndjek atë qysh prej fëmijërisë. Bile mund të ndodhë dhe këto s’janë raste të pakta, që edhe në moshë shumë të rritur, ai të mos shkëputet prej sajë, duke u ndjerë, më vonë, nga kontrasti me të, i pafat, i dështuar, me shumë pengje e mosrealizime, duke mbetur gjithë jetën i pakënaqur e duke mallkuar fatin e tij...(!). Kjo jehonë, si një muzikë grishëse, realizon në psikologjinë e personit një zhvendosje të vetëdijes në një pozicion të paaftë për të nuancuar dhe kuptuar realitetin, për të vepruar në mënyrë konkrete e të drejtë, dhe e nxit individin të kapet nga mendime të pakuptimta, por që atij i faniten si reale dhe plot zgjuarsi. Personi kapet në këtë rrugë nga kurthi i ndjesive të superioritetit e të triumfit, të cilat bëjnë që të ndërpritet tek individi vijueshmëria dhe rrjedhja e jetës së lirë që e ngop njeriun me ngjyrime reale e të thjeshta ; të vërteta. Aq më tëpër, ndjenja e superioritetit dhe triumfit, bëjnë të presohen e të shtypen ndjenjat e vërteta të jetuarit e të poezisë së jetës. Çfarë është e keqja më e madhe ato kërkojnë ta mekanizojnë jetën e njeriut, ta modifikojnë me ndjesi të sforcuara, të manipuluara, praj nga shkaktohet tek individi një gjendje e nderë emocionale, e stresuar, plot ndjesi seksuale të pakontrolluara, irrituese e rraskapitëse. Ato krijojnë një gjendje pangopësie dhe urie seksuale jo reale dhe patologjike. Individi pushtohet nga mania për të përdorur fjalë të pista në drejtimin e aspekteve seksuale. Këto gjendje jo pak herë përfundojnë në neuroza seksuale, (mosndjesi seksuale të niveleve të ndryshme, deri në mosndjesi të plotë seksuale), sidomos në rastin e femrave, që pastaj këtë kërkojnë ta kompensojnë e ta nxisin me mënyra, veprime, të folur, maniakale, artificiale, të zmadhuara, grandomanike. Ose më e vogla këto përfundojnë, në gjendje të thella depresive dhe krizash psikologjike. Ose në moskuptime gjithnjë e më të avancuara, në lidhje me marrëdhëniet seksuale dhe sidomos me marrëdhëniet në çift, si në rastin e Brunës tonë.
Në rastin e kundërt, ka natyra njerëzish, që nëpërmjet një qartësie të vetvetishme, të diktuar nga interesat e mbijetesës, i kapërcejnë sa më parë këto kapje marramendëse, të triumfit dhe superioritetit, topitëse dhe frenuese për kuptimin e realitetit.

Veprimi i këtyre individëve, që mund të jetë edhe i vetëdijshëm, buron nga një njohuri e brendshme, instinktive e natyrës së tyre, që e kupton drejtë për drejtë realitetin e jetës dhe mund të shikohet si një “Vetësakrifikim” apo Vullnet Konstruktiv për t’u orientuar në vazhdën e jetës, pa influencat e frymës së bujshme dhe hijeve vezulluese të përftuara nga aspekti emocional dhe pavetëdija.
Në të vërtetë, ky nuk është “Vetësakrifikim”, përkundrazi, pohimi i një personaliteti të drejtë, të aftë për të eliminuar ndërhyrjet iluzore, paqartësitë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një vetëqartësim, që është në gjendje të kuptojë ndarjen ekzistuese midis vetes dhe të jashtmes, vetes dhe të tjerëve. Një natyrë e theksuar emocionale, e paqartë, e vetëlumturuar prej efektit dhe ndjesisë, si prej një llamburime të padukshme, që nuk kupton dhe nuk mund të ndajë ndjesitë e tij normale nga ato të të tjerëve që ndërhyjnë tinës tek ai, shpesh e ka të vështirë të kthjellohet, të njohë realitetin dhe të ndërtojë marrëdhënie të drejta me vetveten dhe me ambjentin e jashtëm.

Ajo që e ndjek njeriun nga pas, si një frymë përkëdhelëse e joshëse, si një “aleate” e padukshme, aq e theksuar dhe improvizuese, sa është vështirë të dallohet e të ndahet, sepse shfaqet si e njëjtë me vetveten dhe e bën gati të pamundur shkëputjen praj saj. Ajo nuk mund të ndërgjegjësohet lehtësisht, si një diçka që nuk ka të bëjë me jetën reale, sepse paraqitet vetëkënaqëse, vetëlumturuese, si një arkipelag yjor, që projekton mirëqenien, ekzaltimin, triumfin e përjetshëm...!!!.

Por, shpesh i ngjan një mjegullnaje rrëzëlluese mëngjesore, që fsheh një humnerë !… Jo rrallë, njerëzit kridhen në këtë mjegull, si në detin e jargavanëve, duke hasur më së fundi zhgënjimin dhe dhimbjen e madhe; atë që në jetën e përditshme quhet – “pabesi e jetës”. Në të vërtetë, është fjala më tepër për mungesën e vetëkontrollit, për rrëmbimin dhe pangopësinë njerëzore, e cila kur merr revan jashtë çdo kontrolli, prodhon një marrëdhënie konfuze dhe zhgënjyese.

Bruna mendonte, se bota ishte ajo vetë, prania e imazhit të sajë. Ajo kishte bindjen instinktive, se gjithçka që ndjente dhe konceptonte qe vetë qenia e sajë. Nuk dallonte ndarjen midis vetes dhe frymës ndjesore që e gllabëronte. E dehur, nuk mund të dallonte humnerën midis vete reale dhe ndjesive të trëndafilave të muzgut, që trillonte fantazia e dehur. Nuk kuptonte, se ajo ishte një individ i caktuar në një mjedis real, të dhënë, që s’kishte lidhje me “përjetimin e bruztë emocional” dhe që për të jetuar duhej të ndërtonte marrëdhënie konkrete të vetëdijshme me këtë mjedis.

Që të vendoset një marrëdhënie e drejtë e reale me atë që gjendet jashtë nesh, me të jashtmen, fillimisht është e domosdoshme qartësia për ndarjen që ekziston midis vetes dhe mjedisit që na rrethon. Midis vetes dhe tjetrit. Të jashtmes. Në të kundërt, me kë do të vendoset kjo marrëdhënie? Gjithçka s’do të ishte veçse një marrëzi, një konflikt. Pa realizimin e kësaj ndarjeje, sipas një diferencimi të dallueshëm e të vetëdijshëm, për njeriun do të ishte e pamundur vlerësimi i drejtë i rrethanave të jashtme dhe i pozicionit të tjetrit dhe për pasojë nuk do të ishte e mundur të vendosej një marrëdhënie reale.. Mund të ketë vetëm një lëmsh emocionesh dhe efektesh, që shndërrohen herë në pëlqim e herë në sulm reciprok. Në këtë rast njerëzit ndërhyjnë te njëri tjetri në një mënyrë të pavetëdijshme, duke kënaqur njëri tjetrin; aktet psikike e fizike humbin qartësinë dhe kuptimin. Ky terren psikologjik e emocional ngjiz shtrembërimin e personalitetit, përplasjet absurde dhe zilinë ose afrimin e tepruar pa motiv, dhe më vonë ndarjet e dhunshme, krimin.

Bruna u martua dhe u nda pas tre vjetësh, pasi pat lindur edhe një fëmijë. Ngaqë kishte besuar, se te personi që dashuronte dremiste ëndrra e saj, e përngjashmja me atë vetë, simfonia grishëse e botës, ajo u kap prej një depresioni të thellë që i zgjati mjaft kohë. Me tepër se kujtdo, këtë simfoni grishëse të botës, një femër i’a bashkëngjit atij që dashuron. Bruna nuk kishte dashuruar pikërisht atë, një person me një individualitet të caktuar, që ekzistonte jashtë saj, por fantazinë e sajë, këngën e trilluar prej imagjinatës së saj erotike. Ajo nuk kishte krijuar marrëdhënie konkrete me një person tjetër, të gjallë, por me jehonën që përfton forma sensuale e një mashkulli, që asaj i ngjasonte me oshtimën misterioze dhe magjepse që endej nëpër kohëra…Si vetëtimat pa fillim e pa mbarim...

Në këtë rast nuk mund të njihet personi me të cilin ke të bësh, nuk njihet individualiteti i tij i veçantë. Realizimi i marrëdhënies do të mbetet në stadin e një instinkti të përgjithshëm seksual dhe emocioni në nivelin e një emocioni të pa adresuar individualisht. Ky realitet psikologjik është produkt i vetëlumturisë fëmijërore ende të pa likuiduar nga ashpërsia dhe kërkesat e mbijetesës. Në fund të fundit, është fjala për konceptin e ndarjes së njeriut nga vetja e tij e jashtme, vetëlumturuese, e pavetëdijshme, e cila ka vetinë e ndërhyrjes dhe diktatit ndaj individit real, duke prodhuar “Niagara” fantazish të paqena. Kjo ndarje, që nënkupton distancën psikologjike të njeriut prej jehonave, imazheve dhe vezullimeve erëmirë,, është kushti themelor i vetënjohjes dhe i realizimit të Marrëdhënies Reale të Vetëdijshme me atë që nuk je ti. Nëse kjo nuk do të realizohet nëpërmjet një përpjekje të vetëdijshme të vazhdueshme, atëherë patjetër, ngjarjet e jetës vijnë të tilla, që ndarja nga iluzioni të ndodhë në mënyrë të dhunshme e konfliktuoze, por tani jo midis teje dhe projeksioneve të gabuara, jo reale të vetvetes, por midis teje dhe tjetrit, duke shkaktuar dhimbje. Depresion.

Bruna akuzonte të shoqin, se nuk e kishte kuptuar dhe se sillej keq me të. E vërteta është se tek burri i sajë jetonte një tjetër individ, me natyrën e tij të veçantë, për të cilën ajo nuk bëhej e vetëdijshme. Bruna ishte futur te ai në mënyrë të pavetëdijshme, si një plotësim i pavullnetshëm dhe i egër dëshirash dhe përshtypjesh. Në mos një ditë, një tjetër, ndarja do të ishte e pashmangshme dhe patjetër e dhunshme, pasi dhe bashkimi pat qenë i dhunshëm, i pavetëdijshëm. Ndarja me të shoqin i krijoi asaj përshtypjen ekstreme dhe të kundërt me të fillimit, se jeta nuk e vlente. Në gjendjen e saj të rëndë ajo mendonte për vetëvrasjen.
Duke fanitur dëshirën për të vdekur, vetja proteston ndaj njeriut, duke treguar se diçka tek ai, nuk ka shkuar mirë që prej fillimit dhe pikërisht ndërgjegjësimi për iluzionet dhe personalitetin e rremë.

Thursday, September 18, 2008

Banka simbolike dhe metamorfozat e inkoshientit

Banka simbolike dhe aktiviteti jetësor i individit Si çdo aktivitet tjetë, edhe aktiviteti psikik i individit, gjatë jetës së përditshme, bëhet i mundur në saje të një lënde fillestare jetësore, që do ta quajmë "paraja simbolike". Aktiviteti i përditshëm i individit, mund të kuptohet si aktivitet, që herë konsumon kënaqësi dhe herë nuk konsumon kënaqësi, pra, vetëzhdëmtohet. Sipas këtij rregulli, njeriu, gjatë aktivitetit të përditshëm, harxhon monedhë simbolike kur konsumon kënaqësi, ose depoziton "monedhë simbolike" në Bankën e tij të fshehtë, simbolike, sa herë që nuk konsumon kënaqësi. Në bazë të kësaj natyre, të veprimeve jetësore, Banka e fshehtë kryen operacione"bankare", në monedhë simbolike, për llogari të individit. Sipas rastit, shpenzon ose depoziton. "Monedha Simbolike" mund të kuptohet si mundësia për të vepruar e lëndës së lirë jetësore të individit, që ne do ta quajmë Superlëndë.

