Wednesday, November 5, 2008

Mbi esenë “Banka Simbolike”

nga Ed Mond Sylar


Autodidakt i organizuar në shkallën sipërore, Kokonozi, (ai nuk qesh vetëm me buzë, por me të gjithë trupin), nuk shpreh asnjë pikë fryrje, mendjemadhësie e skepticizmi puritan. Është nga ata individë, që mund ta krahasojmë me një KOLOMB të epokës sonë në shkencën e psikanalizës . E porsi katër elementët e jetës : Thjeshtësia, Mençuria, Mirësia e Pavarësia – janë virtytet themelore të këtij njeriu super - të ndjeshëm, të ndershëm, e idealist në shkallën më të skajshme. I pajisur me njohuri të habitshme për ato subjekte që i interesojnë, ku super-intelekti i tij nuk buron thjeshtë vetëm nga truri, por përshkohet edhe nga substancat vitale të qenies së tij më të thellë, “shpirtit shtegtues që i shpëton unit”. Jashtë klaneve të shuguruara nga psikologjia bashkëkohore, ai është një “bir” natyral i reminishencës Frojdiane e Jungiane, që duke përfshirë dhe vetveten bashkë me baballarët e psikanalizës përbën shpirtin analitik të një trekëndëshi gjeometrik - që të kujton teoremën e pitagorës, ku shuma e dy kateteve në katror është e barabartë me katrorin e hipotenuzës.
*
Në një epokë ku njerëzia janë të etur për ofiqe; lavdi akademike e artistike, porsi një stoik, në mbrojtje të integritetit të vet ; asnjë posti, asnjë klani e asnjë grade shkencore nuk i tundohet ky shkencëtar shumëdimensional i mendjes e i shpirtit. Pikërisht, në kohën kur nga katedrat lëshohen raketa prestidigjitatorësh, Kokonozi, ky integrist i vetëdijshëm nuk pyet shumë për ”provincializmin” e urisë e babëzisë për grada, tituj, poste, ndere. Metodat didaktike e leksionet pedante e të zellshme të pseudo psikologëve kureshtarë epshorë, ky altruist shpirtëror e i shkujdesur i katedrave ua lë me bujari e moskokëçarje “postierëve”, e “shartuesve” të dijes. Do apo nuk do, ai ndjehet në opozitë, sepse jeton si një Faust, kundruall Mefistove. Por nuk është një luftë vendimtare; nuk është një betejë asgjësuese, pasi gjithë jetën ky shpirt i lirë, i pavarur, u është shmangur forcave ekzibicioniste pseudoshkencore e pseudointelektuale. Këtu edhe triumfon sovraniteti i tij, ku karakterin e natyrës Epikuriane – Kokonozi - e mbron ndaj çdo realiteti metafiziko-dramatik, sepse i mungon krejtësisht ajo materie vetëmohuese subkoshienciale e një Sokrati, i cili me apologjitë e veta çdo konflikt e shtynte drejt një dileme të re e një konflikti të ri.
Ndaj, intelektin e tij të mprehtë si diamant, ai e shikon si diçka shumë të vyer, sepse nëpërmjet tij ai përballon çdo realitet ; pa asnjë kompleks, inferioritet apo superioritet; ai komunikon me botën.
Me dashurinë e Paganinit për violinën, merret pa pushim me stërvitjen, bërjen e zhbërjen e unit shpirtëror e intelektual. Me fanatizëm ruan aftësitë vëzhguese vetiu-analitike të koshiencës e të subkoshiencës. Ruan “shpellën” e fshehtë të thesarit në abisin kantian. Nga librat e bisedat e përditshme me miqtë; poetë, piktorë, përkthyes, shkrimtarë e shkencëtarë Das Wünderschon der erzeltern (beichtvater) (ky rrëfimtar i mrekullueshëm), jep e merr përngaherë furnizime me njohuri e ide të reja, duke ushtruar pareshtur nga poli në pol të dyja skajet e unit e të tjetërunit.
