Friday, October 17, 2008

Edhe Ëndrrat gënjejnë
“Triumfi i Brunës”

Bruna, një vajzë 20 vjeçe studente e vitit të dytë në Fakultetin X…,inteligjente e me pamje shumë tërheqëse, vazhdimisht ndjehej si e përkëdhelur nga fati. Rritur në një mjedis familjar gjithë përkujdesje, ajo s’kishte provuar veçse përkëdheljet edhe fjalët e ëmbla. Përgjithësisht, qe mësuar t’i plotësohej çdo dëshirë, madje dhe trillet. Megjithatë, nëpër ambiente tërhiqte vëmendjen dhe admirimin e të tjerëve. Shpesh, provonte një ndjesi të veçantë, një jehonë, një shndritje ledhatuese, rreth vetvetes, që e ndiqte ngado, një prani mbrojtëse, të përngjashme me diçka të njohur por të papërcaktuar, që i’a bënte gjërat e botës më ndjellëse e më të afërta. Kjo gjë, siç thoshte dhe ajo vetë, e lumturonte, e shtynte të hidhej në krahët e jetës e të pikaste se sendet përreth ishin shumë familjare dhe mbartnin shpirtin e përjetësisë. Megjithatë, ajo kishte gjithë një botë të brendshme, shpirtin, ende të panjohur për vetë atë. Kur bisedonte, në mënyrën si lëvizte trupin, si fliste, si e mbante kokën e si i paraqiste duart, ndjehej e ditshme, sikur kuptonte gjithçka, përveç se vetndijohej e bukur dhe gjithë elegancë. Gjatë ditës nuk ishin të pakta rastet, kur ndjente në thellësi të vetvetes diçka që nuk shkonte, që e irritonte, e pikëllonte pa ndonjë shkak që ta kuptonte, siç shprehej Bruna. Kishte çaste që ndjehej e rraskapitur. Pikaste një kontrast të madh në gjendjet emocionale të vetvetes. Herë, herë e kapte një si makth dhe jeta i dukej e shkretë, pa asnjë vlerë.

Ky realitet i dyfishtë, i papërputhur me kërkesat emocionale të pavetëdijshme, ose të vetëdijshme, shkakton te njerëzit në përgjithësi, veçanërisht tek seksi femër, ndjesi mospëlqimi e reaksione të panjohura, të çuditshme, deri në shpërthime agresiviteti të paarsyeshme. Aq më tepër tek natyra e Brunës, e mbushur me përshtypje e kapricio që i’a bënin kuptimin e realitetit shumë të vështirë e të mundimshëm. P.sh., ajo nuk ishte e aftë të vlerësonte e të kuptonte ndryshimin midis një njeriu që i shkaktonte asaj emocione dhe ajo e pëlqente, nga një tjetër që, në fakt, i kuptonte realisht gjërat që kishte para sysh, duke vendosur me to një komunikim të drejtë e duke krijuar një relacion në masën e duhur. Për Brunën, ajo që i pëlqente asaj dhe i përçonte ndjesi dhe efekte, imazhe e ngjyrime, etj., ishte inteligjente dhe e respektueshme...!!! ajo krijonte kështu mitin e simbolin e saj në një rrugë inkoshiente e krejt të gabuar. Duke u robëruar prej iluzioneve pa e kuptuar.

Njeriu, për të përcaktuar pozicionin e vetes ndaj vetvetes, duke thënë – “Unë jam ky”, për të përcaktuar aktivitetin shoqëror, ose veprime të tjera të jetës së përditshme, shpesh i referohet gabimisht një mjegullie të ngjyrshme e rrezatuese, e cila e ndjek atë qysh prej fëmijërisë. Bile mund të ndodhë dhe këto s’janë raste të pakta, që edhe në moshë shumë të rritur, ai të mos shkëputet prej sajë, duke u ndjerë, më vonë, nga kontrasti me të, i pafat, i dështuar, me shumë pengje e mosrealizime, duke mbetur gjithë jetën i pakënaqur e duke mallkuar fatin e tij...(!). Kjo jehonë, si një muzikë grishëse, realizon në psikologjinë e personit një zhvendosje të vetëdijes në një pozicion të paaftë për të nuancuar dhe kuptuar realitetin, për të vepruar në mënyrë konkrete e të drejtë, dhe e nxit individin të kapet nga mendime të pakuptimta, por që atij i faniten si reale dhe plot zgjuarsi. Personi kapet në këtë rrugë nga kurthi i ndjesive të superioritetit e të triumfit, të cilat bëjnë që të ndërpritet tek individi vijueshmëria dhe rrjedhja e jetës së lirë që e ngop njeriun me ngjyrime reale e të thjeshta ; të vërteta. Aq më tëpër, ndjenja e superioritetit dhe triumfit, bëjnë të presohen e të shtypen ndjenjat e vërteta të jetuarit e të poezisë së jetës. Çfarë është e keqja më e madhe ato kërkojnë ta mekanizojnë jetën e njeriut, ta modifikojnë me ndjesi të sforcuara, të manipuluara, praj nga shkaktohet tek individi një gjendje e nderë emocionale, e stresuar, plot ndjesi seksuale të pakontrolluara, irrituese e rraskapitëse. Ato krijojnë një gjendje pangopësie dhe urie seksuale jo reale dhe patologjike. Individi pushtohet nga mania për të përdorur fjalë të pista në drejtimin e aspekteve seksuale. Këto gjendje jo pak herë përfundojnë në neuroza seksuale, (mosndjesi seksuale të niveleve të ndryshme, deri në mosndjesi të plotë seksuale), sidomos në rastin e femrave, që pastaj këtë kërkojnë ta kompensojnë e ta nxisin me mënyra, veprime, të folur, maniakale, artificiale, të zmadhuara, grandomanike. Ose më e vogla këto përfundojnë, në gjendje të thella depresive dhe krizash psikologjike. Ose në moskuptime gjithnjë e më të avancuara, në lidhje me marrëdhëniet seksuale dhe sidomos me marrëdhëniet në çift, si në rastin e Brunës tonë.
Në rastin e kundërt, ka natyra njerëzish, që nëpërmjet një qartësie të vetvetishme, të diktuar nga interesat e mbijetesës, i kapërcejnë sa më parë këto kapje marramendëse, të triumfit dhe superioritetit, topitëse dhe frenuese për kuptimin e realitetit.