Formulimet në terma psikike të Superlëndës
Monedha simbolike ose pasuria simbolike, para së gjithash, i siguron individit besimin e vetvetishëm dhe kuptueshmërinë e vetvetishme për të vetqenë dhe për të vepruar në jetë, pa të cilat çdo perceptim, çdo ide dhe çdo lloj eksperience, nuk do të mund të konceptohej dhe nuk do të mund të ndodhte. Eshtë e vështirë, megjithatë, të dallohen, të kuptohen veças, kuptueshmëria e vetvetishme dhe besimi i vetvetishëm, gjatë rrjedhës së jetës së përditshme, pasi ato janë vetë jeta dhe nuk mund të ballafaqohen me kritere të tjera, të njohura prej njeriut, që të mund të bëheshin të dallueshme. Ato janë formulime psikike të Superlëndës. Nuk është e lehtë të kuptohet, se edhe një veprim i thjeshtë, siç është ecja, nuk do të kishte asnjë kuptim dhe nuk do të ndodhte pa besimin e vetvetishëm dhe pa kuptueshmërinë e vetvetishme. Kjo situatë, mund të konstatohet nëpër ëndrra, ku individi ndodh të zhvendoset prej planit të kësaj kuptushmërie dhe nuk ka asnjë koncept, as për veprimin dhe as për një objekt të thjeshtë. Në botën tonë, njeriu gjendet në një pozicion të dhënë kuptueshmërie dhe besimi të vetvetishëm dhe gjithçka që mendon dhe zbulon, nuk mund të dalë jashtë caqeve të këtij vetpozicionimi, rrafshi, ose niveli psikik. Ndryshe, kjo mund të thuhet se, ai është i vendosur brenda një pafundësie të fundme. Por, në këndvështrimin kualitativ, ekzistojnë edhe pozicionime, nivele të tjera të kuptueshmërisë dhe besimit të vetvetishëm. Kjo e vërtetë, mund të kapet nëpër ëndrra, ku njeriu përshkon detra, duke ecur përmbi ujë dhe, këtë veprim, do ta kryejë me natyralitet, pa u çuditur dhe pa u skandalizuar aspak. Kjo ndodh pikërisht kështu sepse individi, në ëndërr, pozicionohet në një plan ose nivel tjetër të kuptueshmërisë dhe besimit të vetvetishëm, të natyrshëm, sipas të cilave veprimi i ecjes përmbi ujë, i inspirohet atij i ndodhshëm, i natyrshëm dhe të gjithë përbërësit e tjerë psikikë si llogjika, normaliteti, etj., do të formohen menjëherë sipas këtij plani ose niveli kuptueshmërie dhe besimi.

Në të vërtetë, nuk do të ishte e drejtë të thuhet, se ky apo ai veprim është jashtë llogjikës apo normales; më e drejtë do të ishte të thuhet se, ky apo ai veprim, është jashtë një plani apo niveli të dhënë kuptueshmërie dhe besimi. Kuptueshmëria dhe besimi, janë formulime të lëndës së gjallë të jetës ose, me fjalë të tjera, të "Superlëndës". Superlënda, është shumë më tepër se kuptueshmëria dhe besimi, pavarësisht se njeriu mund të dallojë vetëm disa formulime të saj. Deri në një farë mase, kjo mund të sqarohet nëpërmjet këtij figuracioni skematik: Të imagjinojmë se kemi në dorë një kuti të bukur, të punuar prej lënde arre, në të cilën njerëzit fusin sendet e tyre të rralla. Fakti që lënda e arrës shndërrohet në një kuti të bukur, nuk do të thotë aspak se ajo i humb vetitë si e tillë, si një lëndë arre. Ajo është njëkohësisht lëndë arre, por edhe një kuti, që përdoret për një qëllim të caktuar. Në të njejtën mënyrë, edhe kuptueshmëria, besimi, vullneti, dëshira, qartësia, synimi, tejpamësia, etj., ndërtohen, edhe këto, prej një lënde të cilën e emërtuam Superlëndë. Fakti, që kjo Superlëndë shndërrohet në formulimet psikike të mësipërme, apo në formacione të tjera, nuk do të thotë aspak se ajo i humb vetitë e saj si Superlëndë, pra, si një lëndë me vetëkoshiencë, dituri, vetëveprim, etj., pra, që mund të shndërrohet edhe në nivele të tjera kuptueshmërie, të cilat njeriu s´mund t´i njohë, sepse ai kupton, mendon, vepron, etj., i ndodhur në një nivel të caktuar kuptueshmërie, siç thamë më lart.

Ndarja e njeriut nga vetvetja dhe aleancat e reja psikike
Me sa duket, njeriu i parë do të ketë qenë i unifikuar me këtë Superlëndë, pra, me vetë jetën. Kjo gjendje psikike e njeriut të parë, mund të kuptohet si një gjendje psikike aktive, që do të thotë: Një vetëpozicionim koshient në lidhje me kuptueshmërinë, besimin, dëshirën dhe vullnetin për të jetuar. Për atë, e jashtmja nuk përbënte asnjë problem, si në drejtim të kohës, ashtu edhe të hapësirës. Njeriu i parë, siç shpjegohet edhe në shkrimin "I dituri, i egri, relacioni", që nuk përfshihet në këtë libër, posedonte një vullnet dhe besim koshient jete (për të jetuar), jo vetëm instiktiv. Ai ishte njeriu që jeton, dhe jetën e kuptonte si përjetësi, dhe, për këtë, ishte plotësisht koshient. Më vonë, duhet të ketë ndodhur "një kapërcim" prej vetvetes. Ky fakt, po t´i referohemi logjikës dhe eksperiencës së përditshme, na detyron të mendojmë se ka ndodhur prej një motivi vetëshijues dhe një tërheqje vëmendjeje e një lloji të veçantë. Sipas logjikës, duhet të pranojmë se akti i vetëshijimit ka lindur mbi bazën e një situate të vetëdijshme opozitare dhe rivalizuese. Gjithashtu, vetëpozicionimi opozitar dhe rivalizues (që është një vetpozicionim vetëshijues), përmban në vetvete edhe egërsinë. Pra, përmban në vetvete pozicionimin e koshiencës të njeriut të ditur dhe të egër njëkohësisht. Prej kësaj zhvendosjeje, "kapërcimi" të njeriut nga vetvetja, krijohet një "hapsirë" midis vetes dhe vetvetes, që lind detyrimisht vetëndijimin. Vetja ndijon vetveten. Dihet se vetëpozicionimi i njeriut aktual, është vetëpozicionimi i njeriut që pëlqehet nga vetvetja. Pra, është vetëpozicionimi i të vetëpëlqyerit, që është vetëpozicionimi i të vetëditurit.

Që të ndodhte kjo, duhej, patjetër, që njeriu të ishte koshient, se gjendej një dikush që përfaqësonte diturinë dhe fuqinë, ndaj të cilit ai krijoi situatën opozitare dhe rivalizuese, si rrjedhim, edhe vetëshijuese. Ky vetëpozicionim i ri, nënkupton humbjen e gjendjes aktive psikike dhe zëvëndësimin e saj me psikikën vetëshijuese dhe opozitare - psikika aktuale e njeriut. Pikërisht në këtë situatë dhe marrëdhënie, është ndodhur Njeriu i Parë. Ndryshe nuk mund të ndodhë pozicioni i të vetëditurit, vetëpëlqyerit dhe opozitarit. Kështu lindi "koshienca e re", koshienca ndiesore, ku të jetuarit gllabërohet prej fuqisë së efektit, vetëndijimit, ndijimit, jehonës, imagjinatës dhe të idesë për të formuar koncepte. Lindi koshienca që formatizonte, dimensiononte dhe kufizonte besimin dhe vullnetin e jetës. Vetëpëlqimi (vetëshijimi), egërsia dhe imagjinata, do të jenë tre nga pesë personazhet e rinj, që do të jenë pjesëtarë në përbërjen psikike të individit, mbas aktit të daljes nga vetvetja. Kjo dalje, "kapërcim", bëri që njeriu të bjerë menjëherë nën autoritetin e fuqive ndërhyrëse, të padukshme, Fuqive Aktoriale. Këto fuqi janë autoritete të padukshme, të cilat te njeriu veprojnë nëpërmjet akteve shqisore, të ndjesisë, efektit, iluzionit, flakërimeve emocionale, të intimitetit, të konfliktit, të imagjinatës, të përfytyrimit, imazheve, shkallëzimit të ideve, etj. Gjendja e jetës së kuptueshme dhe aktive të njeriut (të jetuar në vijimësi, në mënyrë koshiente, që nuk shtangohet nga konceptet, nga kapjet ndjesore e përfytyruese, etj.), prej të cilës njeriu u shkëput, nuk duhet ngatërruar me gjendjen e jetës ndjesore, përfytyruese, imagjinative, instiktive - aktoriale dhe arketipale të tij. Këto përmbajtje psikike koshiente ose inkoshiente, ndjesore, vizionare, etj., nuk janë krijuar "rastësisht", si rezultat i një eksperience kaotike, mekanike e të vdekur, por janë rezultat i aktivitetit të fuqive të gjalla të padukshme, apo i Fuqive Aktoriale koshiente, që i bashkëngjitet eksperiencës së perceptimit të individit, nëpërmjet një rregulli, dhe shkallëzimi mbinatyror. Tek individi, ky aktivitet do të paraqitet si arshivim ndjesish, efektesh, kujtesash, eksperiencash, jehonash, simbolesh, arketipash, që flenë dhe zgjohen; sipas katrorit aktorial, simbolit, numrit, modelit, ku vetëvendoset individi pa vetëdije, si rezultat i teprimit të koshiencës vetëshijuese, pasive, që gjatë jetës së përditshme do të shfaqet si programim i aktivitetit të tij koshient.

Zotat e rinj, që ndërhynë tek individi pas "daljes" nga vetvetja, do të përbëjnë lëndën e re psikike, që do ta quaja "lënda psikike aktoriale" (që vetëtransformohet); vetëshijimi, egërsia, instinkti, imagjinata, përfytyrimi, ndjesia, arketipi, simboli, miti, iluzioni, ëndrra, ideologjia, arti, etj. Kjo lëndë e re psikike, me të cilën njeriu u identifikua, përbën edhe aleancën e re, që krijoi ai pas aktit të ndarjes me vetveten (me vetveten autentike). Aleanca e re psikike, nuk është një konvencion i rastit dhe as një konvencion i vdekur. Ajo zotëron potencialitet, fuqi e koshiencë dhe funksionon në mënyrë të gjallë, si në jetën koshiente, ashtu edhe në jetën inkoshiente të individit. Vetvetja, origjinale, fillestare, prej së cilës njeriu "doli e u nda", përgjithësisht konfondohet me këtë material psikik, të pavetëdijshëm. Vetja, të cilën njeriu "e braktisi", është unike, e barabartë me vetveten dhe nuk ka veti ndërhyrëse, nuk mund të vetëndijohet dhe të vetëshijohet, nuk mund të krijojë efekt dhe jehonë pasi, për këtë, nevojiten disuniteti dhe diskordanca, që janë natyra e Fuqive Aktoriale ndërhyrëse.

Pushteti është mungesa e pushtetit të vetvetishëm, që sjell për pasojë aktorialitetin dhe ndërhyrjen, instinktin posedues dhe vetëshijues. Mosplotësinë dhe etjen për pushtet.