Në saj të këtij vitaliteti, të këtij kalimi nga njëri pol në polin tjetër të unit të vet - e shijon ai fuqinë e tij krijuese e predikuese, ku instinkti i vetëpërsosjes së vazhdueshme e nxit drejt një jete pa dallgë, pa eufori, por ndoshta edhe me kontradikta. Por, ai asnjëherë nuk tronditet prej tyre dhe asnjëherë nuk e përçmon seriozisht dyzimin e atyre që e rrethojnë. Me këta “Happy Few” (të lumturit e pakët) - të dashuruar përjetësisht me shkencat e artet, ndjehet i aklimatizuar, sepse me ta porsi kantist - Mit Reinen Der Vernüfften (me arsyen e kulluar) dhe me hiperndjeshmërinë, e idealizmit pa kufi prek shijen e hidhësin e botës.
Për hiperndjeshmërinë e tij të mistershme, Kokonozi nuk ka mësues tjetër veç vetvetes, pasi pak kush, ndjehet si ai dëshmitar i një meta-realiteti sa natyral aq dhe social edhe intelektual, ku metafizika e tij është gjeometria e një truri jo shumë të stërmunduar nëpër literaturat skolastike, por substancë e kulluar e mendimtarit Voluptas Psychologica. Shprehja që na vjen para gati tremijë vjetësh nga antikiteti : “Njeri, njih vetveten” - ka përshtatjen më të plotë tek individualiteti i tij.
Pasi të përballësh me vetveten është një detyrë që shumica e njerëzve e shmang, ose e shtyn për të mos e bërë kurrë, sepse pas tyre mund të fshihen plagë që mund të dhembin.
*
Sot disa nga zbulimet e teorive të tij paraprirëse janë bërë prej disa vitesh pronë e përbashkët e instituteve perëndimore, ku shumë prej nocioneve të psikologjise analitike që ka formuluar rrjedhin drejt lumit të ngahershëm të përmbushjes.
Njëra nga këto teori, ku Kokonozi i kushton kapituj të veçantë fazave të jetës, është “Banka Simbolike”, vepër e cila me improvizimin e “katrorëve të jetës”, apo “fuqive aktoriale”, nëpërmjet funksioneve të arsyes e imagjinatës, i jep njeriut të epokës sonë idenë e një shoqërie që përpiqet të ndryshojë marrëdhënien midis racionales dhe irracionales, ku mbretëria e kësaj të fundit e përballur dhe e konfliktuar me nevojën për aspektet racionale të jetës shoqërore bëhet një vatër reale e normalitetit dhe e mirëqenies së sigurtë, që sipas autorit mundet të nxisë artin e shpresës së të jetuarit, në një jetë më të mirë - njëlloj si teza e famshme e Wittgensteinit (vitgenshtajnit): “Nur um der hoffnungslosen, willen ist uns die hoffnung gegeben, das in dieser leben” (Vetëm për shkak të mosshpresave, na është dhuruar shpresa në këtë jetë.)
Të shpikësh një univers psikanalize të veçantë, ky është funksioni i misionit të një shkence plot shtigje të pashkelura. Në këtë paraqitje - gjetja e subjekteve të “katrorëve të jetës” te “Banka Simbolike”, është një eksperiment interesant i psikanalistit, psikologjia e të cilit në këtë teori, është një metafizikë, një nocion gjeometrik i një truri me sensibilitet gjigant - një ekzaminim metafiziko-algjebrik i hapësirave të kësaj epoke, proces, që konsiston në “algjebrizimin e katrorëve të jetës” (ekuacionet bazë të akteve jetësore normale të kuptueshme), nëpërmjet operacioneve të pastra e konkrete mendore.

Në aspektin e metafizikës Platonike, natyra algjebrike e staturës biologjike (të instinkteve), priret që të shkrihet në marrëdhënie logjike.