Veprimi i këtyre individëve, që mund të jetë edhe i vetëdijshëm, buron nga një njohuri e brendshme, instinktive e natyrës së tyre, që e kupton drejtë për drejtë realitetin e jetës dhe mund të shikohet si një “Vetësakrifikim” apo Vullnet Konstruktiv për t’u orientuar në vazhdën e jetës, pa influencat e frymës së bujshme dhe hijeve vezulluese të përftuara nga aspekti emocional dhe pavetëdija.
Në të vërtetë, ky nuk është “Vetësakrifikim”, përkundrazi, pohimi i një personaliteti të drejtë, të aftë për të eliminuar ndërhyrjet iluzore, paqartësitë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një vetëqartësim, që është në gjendje të kuptojë ndarjen ekzistuese midis vetes dhe të jashtmes, vetes dhe të tjerëve. Një natyrë e theksuar emocionale, e paqartë, e vetëlumturuar prej efektit dhe ndjesisë, si prej një llamburime të padukshme, që nuk kupton dhe nuk mund të ndajë ndjesitë e tij normale nga ato të të tjerëve që ndërhyjnë tinës tek ai, shpesh e ka të vështirë të kthjellohet, të njohë realitetin dhe të ndërtojë marrëdhënie të drejta me vetveten dhe me ambjentin e jashtëm.

Ajo që e ndjek njeriun nga pas, si një frymë përkëdhelëse e joshëse, si një “aleate” e padukshme, aq e theksuar dhe improvizuese, sa është vështirë të dallohet e të ndahet, sepse shfaqet si e njëjtë me vetveten dhe e bën gati të pamundur shkëputjen praj saj. Ajo nuk mund të ndërgjegjësohet lehtësisht, si një diçka që nuk ka të bëjë me jetën reale, sepse paraqitet vetëkënaqëse, vetëlumturuese, si një arkipelag yjor, që projekton mirëqenien, ekzaltimin, triumfin e përjetshëm...!!!.

Por, shpesh i ngjan një mjegullnaje rrëzëlluese mëngjesore, që fsheh një humnerë !… Jo rrallë, njerëzit kridhen në këtë mjegull, si në detin e jargavanëve, duke hasur më së fundi zhgënjimin dhe dhimbjen e madhe; atë që në jetën e përditshme quhet – “pabesi e jetës”. Në të vërtetë, është fjala më tepër për mungesën e vetëkontrollit, për rrëmbimin dhe pangopësinë njerëzore, e cila kur merr revan jashtë çdo kontrolli, prodhon një marrëdhënie konfuze dhe zhgënjyese.

Bruna mendonte, se bota ishte ajo vetë, prania e imazhit të sajë. Ajo kishte bindjen instinktive, se gjithçka që ndjente dhe konceptonte qe vetë qenia e sajë. Nuk dallonte ndarjen midis vetes dhe frymës ndjesore që e gllabëronte. E dehur, nuk mund të dallonte humnerën midis vete reale dhe ndjesive të trëndafilave të muzgut, që trillonte fantazia e dehur. Nuk kuptonte, se ajo ishte një individ i caktuar në një mjedis real, të dhënë, që s’kishte lidhje me “përjetimin e bruztë emocional” dhe që për të jetuar duhej të ndërtonte marrëdhënie konkrete të vetëdijshme me këtë mjedis.