Mund të themi se, te njeriu, gjendet vetja e vërtetë, origjinale, prej së cilës ai u nda, vetja e natyrshme dhe e ligjshme, dhe, nga ana tjetër, vetja ndjesore, vetëshijuese, imagjinuese, mitike, simbolike, etj, që janë autoritetet dhe fuqitë e padukshme. Vetja e vërtetë mbeti tek e panjohura dhe tek e pavetëdijshmja, që kur Eva aprovoi këshillën opozitare të gjarprit. Është kjo vete, që i sugjeron individit kuptueshmërinë dhe besimin e vetvetishëm, pavarësisht se tek cilët objekte i vendos njeriu dhe për çfarë qëllimesh i përdor ato. Sapo një individ, ose një grup individësh, do të vendosin lidhje psikiko-koshiente, ose edhe sipas eksperiencës dhe traditës, me një objekt, personazh, figurë, fenomen, ide, kusht social, imazh ëndrre, etj., atëhere këto lidhje do të funksionojnë si të gjalla dhe do të diktojnë jetën psikiko-sociale të individit e të grupeve të individëve. Këto lidhje mund të vendosen me ëndrrat, me fenomene të tjera si zëra, vizione, me të ashtuquajturat vende të shenjta, me perënditë, me orakujt, me ide sipas eksperiencës psikiko- intelektuale të një individi, të grupeve të individëve, ose sipas traditës së popujve. Në këto lidhje, ose marrëdhënie, janë të pranishme dhe marrin pjesë intensivisht Fuqitë e padukshme Aktoriale. Vetë këto marrëdhënie, përbëhen prej një lënde të veçantë, prej një psiko-energjie, e cila posedon fuqi dhe koshiencë. Si rregull, sa më masive të jenë ato, aq më fuqimisht dhe aq më me rregullaritet do të proçedojnë. Por, me kohë, ato edhe shuhen e riformohen, sipas ngjarjeve, traditave të reja, zhvillimit kulturor dhe koncepteve, që përçohen në jetën e popujve, të grupeve të individëve dhe të individit në veçanti. Në këtë rast, është me rëndësi të theksohet se, lidhja ose marrëdhënia, që është vendosja e besimit mbi objekte kënaqësimarrëse, objekte të pakuptueshëm, psikikë apo socialë, do të mbetet e përhershme. Do të ndryshojë vetëm natyra e objektit: p.sh. mund të jetë ose objekt mitik, parapsikologjik, paranormal, mistik, ose social, intelektual, fizik, etj.

Në të vërtetë, në këto raste ndodh një mbifuqizim i besimit dhe një çlirim i plotë i psikikës. Fenomenet e pavullnetshme si ndjesitë, dëshirat, parandjenjat, sugjerimi i ëndrrave, i përfytyrimeve, i zërave, etj., do të zgjohen sipas frymëzimit të këtij besimi, ndërsa koshienca do t´i kapë këto sinjale dhe do t´i strukturojë në nivelet e saj. Kështu, ngjarjet e realitetit që do të pasojnë, do të ndjekin këtë strukturim koshient dhe inkoshient. Si rregull, kjo do të vazhdojë vetëm një farë kohe.