Përveç këtyre interpretimeve, në përkufizimin e Kokonozit për funksionet dhe parimet e “Bankës” - termi “simbol”, është hallka lidhëse brenda realitetit midis “katrorëve të jetës” dhe botëkuptimit (konceptit) për jetë më të arrirë e më inteligjente. Prandaj çdo sentencë, simbol, aforizëm, e metaforë tek “Banka Simbolike”, jep gjithmonë një numër të shumëfishtë botëveprimesh.
Me anën e “katrorëve të jetës”, të këtyre “instrumenteve” gjeometrikë, psikanalisti hap disa nga llozet e drynat më të koklavitur të mekanikës së mendjes si edhe të alkimisë së ndjenjës, të cilët kërkojnë të nxisin artin e të jetuarit, dhe të sugjerojnë se arti i të jetuarit nuk është gjë tjetër veç lufta për jetën, një përpjekje për shpëtimin e qenies, e cila edhe ajo vetë shfaqet vetëshkatërruese nëse sulmohet prej një realiteti tjetër si për shembull Sokrati prej shtetarët e Athinës.
Ky konceptim antagonist, i një realiteti të kërcënuar vazhdimisht nga shkatërrimi, në fund të fundit, përbën një kozmos të psikologut, i cili kërkon të analizojë situatat njerëzore në universin e aftësimit (gjymtyrëzimit) të njeriut, për të bërë një “jetë më të sigurt” në përpjesëtim me masën që eksperienca e një bote reale, nga ana tjetër, ushqen dhe zhvillon prirjet opozitare dhe konfliktuoze të natyrës së jetës.

Autori i “Bankës Simbolike”, ka meritën se i njeh pa shumë vështirësi kushtet materiale e intelektuale të epokës ku jetojmë, si edhe kuantifikimin (kokërrzimin) e “katrorëve të jetës” që zgjerojnë kategoritë e realitetit midis materializmit vulgar, që ngurtësohet e stopon, nga njëra anë, dhe psikofizikës (vijueshmërisë) së mendjes inteligjente ana tjetër.

Diçka ka ndodhur në psikologjinë shkencore të Kokonozit në lidhje me moton “për një jetë më të sigurt”. Kur Njutoni flet për kohën matematike, pa dyshim flet edhe për një kohë të gjithë universit. Kështu edhe Kokonozi kur na flet për “katrorët e jetës”, duket sikur na flet për një jetesë, që rrjedh përmes kohës, duke na kujtuar edhe Tennyson (Tenison), që në një varg shkruan : “Life is floëing in the middle of the time and the night”, (Jeta rrjedh në mes të kohës dhe natës).
Një “duel” i madh zhvillohet tek “Banka Simbolike” - midis lumit të kohës nga njëra anë dhe “katrorëve të jetës”, pasi vetëm koha dhe jeta ekzistojnë. Të gjitha të tjerat s’janë veç Moduse. Secili prej njerëzve që jeton këtë jetë, jeton një seri katrorësh dhe se kjo seri katrorësh është pararendëse me ndodhitë e kaluara, të tashme, madje edhe të ardhme. Të tre këto kohë përbëjnë gati të gjithë materien e “Bankës Simbolike”, ku sigurisht nuk shqipton vetëm arsyeja, por edhe imagjinata, që në këtë vepër merr gjithnjë e më tepër një aspekt empirik.
Ka qenë e njohur prej kohësh, në hipotezat e në eksperimentet në psikanalizë, se imagjinata e kanalizuar në rrugë dhe hapësira të veçanta, mund të bëhet një forcë terapeutike e cila shkon shumë më tepër se shërimi i neurozave, sepse një psikanalize e gjithanshme materiale si “katrorët e jetës“ te “Banka Simbolike”, mund ta drejtojë njeriun e epokës drejt një shtegu jetese pa dëlire e eufori, si edhe e mëson, se në ç’mënyrë ta kufizojë pushtetin e imazheve të cilët përndjekin njerëzit, me qëllim që t’i bëjë këta të vetëdijshëm për nevojat e tyre trupore, frymore, shpirtërore, duke ndërmarrë hapat e duhura në plot shtigje të pashkelura, si dhe i tregon atij se deri ku mund të arrijë mendja njerëzore në dimensionet më avangarde, apo ekstravagante.