Që të vendoset një marrëdhënie e drejtë e reale me atë që gjendet jashtë nesh, me të jashtmen, fillimisht është e domosdoshme qartësia për ndarjen që ekziston midis vetes dhe mjedisit që na rrethon. Midis vetes dhe tjetrit. Të jashtmes. Në të kundërt, me kë do të vendoset kjo marrëdhënie? Gjithçka s’do të ishte veçse një marrëzi, një konflikt. Pa realizimin e kësaj ndarjeje, sipas një diferencimi të dallueshëm e të vetëdijshëm, për njeriun do të ishte e pamundur vlerësimi i drejtë i rrethanave të jashtme dhe i pozicionit të tjetrit dhe për pasojë nuk do të ishte e mundur të vendosej një marrëdhënie reale.. Mund të ketë vetëm një lëmsh emocionesh dhe efektesh, që shndërrohen herë në pëlqim e herë në sulm reciprok. Në këtë rast njerëzit ndërhyjnë te njëri tjetri në një mënyrë të pavetëdijshme, duke kënaqur njëri tjetrin; aktet psikike e fizike humbin qartësinë dhe kuptimin. Ky terren psikologjik e emocional ngjiz shtrembërimin e personalitetit, përplasjet absurde dhe zilinë ose afrimin e tepruar pa motiv, dhe më vonë ndarjet e dhunshme, krimin.

Bruna u martua dhe u nda pas tre vjetësh, pasi pat lindur edhe një fëmijë. Ngaqë kishte besuar, se te personi që dashuronte dremiste ëndrra e saj, e përngjashmja me atë vetë, simfonia grishëse e botës, ajo u kap prej një depresioni të thellë që i zgjati mjaft kohë. Me tepër se kujtdo, këtë simfoni grishëse të botës, një femër i’a bashkëngjit atij që dashuron. Bruna nuk kishte dashuruar pikërisht atë, një person me një individualitet të caktuar, që ekzistonte jashtë saj, por fantazinë e sajë, këngën e trilluar prej imagjinatës së saj erotike. Ajo nuk kishte krijuar marrëdhënie konkrete me një person tjetër, të gjallë, por me jehonën që përfton forma sensuale e një mashkulli, që asaj i ngjasonte me oshtimën misterioze dhe magjepse që endej nëpër kohëra…Si vetëtimat pa fillim e pa mbarim...

Në këtë rast nuk mund të njihet personi me të cilin ke të bësh, nuk njihet individualiteti i tij i veçantë. Realizimi i marrëdhënies do të mbetet në stadin e një instinkti të përgjithshëm seksual dhe emocioni në nivelin e një emocioni të pa adresuar individualisht. Ky realitet psikologjik është produkt i vetëlumturisë fëmijërore ende të pa likuiduar nga ashpërsia dhe kërkesat e mbijetesës. Në fund të fundit, është fjala për konceptin e ndarjes së njeriut nga vetja e tij e jashtme, vetëlumturuese, e pavetëdijshme, e cila ka vetinë e ndërhyrjes dhe diktatit ndaj individit real, duke prodhuar “Niagara” fantazish të paqena. Kjo ndarje, që nënkupton distancën psikologjike të njeriut prej jehonave, imazheve dhe vezullimeve erëmirë,, është kushti themelor i vetënjohjes dhe i realizimit të Marrëdhënies Reale të Vetëdijshme me atë që nuk je ti. Nëse kjo nuk do të realizohet nëpërmjet një përpjekje të vetëdijshme të vazhdueshme, atëherë patjetër, ngjarjet e jetës vijnë të tilla, që ndarja nga iluzioni të ndodhë në mënyrë të dhunshme e konfliktuoze, por tani jo midis teje dhe projeksioneve të gabuara, jo reale të vetvetes, por midis teje dhe tjetrit, duke shkaktuar dhimbje. Depresion.

Bruna akuzonte të shoqin, se nuk e kishte kuptuar dhe se sillej keq me të. E vërteta është se tek burri i sajë jetonte një tjetër individ, me natyrën e tij të veçantë, për të cilën ajo nuk bëhej e vetëdijshme. Bruna ishte futur te ai në mënyrë të pavetëdijshme, si një plotësim i pavullnetshëm dhe i egër dëshirash dhe përshtypjesh. Në mos një ditë, një tjetër, ndarja do të ishte e pashmangshme dhe patjetër e dhunshme, pasi dhe bashkimi pat qenë i dhunshëm, i pavetëdijshëm. Ndarja me të shoqin i krijoi asaj përshtypjen ekstreme dhe të kundërt me të fillimit, se jeta nuk e vlente. Në gjendjen e saj të rëndë ajo mendonte për vetëvrasjen.
Duke fanitur dëshirën për të vdekur, vetja proteston ndaj njeriut, duke treguar se diçka tek ai, nuk ka shkuar mirë që prej fillimit dhe pikërisht ndërgjegjësimi për iluzionet dhe personalitetin e rremë.