Lindja e mekanizmit të Bankës së fshehtë
Përmbajtjet psikike janë rezultat i aktivitetit të Fuqive Aktoriale të padukshme. Ky aktorialitet, nga njëra anë, në inkoshiencë do të programohet si ndjesi, si parandjenja, si simbolikë e ëndrrave e përfytyrimeve, si skicë-ide, para-ndjesi, jehona, telepati, etj., dhe, nga ana tjetër, në jetën e përditshme, do të paraqitet si formulime, synime e ide koshiente, si edhe në ngjarje të rastit, të caktuara. Akti i zëvendësimit të vetes fillestare me veten shijuese, ose me objekte shijues, ndodh edhe brenda jetës së çdo individi, sipas natyrës së tipave, që C. G. Jung i ka trajtuar në një mënyrë të përkryer. Kur ky zëvendësim, apo identifikim teprohet, atëherë, kjo vete fillestare reagon, për t´u vetëmbrojtur. Reagimet, fillimisht, do të jenë paralajmëruese; nëpërmjet ëndrrave, gjendjeve të këqija psikologjike, ngjarjeve të rastit, jo të favorshme dhe jo të këndshme, ankthit, gjendjes dizshijuese, depresive, etj. Këto sinjale paralajmëruese, do të bëhen më të theksuara duke provokuar fenomene patologjike, në fillim më të lehta dhe më vonë më të rënda, nëse individi nuk do të bëhet i ndërgjegjshëm për teprimet e lidhjeve të gabuara, apo për teprimin e vetëshijimit dhe të egërsisë. Ky "kundërveprim" i vetes fillestare, origjinale, ndaj individit realizohet sipas parimit të Bankës simbolike, që do të thotë se, ai ndodh me një rregullaritet sistematik, gradualitet, kuptim, drejtësi, inteligjencë perfekt, që do të ishte më e saktë t'i quanim, hyjnorë. Koshienca e individit luhatet midis oshtimave të veprimit të dy veteve, personaliteteve; të personalitetit fillestar, apo vetes legjitime, që vepron në mënyrë të vetvetishme, pa shtytës, ndërhyrës, dhe nga ana tjetër, të personalitetit, vetes aktoriale, që vepron nëpërmjet një besimi të vendosur gabim, nën diktatin e forcave uzurpuese e vetëshijuese, që shfaqen si një vezullim dhe diktat i nëndheshëm. Të dy këto vete, veprojnë si në inkoshiencë ashtu edhe në koshiencë. Problemi është se, cila prej tyre do të marrë revanshin, tek njeriu. Individi, do ta rifitojë apo jo personalitetin e tij të çliruar?
Funksioni dhe qëllimi i Bankës së fshehtë Banka e fshehtë funksionon mbi bazën e kriterit të vetes themelore, fillestare, dhe zhdëmton individin për teprimet e lidhjeve me objektet shijuese, me konstruktet vetëshijuese brenda vetvetes, dhunti, fuqi intelektuale, aktoriale, fizike, etj., ose, që është e njëjta gjë, për teprimet e vetëshijimit e të egërsisë. E thënë me fjalë të tjera; për teprimet e lidhjeve me fuqitë e padukshme aktoriale, që është teprimi i zhvendosjes prej vetes fillestare, aktive. Prej njeriut që jeton i lirë. Qëllimi i Bankës së fshehtë është ndërgjegjësimi i vetëdijes, që ajo të rivendosë vetveten dhe besimin, gjithnjë e më tepër drejt vetes së ligjshme, Personalitetit të Çliruar. (Njeriut të lirë) Personaliteti i çliruar nga vetë natyra e tij, posedon koshiencën e vërtetë për jetën, vullnetin, besimin, sigurinë, fuqinë dhe aktivitetin e pavarur. Është vetë jeta. Gjatë aktivitetit të tij, individi mbart dhe manifeston, në forma të ndryshme, gjendje të tepruara vetëshijimi, vetëkënaqësie dhe egërsie, gjendje që përbëjnë një vetëkonsum, pra edhe një harxhim të "parasë simbolike". Banka e fshehtë, do të përllogarisë fatura pagesash në adresë të individit, mbi bazën e këtij konsumi dhe shpenzimi. Harxhimi i "parasë simbolike", do të lëkundë aktivitetin psikik dhe jetësor të individit, që do të manifestohet me çrregullime psikike, flashkësi të besimit dhe vullnetit për jetën, me sëmundje dhe ngjarje të "rastit", të pafavorshme etj.
Parimet e Bankës së fshehtë(simbolike) Një nga parimet e Bankës së fshehtë është: Një kuptim i gabuar, ose një vetëvendosje e gabuar e vetëdijes që, në jetën e përditshme, paraqitet si vetëshijim dhe egërsi e tepruar, për të cilën individi s´është koshient, ose është, por nuk është i aftë të rivendosë një vetëpozicionim të drejtë, do të pasohet, në jetën e përditshme, nga ndodhi psikike të çrregulluara, si edhe nga ngjarje të jashtme, të rastit, strukturimi dhe ndodhja e të cilave do të jetë e tillë, që të evidentojë pikërisht këtë vetëpozicionim të gabuar. Pra nga ngjarje të rastit te disfavorshme, si edhe nga gjendje psikologjike dhe emocionale irituese, gjendje ankthi, frikë jasht kontrollit të arsyes, fobi, etj, etj. Vetëvendosja e gabuar vetëdijes, te njeriu, është vetja që vetëpëlqehet në mënyrë të tepruar, jashtë vetëkontrollit. Në jetën e përditshme, kjo buron nga gjendja natyrale, iluzive, e përhershme, e koshiencës vetëshijuese dhe nuk ka të bëjë aspak me vetëdijen e individit, lidhur me dhuntitë personale, apo me pozitën sociale. Gjatë jetës së përditshme, ajo shpreh aleancën e gabuar të vetëdijes me këto dhunti, me pozitën shoqërore, ose me objekte të tjera, me të cilat individi identifikohet, për të përmbushur pikërisht kërkesën e gjendjes natyrale dhe iluzive të psikikës, të "koshiencës së re", të shkëputur nga vetvetja. Vetëpozicionimi i gabuar i koshiencës, është vezullimi i fshehtë vetpëlqyes. Është një gjendje natyrale dhe e përhershme vetëshijuese, që krijon mundësinë e teprimit. Po të ndjekim dhe të analizojmë diagramin e agresivitetit dhe të vetëpëlqimit të një njeriu normal, do të dallojmë se ngjarjet e përditshme, që pasojnë njëra-tjetrën, do të nxjerrin në pah, mos në njërin rast, në tjetrin, këtë vetpozicionim të gabuar të koshiencës së tij. Në këtë rast, në adresë të këtij individi, të tjerët do të shprehen kështu: "Për çfarë e mban vehten se është ai", etj. Këto përcaktime, aludojnë për një vetëpozicionim të gabuar të koshiencës njerëzore. Është shumë domethënës fakti, se edhe tek një person në krahinën më të humbur dhe në situatën sociale më të papërfillshme qoftë, do të gjenden momente që do të shpalosin vetëpozicionimin e gabuar të tij, ku ai do të deponojë: "Zgjuarsinë dhe zotësinë time, nuk e ka kush". Ky është i dituri prej nga rrjedh i egri. Ai, që është i kapur nga diktati inkoshient i mësuesit, i predikuesit, i urdhëruesit të të tjerëve. Kjo gjendje pasive e vetëshijuese e psikikës, është fryma natyrore e jetës, apo vetë Fuqitë e padukshme Aktoriale, pra një ekuacion qiellor, të cilit njeriu i bindet detyrimisht dhe nuk është në gjendje t´i shmanget, pasi ai e zgjodhi vetë, duke qenë koshient, kur u nda prej vetes origjinale. Njeriu, veçse mund t´a sofistikojë, ta manipulojë, ta transferojë në situata sociale në interes të tij, etj. Shmangia dhe tejkalimi i kësaj vetje, që mbahet peng dhe diktohet prej fuqive të padukshme aktoriale, mund të realizohet duke u mbështetur në një fuqi shumë më superiore se ato, fuqi që qëndron në pozicionin e "Zotit të Zotave". Banka e fshehtë aktivizon ëndrrat dhe fenomenet e tjera të pavullnetshme; si ndjesi, gjendje emocionale, ankth, parandjenja, përfytyrime dhe mendime jashtë kontrollit të natyrshëm, të tepruara, etj., për të sinjalizuar teprimet e individit, lidhur me vetëzëvëndësimin dhe depersonalizimin, lidhur me teprimin e vendosjes së gabuar të besimit, që do të thotë largim i tepruar nga gjendja aktive e psikikës. Këto teprime do të trajtohen prej saj, si gjendje pasive ekstreme, si situata vetëshijimi dhe egërsie ekstreme, të palejueshme. Portat e koshiencës trokasin pa pushim, që ta zgjojnë njeriun dhe ta ndërgjegjësojnë për veten fillestare, për personalitetin e lirë dhe të pavarur, në të kundërt, nëse individi nuk do të ndërgjegjësohet, atëherë ngjarjet psikike dhe ngjarjet e realitetit të jashtëm, që do të pasojnë, do t'i evidentojnë agresivitetin dhe gjendjet vetëshijuese si, të pazotërueshëm, patologjikë dhe të konvertuar në fenomene psikike të pakontrollueshëm, neuroza, sëmundje të ndryshme, ngjarje të rastit, të pariparueshme, etj. Fenomenet dhe ngjarjet spontane, të pavullnetëshme, të çfarëdo lloj natyre qofshin, përgatiten prej vetë individit dhe janë vazhdim i mënyrës se si procedon ai gjatë veprimeve të vullnetshme dhe të vetëdijëshme.
Një shembull praktik: Anisa, një punonjëse rreth 35- vjeçe, drejtoreshë e një institucioni, mbasi mbaronte orarin zyrtar dhe kthehej në shtëpi, reagonte, sillej ndaj të shoqit dhe fëmijës së saj me një arrogancë dhe agresivitet të pakontrollueshëm. Ajo tregonte se nuk kishte ndonjë shkak apo ndonjë arsye, megjithatë, nuk ishte në gjendje ta përmbante shpërthimin e saj. Gjithashtu, ajo thoshte se ishte krejtësisht koshiente për sjelljen e saj të gabuar, por e ndjente veten të paaftë që të përmbahej. Anisa, gjatë pjesës së parë të ditës, kur ndodhej në zyrë, u drejtohej vartësve të saj me një ton të vrazhdë, me prepotencë dhe aspak njerëzisht, ndërkohë që i kishte të gjitha mundësitë të bëhej koshiente për këtë sjellje dhe të ushtronte vetëkontroll. - Dhe, ndërkohë që kjo ishte e krejt e mundur, pra mund të realizohej, ajo nuk e bënte. Atëherë, ajo, në pjesën e dytë të ditës, do të jetë nën diktatin e një vetjeje të pavullnetëshme dhe të pazotërueshme, të cilën e ka ndërtuar vetë, duke qenë koshiente, gjatë pjesës së parë të ditës. Banka e Fshehtë funksionon në mënyrë të tillë, që agresiviteti dhe gjendja e vetëshijimit e përsëritur, çka nënkupton një teprim të largimit nga gjendja aktive e psikikës, do të konvertohet në fenomene patologjike, ndaj të cilave individi bëhet i ndjeshëm dhe reagon në mënyrë të rrufeshme në drejtim të ndërgjegjësimit dhe të vetëkontrollit. Një shembull tjetër praktik: Klaudia, një vajzë, studente në vitin e fundit të fakultetit të Letërsisë, ankohej se gjatë marrëdhënieve në mjedisin familjar, ndaj vëllait pak më të vogël, herë-herë i lindnin ndjesi seksuale të pavullnetshme, të cilat e skandalizonin. Ajo tregonte se, megjithëse mundohej me të gjitha forcat që t´i shtypte dhe t´i shmangte, ato reagonin më fuqishëm. Duke shqyrtuar me imtësi vetëpozicionimin e fshehtë të koshiencës së saj, nëpërmjet veprimeve kundrejt të vëllait, do të rezultojë se, ajo ishte përçmuese ndaj personalitetit të tij. Shpesh sillej me arrogancë ndaj tij dhe i pëlqente që ai ta vlerësonte së tepërmi për inteligjencën dhe talentin e saj. Duke zbuluar koshiencën e saj, mund të dalloje në mënyrë të dukshme, se ajo ndjehej superiore dhe në një pozicion vetëpëlqimi kundrejt tij. Kjo situatë superioriteti dhe agresiviteti (pra, krejtësisht pasive), përmban në vetvete dëshirën për t´u pëlqyer prej tij, ose për t´u kënaqur me anë të tij që, në një moment tjetër, do të shpaloset, në mënyrë të drejtë për drejtë dhe të hapur, si shpërthim ndjesish seksuale. Këto shpërthime të pavullnetshme ndjesish seksuale, që e detyronin Klaudian të reagonte në një mënyrë të rrufeshme dhe të ushtronte vetëkontrollin, ishin të parapërgatitura prej vetë asaj, në një mënyrë të fshehtë dhe të pakuptueshme, si rezultat i vetëvendosjes së gabuar ndaj të vëllait, i veprimeve arrogante dhe përçmuese, ndaj të cilave kjo vajzë nuk kishte ndonjë interes të ndërgjegjësohej dhe të ushtronte vetëkontrollin, ndërkohë që ajo e kishte mundësinë, vullnetin e vetëdijshëm, ta realizonte këtë. Gjendja e opozicionit të tepruar, apo e cinizmit së tepruar, si edhe e kundërta, gjendja shijuese-afektive e tepruar kundrejt një personi, jashtë konceptit e motivit të psikikës aktive, shpesh, në ëndërr, shfaqet si marrëdhënie seksuale, ndërsa, në jetën e përditshme, si shpërthim i pavullnetshëm ndjesish seksuale, ose si vetëndijim i lakuriqësisë trupore. Banka e fshehtë, veprimet e tepruara vetëshijuese dhe agresive të Klaudias ndaj të vëllait të saj, do t´i trajtojë si konsum dhe harxhim, dhe, sipas këtij konsumi, do të zhdëmtojë "në para simbolike", llogarinë individuale të saj. Si rezultat i veprimeve agresive dhe vetëshijuese të përsëritura, "paraja simbolike" e vajzës, do të ndjekë një kurbë rënëse dhe do të pakësohet. Për këtë arsye, aktiviteti psikik i saj nuk do të jetë në gjendje të përmbushë konditat e normalitetit. Të personalitetit të lirë. Tek ajo do të shfaqen fenomene psikike jashtë kontrollit të koshiencës dhe normave të psikologjisë normale, si p.sh., ndjesitë e pavullnetshme seksuale ndaj të vëllait. Nëse kjo vajzë nuk do të ndërgjegjësohej për një rivendosje të drejtë të koshiencës, si ndaj vëllait ashtu edhe ndaj vetvetes, atëherë ajo do të ishte e detyruar të ushtronte ndaj këtyre ndjesive, shtypjen dhe rishtypjen e përsëritur. Kjo mënyrë e çalë dhe e pakuptimtë e të vepruarit, do të pasohej prej një kundërveprimi më të egër të inkoshientit dhe do të përfundonte me simptomat e neurozës. Unë përdora përkufizimin "mënyrë e çalë dhe e pakuptimtë e të vepruarit," sepse, veprimi i kundërshtimit dhe i shtypjes të ndjesive seksuale nga ajo, do t´i ngjante veprimit të një personi, i cili qëndron në diell dhe ankohet ndaj vapës. Banka e fshehtë, si një mekanizëm ekzekutues i koshiencës themelore brenda pavetëdijes, do të aprovonte dhe do të pranonte një zhvendosje të lehtë të individit, që është ndërgjegjësimi dhe vetëpozicionimi i drejtë i tij. Ky vetëpozicionim i drejtë (sa më afër vetes aktive), do të sqarojë të gjithë pavetëdijen e individit, do të eleminojë konfliktet dhe shtypjet. Do të paraqitet si një çlirim psikik. Në rastin e metaforës së mësipërme, personi që qëndron në diell nuk do të rropatet duke kundërshtuar vapën, por do të zhvendoset dhe do të qëndrojë në një vend të mbrojtur nga dielli.
Një parim tjetër i Bankës së Fshehtë, është: Një rrëzim i vogël i individit në jetën e përditshme, do të pasohet prej një rrëzimi më të madh, ose një ngjarje kundërshtare do të pasohet edhe nga të tjera, që do të thotë se, një harxhim i vogël i "parasë simbolike", do të pasohet nga një harxhim më i madh i saj. Ky shkallëzim i dinamikës së inkoshientit, do të funksionojë për aq kohë sa individi nuk bëhet i vetëdijshëm për vetëvendosjen e gabuar, në mënyrë të tepruar. Nëse manifestimi i agresivitetit dhe i vetëshijimit tek individi, nuk është aq i mjaftueshëm sa Banka e fshehtë të mund t'a zhdëmtojë atë me një rrëzim, komplikim të ndjeshëm, atëherë ngjarjet e rastit që do të pasojnë do të jenë të tilla, që individi të bjerë në kurthe më të mëdha, që do të favorizonin rritjen e agresivitetit e të vetëshijimit, aq sa ky të jetë i mjaftueshëm për një zhdëmtim të dukshëm, që do të ishte një komplikim, çrregullim emocional, psikik, më i dukshëm, më i rëndë. Ndryshe kjo mund të thuhet: Një ngjarje që do të provokonte te një individ një gjendje vetëshijimi dhe agresiviteti, do të pasohet nga ngjarje të tjera më të rënda, që do të provokojnë, tek ai, agresivitet më të madh. Kjo do të vazhdojë edhe me shfaqjen e fenomeneve psikopatologjikë, ëndrra të frikshme, imazhe dhe kujtesa të ngulitura, halucinacione, derisa individi të bëhet reagues ndaj vetëpozicionimit të koshiencës së tij. Parimi i tretë i Bankës simbolike: Dinamika e psikikës, e cila nënkupton jo vetëm ngjarjet psikike por edhe ngjarjet e realitetit të jashtëm, është e ndërtuar në një mënyrë të tillë që: -Banka e fshehtë nuk mund të zhdëmtojë dhe të rrëzojë rëndë një individ, nëse atij nuk i krijohet mundësia, më shumë se një herë, për të kuptuar vetëpozicionimin e tij të gabuar së tepërmi, pra me tepri, që është dhe parimi i tretë i Bankës simbolike. Kjo mundësi i krijohet individit, si nëpërmjet strukturimit dhe procedimit të ngjarjeve të realitetit të jashtëm, (ngjarje që ndodhin në kundërshtim me synimet e ditës), ashtu edhe nëpërmjet sinjalizimeve të ëndrrave (ëndërra të ngatërruara të frikshme, me shije të keqe, ëndrra seksuale, etj) të gjendjeve emocionale të këqia, të parandjenjave, të uljes së besimit dhe ikjes së kuptimit të jetës, të ankthit të tepruar, sëmundjeve, keqkuptimeve,etj.
Banka e fshehtë kryen veprime dhe në drejtim të kundërt. Ajo përllogarit fatura në "para simbolike", që arkëtohen në llogarinë e individit, pra, që konsiderohen si shtim i "parasë simbolike" të tij. Kjo ndodh kur pozicionimi psikik i individit në rrjedhën e ngjarjeve të realitetit është vetëzhdëmtues, që do të thotë ulje e agresivitetit dhe e vetëshijimit, ndërkohë që momenti dhe ngjarjet paraqiten të tilla, që i nxisin ato për të qenë në nivele të larta. Shtimi i "parasë simbolike" shfaqet si fuqizim i aktivitetit psikik; fuqizim i besimit, i ekuilibrit, i qartësisë dhe i energjisë për kapërcimin e rrethanave të vështira, fuqizim i natyrës humane, ulje e zilisë dhe e imoralitetit dhe, mbi të gjitha, si fuqizim i kuptimeve në lidhje me misterin dhe praninë hyjnore. Vetëpozicionimi i drejtë i koshiencës, është afrimi ndaj vetes aktive të çliruar, është vendosja e drejtë e besimit. Besim jete në vijimësi, pa ngurtësime. Është koshienca e jetës si përjetësi. Ky pozicion, shpesh konfondohet me aleancat psikike të gabuara, të cilat krijojnë përshtypjen e fuqisë, iluzionin e mbështetjes dhe sigurisë, vetëdijen e mbinjeriut, etj., që, në të vërtetë, s´është veçse identifikimi me Fuqitë e padukshme Aktoriale që, me kalimin e kohës, rezulton vetëuzurpues dhe vetëshkatërues. Ekzistenca e padyshimtë e Bankës Simbolike, lejon të kuptosh se universi i ngjarjeve dhe çdo univers tjetër i perceptueshëm, ka karakter simbolik. Tregon: Pamundësinë, Skllavërinë, Egoizmin, Frikën dhe Mosbesimin e Njeriut aktual, siç paraqitet dhe nga vetë Inkoshienti. Këtë karakter, botës, ia dha vetë njeriu qysh në zanafillë, nëpërmjet aktit të shkëputjes nga vetvetja, njeriut që jeton duke e trajtuar atë, botën, si një objekt kënaqësimarrjeje, si një matës të potencës dhe aftësive të tij. Një pasqyrë, ku ai të mund të kundrohej, duke u zhvendosur kështu nga pozicioni i njeriut aktiv e jetues, në pozicionin e njeriut mendues e të ditur, pozicion i cili shndërrohet, detyrimisht, në pozicionin e të vetëpëlqyerit, pozicion krejtësisht pasiv, i cili e çan rrugën nëpërmjet instiktit të vetëpëlqimit, të vetëdukjes, të superioritetit, që, kur gjatë marshimit për kënaqësi e triumf, e tepron, kthehet kundër vetvetes dhe vetëzhdëmtohet. Në momentet ekstreme të kënaqësi-marrjes, të etjes për posedim dhe të egërsisë, ai kafshon vetveten.
Hija

Karl Gustav Jung në shkrimin e tij të famshëm "Hija dhe Anima - Animus", thotë: "Kur përshtatshmëria e një individi është e dobët, ai do të gllabërohet prej efekteve të emocioneve, të cilat nxjerrin në pah edhe arsyen e kësaj përshtatshmërie të dobët, që është një nivel i ulët i personalitetit dhe një farë shkalle inferioriteti. Në këtë nivel të ulët të personalitetit, me emocione të pakontrolluara, ose të keqkontrolluara, individi sillet pak a shumë si primitiv dhe nuk është vetëm një viktime pasive e këtyre efekteve emocionale, por edhe i paaftë për gjykim moral...".

Në këto raste, njeriu gllabërohet prej Hijes, që, sipas Jung-ut, është ajo pjesë e personalitetit të pavetëdijshëm, si një vete-tjetër, që ndërhyn tek individi koshient, e përbërë nga karakteristikat më të errëta, nga inferioritetet më destruktive, me natyrë emocionale, duke qenë e pajisur kështu, për pasojë, me veti obsesive ose poseduese kundrejt individit. Në zhargonin tonë të përditshëm, hija, veç të tjerave, është pikërisht ajo që cilësohet, kur thuhet: "ai është bërë hije", ose: "ai është bërë me hije", ose  më tej akoma: "ai ka shkelur  hije",  "atij i del një hije", etj. Sipas Jung-ut, hija, në masën më të madhe, është përbërëse e pavetëdijes individuale, apo e fituar gjatë jetës së personit dhe, në një masë më të vogël, është përbërëse e pavetëdijes kolektive, apo arketip, që do të thotë një model i përbashkët për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga koha dhe vendi, që ushtron influencë te mendimet dhe sjelljet e njeriut, në një mënyrë të pavetdijëshme, që shfaqet në ëndrra, në vizione, në haluçinacione, në fantazitë krijuese, etj., i pandryshueshëm, i trashëguar, i pranishëm që prej fillimit të vetë jetës, ashtu si edhe Anima-Animus. Jung-u thotë: "Arketipet, modelet fillestare të përbashkëta për gjithë njerëzit, po t´i gjykosh nga pikpamja empirike, janë pikërisht ato që ndikojnë më së shumti mbi personalitetin. Më i pranishmi dhe më i lehti ndër to, për t´u provuar, është hija, sepse natyra e saj, në masën më të madhe, mund të mbartet nga përbërësit e pavetëdijes individuale". Për të kuptuar më qartë se çfarë ka parasysh K.G.Jung, me termin Hija, po japim shembullin e mëposhtëm:

Një person qëndron përpara hyrjes së ndërtesës së një institucioni. Pastaj, hezitues, fillon të ngjisë shkallët, duke parë në sy çdo njeri që hyn e del nga institucioni. Ndihet i pasigurtë dhe ka përshtypjen se po bën një veprim jo të natyrshëm dhe, se secili që kalon do t´i drejtohet duke i thënë se ç´kërkon ai aty, ndërkohë që kalimtarët, të zënë me punët e tyre, ndoshta, as që e venë re. Ai, pothuajse secilit që, duke hyrë ose duke dalë, kalon pranë tij, i buzëqesh në një mënyrë intime dhe domethënëse, sikur e njeh, ose, sikur tjetri do ta pyeste se si i kishte nga shtëpia. Ngjit shkallët me hapa të avashtë, që të bëjë sa më pak zhurmë dhe, u hap rrugën të tjerëve, duke u mënjanuar anash, në një mënyrë të panevojshme, duke qëndruar palëvizur, deri sa tjetri të kalojë. Në një moment, ndalon pranë dikujt, i cili zbret shkallët me hap të shpejtë, duke mbajtur një cigare në dorë, nxjerr një shkrepse dhe e fton për të ndezur cigaren, pastaj dëshiron ta pyesë se si i ka punët. Gjatë shkallares, fik një dritë që kish qëlluar e ndezur dhe i thotë dikujt pranë tij: "Gjynah që harxhohet kot!". Harron të pyesë se ku është X zyrë, për të cilën edhe ka ardhur. Sapo vendos të pyesë dikë, topitet dhe ndërron mëndje. Nuk është më ai i përditshmi, siç paraqitet zakonisht në ambientet e tij, ose me njerëzit e afërt, i gjallë, i zgjuar, urdhërues. Eshtë i transfiguruar në një Hije, ose, siç thuhet edhe ndryshe, është bërë me Hije. Në korridorin e katit të parë, i bën përshtypje tavani shumë i lartë dhe këtë dëshiron t´ua bëjë të ditur dy të tjerëve që, po rrinë pak më tutje, duke pritur.

Duket, se ka harruar ku ndodhet dhe për ç´qëllim ka ardhur. Eshtë krejt i habitur dhe intelekti pothuajse nuk i funksionon. Në mendjen e tij gjithçka; njerëzit, shkallët, dyert etj., projektohen si një realitet tjetër, që e çudit, dhe, vetë Institucioni, jo si një vend, ku ai ka ardhur thjesht për të mbaruar një punë dhe për të ikur, por si diçka tjetër që e çorienton. I afrohet një gruaje me kovë në dorë, duke e gjetur më të përshtatshme si shërbyese që ishte, për ta pyetur. Ajo e adreson te një burrë, i cili po rrinte me pamje të rëndë, poshtë, në fillim të shkallëve. Bën sikur i afrohet atij, pastaj kthehet shpejt në drejtim të daljes, duke demonstruar se ka harruar, diku, diçka që duhet ta marrë. Largohet, dhe atë ditë nuk kthehet më.

Ky person, siç shihet, e ka të vështirë të përshtatet me ambientet e Institucionit, të vendosë marrëdhënie konkrete, pa ngarkesa emocionale me ato, sipas qëllimit dhe arësyes reale, për të cilat ndodhet aty. Ai e ka të pamundur të mos bjerë viktimë e një hijeje të stërmadhe, që del prej pavetëdijes së tij, që e zëvëndëson atë dhe i paraqet objektet e jashtme sipas përshtypjeve të tij inkoshiente, të deformuara, tiranike, të formuara tek ai gjatë kohës, sipas informacioneve, sensacioneve, interesave dhe imazheve të tij në lidhje me Institucionin.

Jung-u sqaron, se hija përbën një problem moral, të tillë që sfidon gjithë personalitetin, sepse askush nuk mund të bëhet i vetëdijshëm për të, pa përpjekje morale të konsiderueshme. Të bëhesh i vetëdijshëm për hijen, do të thotë të njohësh aspektet e errëta të vetvetes si reale, prezente dhe si një potencial destruktiv i përhershëm. Pikërisht ky akt është edhe kondita themelore për çdo lloj vetënjohje dhe, si i tillë, do të ndeshet, si rregull, me një rezistencë të konsiderushme, shkaqet e të cilës do të sqarohen më poshtë.

"Me të vërtetë, vetënjohja, si një masë terapeutike, shpesh kërkon një punë shumë të kujdesshme, dhe, që shtrihet në një periudhë kohe të gjatë" - thekson Jung-u. Siç u tha më lart, njeriu mund të bëhet i vetëdijshëm për hijen, pra edhe mund ta konstatojë atë, kur ajo nuk shfaqet si arketip, por si një përbërës i pavetëdijes individuale, i krijuar brenda jetës së personit. Në rastin kur hija shfaqet, tek individi, si arketip, si pjesëtare e pavetëdijes kolektive, do të ishte shumë larg prej së vetëdijshmes, pra, nuk do të mund të ndërgjegjësohej. Në rrethana normale, individi nuk do të mund ta distanconte atë nga vetvetja, që të mund ta dallonte dhe ta kuptonte. Madje, ky rast do të ishte një përvojë e rrallë dhe me shumë pasoja për individin. Por, ajo mund të ndërgjegjësohet dhe të kuptohet, kur shfaqet si përmbajtje e pavetëdijes individuale, që do të thotë se, njeriu, në një kohë të mëparshme, gjatë jetës së tij, ka dalluar te vetja një gjendje të caktuar psikologjike dhe emocionale, duke konstatuar edhe shkaqet e saj, por, më vonë, ai mësohet me këtë gjendje, s'ia vë më veshin dhe, ajo, tani do t´i ndodhë atij vetvetiu, në një mënyrë të pavetëdishme dhe spontane.

P.sh., në rrethana të caktuara të jetës, njeriu është i vetëdishëm për emocionin, tërheqjen apo frikën që i ngjall dikush, një vend i caktuar, një objekt apo fenomen natyror, etj., dhe është i qartë edhe për shkakun e kësaj gjendjeje emocionale, por, më vonë, duke qenë e harruar prej tij, ajo gjendje do t´i ndodhë, mjafton që të përsëriten rrethanat, në një mënyrë të pa zotërueshme, si një frikë, ngjyrim, kujtesë emocionale, etj., e pavetëdishme. Pikërisht, kjo lloj gjendjeje psikologjike, e cila ka të bëjë me hijen e fituar gjatë jetës, sipas Jung-ut, mund të ndërgjegjësohet nëpërmjet vullnetit, kthjellimit dhe një pune këmbëngulëse, të asimilohet në një farë mase nga personaliteti koshient. Por, sqaron Jung-u, ndonëse nëpërmjet kthjellimit dhe vullnetit koshient, njeriu mund të shpëtojë prej hijes,  përvoja tregon se janë disa tipare të hijes, të cilat ofrojnë një rezistencë këmbëngulëse ndaj kontrollit moral të individit dhe që janë të pandikueshme prej këtij kontrolli, sado insistues të jetë ky. Këto rezistenca, zakonisht lidhen me "projeksionet", që nuk njihen si të tilla nga individi, por që merren si të vërteta dhe reale. Njohja e tyre përbën një arritje të jashtëzakonshme. Disa veti të hijes, mund të njihen si të tilla pa ndonjë vështirësi të madhe, por, në këtë rast, kthjellimi, kuptimi i qartë i problemit dhe vullneti, bëhen të pavlefshëm, sepse, shkaku i emocionit, i iluzionit, i fanitjes, etj., gjendet, jashtë çdo dyshimi, te një objekt tjetër, person tjetër, situatë e jashtme, etj. Është e vërtetë se, një vëzhgues neutral, një person i tretë, i kupton me lehtësi projeksionet fanitëse dhe iluzionet në lidhje me një objekt, me një person, me një rrethanë, etj., të një njeriu, por, ka shumë pak gjasa që, vetë ky njeri, t´i kuptojë ato si të tilla. Përkundrazi, ky do të ngulë këmbë me kryeneçësi, se i kupton drejt gjërat, se është i vetëdishëm, se të tjerët nuk e kuptojnë, etj.

Është e domosdoshme që, ky njeri, përpara se të tentojë të tërheqë projeksionet e tij me tone emocionale nga objekti i tyre, pra, përpara se të bëhet i aftë të vendosë marrëdhënie reale me objektin, duhet të  bindet se, vetë ai  lëshon një hije shumë të gjatë. Jung-u sqaron se nuk është vetëdija ai subjekt që e bën projeksionin, por është pavetëdija. Kështu, njeriu ndeshet me projeksionin, por nuk e prodhon atë, prandaj dhe e ka të vështirë për ta konstatuar. Meqë është kështu, nëse një individ çfarëdo nuk është i prirur vazhdimisht për të njohur projeksionet e tij, atëhere faktori projeksion-bërës, pavetëdija, ka dorë të lirë për të realizuar objektin e vet, nëse ka një të tillë, ose, nëse nuk ka, do të gjejë patjetër, një ditë, ndonjë situatë tjetër, ku të shfaqë fuqinë e vet karakteristike, projeksion-bërës.

Përgjithësisht, këta individë janë të pakënaqur nga jeta dhe nga rrethanat e tyre. Ata, duke pritur rrethana të tjera dhe një realitet tjetër, i lenë shteg të lirë, pavetëdijes, të lëshojë hijen, një personalitet pasiv, iluziv dhe destruktiv, i cili i shkëput ato nga bota, duke i gjetur asaj gjithmonë kleçka për t´iu kundërvënë, se gjoja çdo gjë nuk do t´ia vlente dhe do të ishte pa dobi, etj. Jung-u tregon, se një pacient 45 vjeçar, i cili vuante nga një neurozë kompulsive që në moshën 20 vjeç dhe që ishte shkëputur tërësisht nga bota reale, i thotë një ditë: "Kurrë nuk do ta pranoja se kam humbur 25 vitet më të mira të jetë sime!".

"Pasojat e projeksioneve, -sqaron Jung-u, -janë izolimi i subjektit nga mejdisi i tij, meqë, në vend të marrëdhënieve reale me këtë mejdis, tani do të ketë vetëm marrëdhënie iluzore. Projeksionet do ta ndryshojnë dhe do ta paraqesin botën sipas anës së panjohur të vetë individit. Prandaj, në analizë të fundit, ato çojnë në një gjendje veterotike, ose autistike, gjendje mendore ku realiteti nuk përfillet, në të cilën individi ëndërron një botë ku realiteti mbetet gjithnjë i paarritshëm.

Rezultati i ndjenjës së pamjaftueshmërisë, së mosplotësisë dhe, akoma më keq, i ndjesisë së shterpësisë, do të shpegohej prej tij me projeksionin - dashakeqësi e mjedisit ndaj tij, dhe, kështu, izolimi do të intensifikohej. Sa më tepër projeksione të presojnë midis individit dhe mjedisit, aq më e vështirë bëhet, për të, të shohë përmes iluzioneve. Shpesh, është tragjike të shikosh sesi e shkatërron një njeri jetën e tij dhe jetën e atyre që e rrethojnë, duke mbetur krejt i paaftë për të kuptuar sesi gjithë tragjedia buron nga ai vetë dhe sesi, ai, vazhdon ta ushqejë këtë tragjedi dhe ta mbajë, përditë, të gjallë. Natyrisht, jo me vetëdije, sepse me vetëdije ai është i angazhuar në ankime dhe sharje ndaj kësaj bote të pabesë, që mbetet larg e më larg, në distancë. Por, në të vërtetë, është një faktor i pavetëdijshëm te ai, që thurr iluzonet, të cilat veshin botën e tij. Dhe, ajo që thuret, s´është gjë tjetër veçse një mëshikëz që, më në fund, do t'a mbulojë të tërin".

Natyra e hijes është e tillë që, sa më shumë individi tregohet neglizhent për ta kuptuar dhe për ta shmangur, sa më i fjetur të jetë ai ndaj kontrollit të fiksimeve, paragjykimeve, gjendjeve emocionale ekstreme dhe frenuese, ose eksituese, aq më shumë, ajo, si një frymë e gjallë, koshiente dhe destruktive, synon t'a shtrijë vetveten, duke gjetur objekte të reja për t´i paraqitur të deformuara dhe të ndryshuara, si p.sh., të frikshme, armiqësore, ose tërheqëse dhe të dobishme jashtë logjikës, në një mënyrë obsesive, me qëllim që ta izolojë individin nga jeta reale, ose nga të kuptuarit në mënyrë të arsyeshme të realitetit, derisa, një ditë, shndërrohet në psikozë dhe haluçinacion, për ta mbajtur individin krejtësisht nën pushtetin dhe diktatin e vet.

Është pikërisht hija që, në kushte të veçanta, realizon me njeriun komunikime speciale nëpërmjet imazheve, mendimeve, zërave, etj. Në këtë rast, njeriu, me anë të këtij personaliteti iluzor, të dhunshëm dhe kryeneç, në mënyrë të pavetëdijshme, justifikon dhe përligj mosrealizimin e personalitetit të vërtetë dhe real, të cilin nuk ka mundur ta krijojë nëpërmjet marrëdhënieve të arsyeshme dhe të moralshme me vetveten dhe me të jashtmen. Progresi i mëtejshëm i hijes, si rezultat i kryeneçësisë, i këmbënguljes së paarsyeshme, i mungesës së vetëkontrollit dhe refleksionit nga ana e individit, hap pas hapi, sjell zënien e vetëdijes dhe katandisjen e tij në lodër, në dorë të fiksimeve, mendimeve obsesive, dyshimeve torturuese, si dhe fanitjeve irracionale, veprimit të ëndrrave, shenjave domethënëse, simboleve, etj., të cilat, siç do të shihet në shembullin e mëposhtëm, fitojnë energji dhe fuqi imponuese, në rastin e një personi të rënë, pa energjinë e logjikës reale dhe pa energjinë e besimit konstruktiv.

Një person rreth 38 vjeç, që vuante nga fiksimet, tregon se, dyshonte prej kohësh që e shoqja e tradhtonte. Megjithëse nuk kishte as edhe një fakt real, ku të mbështeste dyshimin e tij, ai ishte i sigurtë për tradhëtinë e saj, dhe kjo e cfiliste dhe e bënte të vuante aq shumë sa thoshte se, nuk gjente zgjidhje tjetër, përveçse të vriste atë dhe veten, për të shpëtuar nga dhimbjet dhe tmerri i dyshimeve, duke mos menduar as për djalin 5 vjeçar, që do të mbetej pa prindër.Ai sqaron se, shpesh, ndonëse e dinte që gruan e kishte lënë në shtëpi, sapo dilte në rrugë për të shkuar në punë, i fiksohej se do ta haste diku, duke ikur fshehurazi, për të takuar të dashurin e saj. Një ditë, në një gjendje të tensionuar dhe të rraskapitur psikologjike, një zë, si një fishkëllimë ere, i kishte pëshpëritur në vesh, duke i thënë se e shoqja ishte nisur në plazhin e Durrësit, me të dashurin e saj.

Pa e zgjatur, niset në plazh dhe e kërkon atje, duke bredhur gjithë ditën, deri mbasdite, pa konstatuar asgjë. Pavarësisht nga ky fakt, kthehet në shtëpi i mbarsur me fiksime e dyshime të reja. Besonte se do ta gjente të mbyllur aty me X- in, një shefin e saj. Përpiqet të hapë derën, por ajo nuk hapej. Në çast, kishte menduar se e shoqja e kishte mbyllur derën nga brenda dhe e kishte lënë çelësin në derë, gjë që nuk kishte ndodhur herë të tjera. Dyshimet që e kishin torturuar aq kohë, sipas thënies së tij, tani, u vërtetuan plotësisht. Vendosi të realizojë vrasjen, sapo të hynte brenda. E shoqja, i hap derën, duke e sqaruar se dera kishte qenë e hapur dhe se ai, më kot, e kishte shtyrë, duke trokitur fort. Në të vërtetë, dera kishte qenë e hapur, por ai nuk e pranonte këtë.

Pasi hyri në shtëpi, kontrolloi me imtësi dhe pastaj u fut në guzhinë, gjithmonë me mendimin e aktit të vrasjes. Aty, ulur në divan, shikon djalin 5 vjeçar me një majmun të verdhë në dorë. I fanitet ideja se e shoqja ia kishte dhënë majmunin e verdhë djalit për t´i lënë atij të kuptojë se ato që mendonte ai, në lidhje me tradhëtinë e saj, s´ishin të vërteta, por vetëm ndjenja xhelozie. Ky mendim, tregon ai, sikur e çliroi pak. Pastaj, kishte vënë re se e shoqja kishte veshur një fustan të verdhë dhe përsëri i fanitet ideja se ajo qe veshur me fustanin e verdhë për t´i treguar atij se ato që mendonte ai nuk ishin të vërteta, por krijoheshin vetëm nga xhelozia. Sipas tij, ky fakt i dytë, e kishte çliruar plotësisht dhe ai kishte hequr dorë, të paktën për momentin, nga mendimi i vrasjes.

Duhet sqaruar se, majmunin e verdhë me të cilin luante i biri, si edhe fustanin e verdhë të veshur nga e shoqja, ai i kishte parë shumë e shumë herë, por, pikërisht atë mbrëmje, ato i faniteshin me një kuptim të caktuar simbolik. (Ai kishte dëgjuar se ngjyra e verdhë tregonte xhelozi). Ky person, në gjendjen e tij kryeneçe, mosbesuese dhe të paarsyeshme, i jep hijes mundësi të fitojë pushtet në të gjitha veprimet e tij koshiente, të thurë tek ai një merimangë psikike destruktive, e cila, në rastin e tij, por edhe në përgjithësi, karakterizohet prej këtyre tipareve; nga pulsimi i agresivitetit dhe i pëlqimit ekstrem të vetes, nga flashkja e besimit dhe dyshimi jonormal, nga stimuli dhe impulsi që i jep orientimit të individit drejt incidenteve dhe ngjarjeve të rastit, favorizuese të dyshimeve, nga prirja që ajo i jep aktivitetit psikik, drejt obsioneve simbolike, misterioze, ezoterike, etj,. që, jo rrallë, konfondohen me konceptin e Zotit, nga stimulumi i gjendjejve psikike iluzore, të tensionura, në pritje të ndodhjes së diçkaje të keqe, për të cilën dyshohet, të një të keqeje në përgjithësi, ose, të një të mire të papritur, nga inspirimi i hamendjeve të gabuara, sipas të cilave individi është më i zoti se të tjerët, por nuk ka patur kushte, ose nuk do vetë t´i shpalosë aftësitë e tij, ngaqë nuk ia vlen.

Hija, ka vetinë që, incidente apo ngjarje aksidentale, të cilat i përkasin një rrethane të caktuar, duke u përjetuar në një mënyrë të ankthshme, të paarsyeshme, nga individi, t´í shtrijë dhe t´i fanisë si reale edhe për një rrethanë krejtësisht tjetër, për ta mbajtur individin vazhdimisht në tension, dyshues dhe pasiv. Gjithashtu, ajo ka vetinë që, në rastin e një informacion të keq, të cilin një individ e merr në lidhje me njerëz të tjerë, e paraqet të tillë, sikur, nga momenti në moment, do t´i ndodhë edhe atij, ose njerëzve të tij të afërt. Hija, një eksperiencë psikike destruktive të dikurshme, e rikujton dhe e fanit në koshiencë, më vonë, si reale dhe të pranishme, për ta mbajtur individin vazhdimisht në një gjendje mosbesuese, të frikshme dhe të mpirë, që ky individ të mendojë, gabimisht, se rrethanat e tij prezente janë vërtetë të dyshimta, që fshehin një orë të keqe, etj. 

P.sh., personi i mësipërm, pohonte, se i kujtoheshin shumë informacione në lidhje me tradhëtitë bashkëshortore, të cilat i bënin shumë përshtypje dhe që i përpunonte duke i menduar me imtësi dhe me një ndjenjë tmerri. Pikërisht, këto përshtypje emocionale të përjetuara nga ai pa kriter, me një ndjenjë mbytëse dhe të pakontrolluara nga vetëdija, do të shndërroheshin në fakte psikike inkoshiente, në dispozicion të hijes, kundër tij.

Hija e merr materialin e saj nga vetë personi, kur ai nuk është i vetëdijshëm dhe i vëmendshëm në lidhje me motivin, logjikën, masën, intensitetin e ndijimeve, ndjenjave, përjetimeve, dyshimeve, kundërvënieve, afeksioneve, etj., gjatë veprimeve të jetës së përditshme.

Të gjitha faktet psikike, me karakter emocional, kur nuk ndodhin sipas motivit, masës, llogjikës së veprimit që ndodh, apo të aktit konkret të vetëdijshëm, por nga rrëmbimi, spontaneiteti, sugjestioni, etj., nuk do mund të shlyhen, kur veprimi real përfundon, por do të mbeten tek individi, duke u shndërruar në përbërës të pavetëdijshëm të hijes, e cila do t´í rifreskojë dhe do t´i ngjallë, sipas dëshirës së saj, jashtë kontrollit të individit, duke i diktuar këtij vullnetin e saj dominues, regresiv dhe iluziv. Aq më tepër, kjo do të jetë shkatërruese, kur njeriu ka një vetëdije mosbesuese, duke e lënë veten t´i dalë jashtë kontrollit dhe të marrë për të vërteta gjithçka që i fanit hija.

Një person 30 vjeçar, tregonte se e ndiqte nga pas një "diçka", që ai e emërtonte, "të raftë pika". Ajo "diçka" ishte e tillë, që herë i dukej se qëndronte brenda tij dhe herë jashtë tij, duke e ndjekur nga mbrapa. Ai thoshte se, "të raftë pika", ishte një qenie e gjallë, e padukshme, që i shkaktonte shumë andralla gjatë ditës. P.sh., ajo bënte që atij të mos i realizohej asgjë nga ato që mendonte, si edhe i sillte shumë tersllëqe dhe incidente gjatë ditës.

Në fakt, të gjitha ato që tregonte ai, ashtu ndodhnin vërtet. Nga këndvështrimi i tij, atë e ndiqte nga pas një hije, të cilën ai e quante, "të raftë pika". Shprehja, "të raftë pika", për atë, në këtë rast, nuk kishte më kuptimin gjuhësor, të njohur prej të gjithëve. Absolutisht jo. Madje, ai pyeste se çfarë  ishte "të raftë pika". E kishte fjalën, se cila ishte ajo "diçka" që e kishte emrin "të raftë pika". Ose, cila ishte ajo "diçka", që atij i fanitej dhe i krijonte iluzionin e një emri, i cili ishte "të raftë pika". Ai tregoi se, shumë vite më parë, e dëgjonte këtë shprehje, shpesh, në rrethin e tij familjar, me një theksim dhe ton shumë të rëndë, të egër, të tmerrshëm, ndërkohë që ai e kuptonte shumë mirë se kjo mënyrë të theksuari dhe toni, lidheshin me kuptimin e saj të keq. Veç kësaj, ai thoshte se e kishte dëgjuar shprehjen "të raftë pika" edhe mes fjalëve të këngëve, të kënduara me instrumente muzikorë, në vendin e tij të lindjes.

Tashmë, në trurin e tij kishte mbetur një impresion (efekt, përshtypje) i tmerrshëm, keqandjellës, që fanitej me një forme të caktuar frymore, e cila i  qëndronte pranë dhe që e kishte emrin "të raftë pika", e shkëputur krejtësisht prej kontekstit gjuhësor të të folurit të përditshëm, si dhe prej kontekstit të rrethanave konkrete të një marrëdhënieje të caktuar. Tani, "të raft pika", tek ai nuk e merrte kuptimin në mënyrë të natyrshme, sipas analizës së logjikës gjuhësore dhe momentit të dhënë, por sipas një sensacioni të frikshëm, sipas një tingëllimi dhe ngjyrimi  rrëqethës, sipas një fryme të kobshme dhe kanosëse, të ngulitur, të përhershme, pavarësisht nga rrethanat konkrete. Pra, si një qenie e keqe, që e ndiqte nga pas.

Ky person, duke qenë nga natyra shumë mosbesues, si dhe duke mos e njohur problemin, i ka lënë hijes dorë të lirë, të endë, nga arshiva emocionale e dikurshme, e përjetuar pa kriter, si fëmijë që ishte, në vetëdijen e tij, merimangën e saj, teknologjinë e saj destruktive, fanitëse dhe diktuese, të cilën ai e merr për të vërtetë, duke besuar, kështu, gjthçka destruktive dhe shkatërruese, në lidhje me vetveten, duke frenuar dhe neutralizuar gjithë aktivitetin psikik, real dhe konstruktiv.

Sunday, August 10, 2008

Jashtëtokësorët dhe pavetëdija

Ndërkohë që shfaqja e jashtëtokësorëve bëhet gjithnjë e më e shpeshtë në vise të ndryshme të botës, gjithashtu dhe kontakti i tyre me individë të tokës, asgjë përfundimtare s’mund të thuhet rreth natyrës së tyre, vendbanimit dhe qëllimit të dukjes së këtyre vizitorëve misteriozë.


Hipoteza psikoanalitike i trajton ato, UFO – T si « projeksione », apo forma fillestare të një vetëdije kolektive, si arketipa ku unifikohet shpirti individual me atë universal, apo si pika takimi të frymës individuale me atë universale. Ky përkufizim përkon me imazhin e vjetër të njerëzve për Zotin, i cili përfaqësohet nga një rreth, qendra e të cilit është kudo dhe dimensionet e tjera asgjëkund. Ky projeksion, i përbashkët për të gjithë individët e çdo vendi dhe të çdo kohe, një eksperiencë universale e njerëzimit, është i kudondodhur dhe zgjon te njeriu modern ëndrra, vizione, parandjenja. Paraqitet si një rreth, një simbol modern, që formatizon, ruan dhe rregullon tërësinë psikike të individit, njëson kuptimet themelore të mbarë njerëzimit. Pra është uniteti i kuptueshmërisë njerëzore, i cili zë fill me vetëdijen e tij fillestare, kur njeriu nisi të perceptojë, të kuptojë, të mendojë. Të perceptuarit, të ndijuarit, të menduarit, te njeriu i parë kanë ndodhur të mbështetura dhe të inspiruar nga një frymë rregullatore ose nga një matricë dhe jo në mënyrë anarkike. Individi tokësor është i vendosur në një model të përcaktuar kuptueshmërie dhe sipas këtij modeli tek ai merr vlerë, mbi të gjitha, vetekzistenca normale e vetëdijshme e dalluar dhe e ndarë nga ajo anormale. Në të kundërt, njeriu nuk do të mund të kryente edhe veprimin më të thjeshtë, p.sh. një lëvizje krahu, kjo atij do t’i dukej e pakuptimtë. Po ashtu, nuk do mund të ndodhte dhe të konceptohej gjithë rrjedhshmëria e natyrshme dhe e vijueshme, si një zinxhir i pandërprerë i aktivitetit të tij në ambjentin rrethanor. Ky model i kuptueshmërisë së vetvetishme, vetëvepruese te njeriu, i jep kuptim të natyrshëm perceptimit, ndijimeve, instinkteve, besimit dhe të menduarit. Në këtë rast mund të thuhej - Unë kam vetvetiu vetëdijen e normalitetit të vetekzistencës, prandaj dhe mundem të perceptoj dhe të mendoj. Është dituria e fshehtë që lind bashkë me njeriun, qartësia intuitive e fuqisë së lëndës jetësore që vepron te njeriu në mënyrë të vijueshme dhe pandërprere, themeli i njeriut që mendon. Vizioni ufologjik, sipas konceptit të shkollës psikanalitike jungiane (Karl Gustav Jung), është shenjë e një transformimi në pavetëdijen mbarënjerëzore, e cila parandien dhe parashikon ndonjë ngjarje të ardhshme dhe kërkon ta përfshijë në koshiencën dhe kuptimet e vetëdijshme të kohës së sotme. Këto ngjarje të ardhshme, paralajmëruese të të cilave janë shfaqja e UFO-ve, sipas konceptit të psikanalizës jungiane, do të përbënin një transformim total, një përmbysje të traditave të deritanishme të njerëzimit dhe do të krijonin kuptime të reja. Një tronditje të paimagjinueshme të ideve dhe institucioneve të sotme. Modeli i kuptueshmërisë fillestare i trajtësuar, apo i simbolizuar nga dukja e pjatave fluturuese, paraqitet si rifillimi i një stadi, niveli të ri psikik.

Një hipotezë tjetër, ajo përtejtokësore, i konsideron pjatat fluturuese, UFO-t, jashtëgalaktike, manifestim i qenieve inteligjente ndryshe nga lloji njerëzor, për nga natyra psikike dhe fizike. Me një nivel intelektual shumë më të lartë se njeriu i tokës. Nëpërmjet kësaj hipoteze shpjegohet dhe sjellja e tyre prej turisti soditës, të painteresuar të krijojnë marrëdhënie me njeriun tokësor. Kjo hipotezë nënkupton, se në galaktika të tjera dhe në sisteme të tjera yjore, gjenden qytetërime shumë më të përparuara se qytetërimi i botës sonë. Sipas të dhënave që trajtohen si të vërteta, vendbanimi i tyre janë planetët dhe yjësitë e largëta, çfarë deponojnë dhe vetë jashtëtokësorët.

Sipas një hipoteze tjetër, hipotezës ultradimensionale, mendohet se ekziston një univers ekstrakohor dhe ekstrahapësinor paralel me universin tonë të kondicionuar nga hapësira dhe koha. UFOT-t realizojnë një « kapërcim », « dalje » prej universit të tyre, duke u manifestuar në perceptimet tona dhe përsëri depolarizohen, duke « u futur » në dimensionin e tyre. Kjo hipotezë qëndron në harmoni me zbulimet në fushën e subatomikës në lidhje me jo-kohën dhe jo-hapësirën.

Hipoteza tjetër është ajo paranormale. Sipas kësaj hipoteze UFOT-t janë lëndë psikike të pajisura me trup fizik. Ato, kështu, nga objekte prej materie psikike apo frymore, janë të afta të vetëpajisen me trup fizik, pra në objekte të dukshme prej shqisave tona. Si objekte prej lënde frymore, ato janë të afta të influencojnë në psikikën e individit tokësor, duke i diktuar mendime, ndijime, fantazi, parandjenja, ëndrra.

Hipoteza teologjike, është një tjetër hipotezë që është e përafërt me atë paranormale. Sipas kësaj hipoteze UFO-t janë fuqi kozmike, apo autoritete qiellore të padukshme, të afta të marrin pjesë direkt në mendimet e njerëzve. Ato janë ego-ja dhe imagjinata njerëzore, gjithçka që përfshin dituria njerëzore, sido që të jetë e përftuar ajo. Duke folur për këto fuqi kozmike, Pali, njëri nga apostujt e Krishtit tregon se ato, ndërkohë që kanë pushtet mbi njerëzit, ai i cilëson « fuqi ndërhyrëse », që shfaqen si fuqi imagjinuese, ëndërruese, si fuqi që kanalizojnë synimet e ego-s, nuk kanë të bëjnë fare me Mesinë. Është interesant fakti se një shkencëtar amerikan, i pyetur rreth fenomenit të jashtëtokësorëve thotë se, pikësëpari ato duhen pyetur se çfarë mendimi kanë për Jezu Krishtin. Sipas hipotezës teologjike, UFO-t kanë veti të shndërrohen nga qenie me trup frymor në qenie me trup material.

Në përgjithësi, qëndrimi i masës së njerëzve ndaj jashtëtokësorëve mbetet jo reagues ndaj informacioneve lidhur me to. Disa grupe njerëzish parashohin te shfaqja UFO-ve shenjat dhe simbolikën e përfundimit të kësaj epoke, ashtu siç flitet në veprën e famshme të Gjonit, APOKALIPSI. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e njerëzve e përjeton faktin e UFO-ve në mënyrë kalimtare dhe krejtësisht jashtë interesave të përditshmërisë, njëlloj si ndaj ëndrrave, vizioneve, shpirtrave, fenomeneve të tjera paranormalë, si dhe ngjarjeve e dukurive metapsikike (fenomeneve psikike dhe dukurive fizike që s’i përmbahen logjikës shkencore). Këto, të evidentuara dhe trajtuara në mënyrë të pakundërshtueshme edhe prej shkencëtarit dhe fiziologut të shquar frances Sharl Rike, i lauruar me çmim Nobël në mjekësi dhe fiziologji, në veprat, « Traktat metapsikik » dhe « Shqisa jonë e gjashtë ».

Në të vërtetë, pavarësisht nga ekzistenca, nuk njihen prejardhja dhe arsyet e vërteta të shfaqjes së jashtëtokësorëve, ashtu sikundër nuk njihen shkaqet e vërteta të ëndrrave dhe dukurive të tjera përtej diturisë së natyrshme njerëzore. Mos ndoshta jashtëtokësorët janë aspekti i dukshëm i atij aspekti të padukshëm dhe të panjohur, që është pavetëdija jonë dhe si të tillë kanë të drejtë të shfaqen, sepse janë të pranishëm te njeriu tokësor, pavarësisht se ky s’është i vetëdijshëm për këtë fakt ?. Jashtëtokësorët, në kontaktet me njerëzit, rrëfejnë se vijnë nga planetë të tjerë dhe yjësi të largëta, duke treguar shpesh dhe emërtimin e tyre. Ky duket si një truk i tyre, për të ruajtur psikologjinë e njerëzve nga paniku dhe alarmi, duke e ambientizuar atë gradualisht. Gjithashtu, për të krijuar një numër përkrahësish dhe dishepujsh, të cilët praninë e tyre do ta paraqitnin si më të pranueshme dhe më pak konfliktuoze ndaj masës tjetër të njerëzve. Bargav Shri Razhnish në veprën e tij «Unë jam Pragu », tregon se të padukshmit i zgjedhin individët me të cilët kontaktojnë, sipas treguesve psikikë dhe fizikë, që këta të përballojnë normalisht dhe pa çrregullime psikologjike ndërhyrjen e tyre. Për aq sa thonë dhe bëjnë, jashtëtokësorët krijojnë te njerëzit bindjen për supremacinë e tyre në të gjitha fushat, brenda sistemit të dijes dhe imagjinatës së mendjes të njeriut të tokës. Ata vazhdimisht lënë të kuptohet, se kanë pushtet mbi fatin e njerëzve dhe se mund ta drejtojnë atë sipas dëshirës së tyre. Dihet se, në shumë raste, ëndrrat janë të afta të parathonë të ardhmen e një personi, shpesh ato paraqiten si një program i përpiktë dhe i detajuar i së ardhmes. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me parandjenjat, telepatinë, halucinacionet e vërteta, (që nuk kanë të bëjnë me fantazitë dhe përfytyrimet delirante), me parashikimet e individëve të caktuar, nëpërmjet një mekanizmi psikik, tashmë një fakt i vërtetuar pa mëdyshje si ekzistues te njeriu, që është quajtur « ndjeshmëri e fshehtë » (cryptesthésié), ende e pa kategorizuar dhe që nuk i njihet prejardhja.

A kanë lidhje metapsikika mendore, ( aftësia për të marrë njohuri me anë të « ndjeshmërisë së fshehtë », në lidhje me ngjarje të ardhshme ), si dhe metapsikika fizike (dukuri dhe ngjarje fizike jo të zakonshme, jashtë logjikës shkencore) me aktivitetin e jashtëtokësorëve ? Gjithashtu, a është e mundur që njeriu t’u shmanget këtyre parathënieve, të cilat veprojnë në psikologjinë e tij në mënyrë terrorizuese, si veprim i fatalitetit ? A gjendet në psikikën e njeriut një vend, që të jetë i pa sundueshëm dhe i pacenueshëm, prej fuqive mbinjerëzore të panjohura, ose prej fatalitetit ?

Këto pyetje shqetësojnë me të drejtë çdo shpirt njerëzor të kohës së sotme, që gjithnjë e më tepër pllakoset nga diktatet e parathënieve dhe nga frika e ngjarjeve të tjera jo të zakonshme. Në rrethanat aktuale të botës së sotme, që vlon më tepër se kurrë nga konfliktet, fatkeqësitë e natyrës, sëmundjet e pashërueshme, prostitucioni dhe krimi, ideali i njerëzve dhe aspiratat e tyre janë të prirura të përqafojnë atë çfarë aludojnë replikat sporadike të jashtëtokësorët për zhvillime të reja, fe globale, etj.

Psikika e njeriut, nga natyra e saj, është vazhdimisht në një pritje të përhershme të një shpëtimtari, të një mbinjeriu, të një « diçkaje », si një vetëpërmbushje dhe vetëplotësim, si një arritje përfundimtare. Në analizë të fundit, kjo kërkesë ka të bëjë me prirjen e përhershme të njeriut për kënaqësi e vetëshijim, me inaktivitetin dhe praninë e një psikike të paarrirë, që kërkon përjetësisht vetëpërmbushje. Kjo gjendje modulon vetvetiu kureshtjen dhe pritjen e përhershme. Pritet gjithmonë një realitet i ri vetëplotësues, një sundimtar fuqiplotë, një «zot mitik». Synimi i përhershëm për kënaqësi dhe kureshtje të papërballueshme, është motivi dhe mbështetja psikologjike e idhujtarisë dhe e nevojës për vetësundim, për kapje shijimarrëse. Në këtë natyrë të psikikës, apo të shpirtit natyror të njeriut, qëndron kërkesa e pavetëdijshme për një fytyrë unike, shprehëse e karakteristikave më universale e më të plota, simbolike, të thellësive të parrëfyeshme të shpirtit ; plotfuqishmëri, dituri, intimitet, ngjashmëri, jehonë, siguri, forcë. Shpesh përmbajtjen e kësaj fytyre, apo imazhin kozmik, ndërhyrës në pavetëdije, njeriu, instinktivisht, ia bashkëngjit prindërve, të dashurve të tij, individëve që adhuron, etj. Ndonjë religjion, këtë imazh, si figurë e gjallë dhe e pushtetshme në pavetëdijen e çdo individi e identifikon gabimisht me figurën e Jezu Krishtit, ose të Zotit. Gabimisht, sepse një imazh apo figurë e tillë, vetvetiu do të jetë ndërhyrëse te personi i njeriut, do të jetë diktuese për të, do të shndërrohet detyrimisht në një idhull skllavërues, do të cenojë instinktin e jetës së lirë e të pakapur, duke e kthyer këtë në instikt kënaqësi-marrjeje dhe shijim-marrjeje nëpërmjet një marrëdhënieje prostitucionale. Në këto kushte psikologjike të njeriut tokësor, dukja e jashtëtokësorëve shikohet si një thirrje burimore e pavetëdijes për vetëkapje dhe vetësundim. Trajtohet si arritja e një realiteti parapërfytyrues, përtej vetëdijes dhe vetëpërmbushës, ose e një « zoti ». Padyshim që jashtëtokësorët e njohin shumë mirë psikologjinë, egon dhe imagjinatën e njeriut të tokës, gjithashtu iluzionin dhe pasigurinë e tij ndaj të ardhmes, frikën ndaj vdekjes dhe ndjenjën e tij të fatalitetit. Përveç kësaj, në kohën e sotme, njerëzimi nëpërmjet stadit të arritjeve në fusha të ndryshme të dijes ka ravijëzuar në mënyrë të dukshme drejtimet e proceseve të njohjes, njeh mundësitë dhe pamundësitë e tij dhe është në gjendje, nga kjo, të jetë i vetëdijshëm për inferioritetet e tij. Ka një koncept të

qartë për rrugët e befta dhe shkallëzimet e errëta e të paklasifikuara të njohjes, pavarësisht nga bollëku i saj aktual. Kështu, nga njëra anë, kontakti më i gjerë me jashtëtokësorët në të ardhmen do të jetë më i kuptueshëm dhe më i realizueshëm nga ana psikologjike dhe nga ana tjetër do të sigurojë supremacinë dhe diktatin e tyre të padiskutueshëm. Arritjet e derisotme të njerëzimit, si dhe çfarëdolloj arritje kulturore qoftë, s’mund të dalë kurrë jashtë metrit, njësisë matëse, të imagjinatës, fantazisë, të asaj që përftohet në ëndrra apo halucinacione, pra jashtë mundësisë së mendjes të vetëdijshme apo të pavetëdijshme njerëzore. Ky fakt do të vendoste një emërues të përbashkët të njerëzimit me jashtëtokësorët dhe do të paraqitej si një përmbushje e ëndrrës, si një mundësi e pavetëdijes për t’u shndërruar në një realitet të vetëdijshëm dhe të dukshëm. Në këtë kuptim nuk do të ndodhte asgjë që të mos ishte paraparë nga mendja njerëzore edhe pse nëpërmjet pjesës së saj të pavetëdijshme. Është fjala për një masë psikike gjithmonë të njohur dhe të konceptueshme për njeriun, e cila dikur në fillesë ka qenë e vetëdijshme dhe e dukshme, ndërsa më vonë është përçuar në pavetëdije dhe qëndron aty si një kërkesë instinktive, e pavullnetshme, dhe që tani del përsëri në formën e dukshme. Është jehona e lashtë, kënaqësia e imazhit përmbushës. Bashkëbiseduesi i fshehtë, diçka e përafërt me atë që Zhak Lakan (psikanalist i shquar francez) e emërton l’Autre (Tjetri), si vendi simbolik, si një figurë kriter, përngjasuese, që vlerëson e magjeps dhe njëkohësisht idhujtaria totale. Shpesh ky imazh trajtohet si imazhi i Zotit. Është më se e vërtetë, se në thellësitë e pavetëdijes, një figurë e tillë është e pranishme dhe se psikanaliza jungiane e ka emërtuar « Plaku i ditur », të cilin njerëzit e shohin në ëndrra, halucinacione, ose përfytyrime të pavullnetshme të ngulitura, që mëson, vlerëson e udhëzon. Pra midis njeriut dhe vetes së tij të natyrshme gjendet një mospërputhje, një mosvijueshmëri, pra, një konflikt. Në të vërtetë midis njeriut dhe zotit nuk krijohet as mospërputhje, as konflikt, as mosvijueshmëri. Përkundrazi, vijueshmëria, integriteti, pacenueshmëria prej çdo fuqie tjetër ndërhyrëse tokësore e jashtëtokësore, realizohet nga Zoti. Gjoni, autori i Apokalipsit, në Zbulesën e tij bën një karakterizim të tillë : « Ai ishte, tani nuk është më, ndonëse është, papritur do të shfaqet përsëri, e nuk do të jetë më ». Aludon kështu për një personazh, i cili dikur njihej prej njeriut në mënyrë të dukshme e të vetëdijshme, që më vonë s’ishte më, por që vepronte nëpërmjet pavetëdijes e që pak kohë para fundit do të shfaqet përsëri si i dukshëm dhe nuk do të jetë më.