Në çastet e perceptimit të ndjesive trupore e shpirtërore ; atë që skolastikët e quajnë me të madhe “Enigma e njeriut”, e që Gete te Fausti e ka quajtur : “Rätsel die leben” (gjëagjëza të jetës”), tek “Banka Simbolike”, këto janë aforizmat e psikanalistit që analizon situata njerëzore, ku eksperienca i nënshtrohet gjykimit. Gjykim që vlerëson moralisht gjithçka e që ngrihet mbi vlerat morale të gjithçkaje. Kokonozi i “ndjek” instinktivisht këto eksperienca, ashtu si arkeologu që përfton mbi copëza shkronjash nga mbishkrimet e një guri, qindra zbulime. Apo si të ishte Haruspisi romak, i cili i shihte të brendshmet e kafshëve për të paraparë fate njerëzish. Intelekti i tij elastik nuk ka nevojë t’i ngjeshë dukuritë e gjykimit me dhunë, për t’i rrasur në shtratin prokrustian të një sistemi, ku uni i tij i idealistit subjektiv në nivelin më të lartë, nuk mundet të shkojë përtej shërimit të plagëve të shoqërisë, që është njëra prej fantazmave që e turbullojnë edhe më tepër botëkuptimin e psikologjisë së tij, në lidhje me dramatizimin e jetës së shqiptarëve, dhe fytyrën reale të kësaj epoke.
Kuantifikimi dramatik i fantazmave të qindra mijërave “katrorëve” që çon në shpjegimin e tyre me termat e strukturave matematike, e shqetëson autorin, sepse ato e shpërndajnë realitetin në të gjitha synimet e “Das Seinde Selbast” (vetëqenies), që pavarësisht se sa konstruktiv mund të jetë roli i subjektit “katror”, si pikë referimi, përllogaritjeje dhe vëzhgimi, ky subjekt nuk mundet të luajë rolin e tij shkencor, si aktor etik, estetik, social e politik, sepse tensioni midis arsyeve të fateve njerëzore nga njëra anë dhe nevojave e dëshirave të tyre nga ana tjetër, ka ekzistuar qysh prej fillimit të mendimit filozofik të shoqërisë dhe si i tillë e ka justifikuar ndrydhjen, madje shtypjen si plotësisht racionale të nevojave njerëzore. Jashtë këtij racionalizmi, pavarësisht se sa mundet ta përcaktojmë objektivitetin e natyrës dhe lidhjeve reciproke midis pjesëve të saj, natyra prapëseprapë nuk mundë të influencojë në aspektin e “qëllimeve finale”, sepse njeriu i sotëm jeton në një botë të vlerave dhe këto vlera të ndara nga realiteti praktiko-pragmatist, në më të shumtën e rasteve bëhen subjektive. Mënyra e vetme për t’i shpëtuar ato nga njëfarë vlefshmërie abstrakte e të padëmshme, duket se është sanksionimi hyjnor metafizik; por një sanksionim i tillë deri më sot nuk është i verifikueshëm, dhe si i tillë nuk është realisht objektiv, pasi vërtet vlerat mundet që të kenë dinjitet të lartë moral e intelektual, mund të jenë të “pranuara e të respektuara” në vetvete, në të drejtën e tyre, porse ato duke lulëzuar veç në skaje të realitetit praktik, përfillen pak në “biznesin” efektiv të jetës. Pikërisht, kjo mospërfshirje në vorbullën e objektivitetit, në shtjellat e interesave praktike të jetës si dhe për shkak të krahinizmit e njëanshmërisë egocentrike që marrin në mënyrë të herëpashershme format sociale të jetës njerëzore, i bëjnë ato fakte të kohezionin shoqëror. Nëse vlerat nuk mundkan të rrjedhin dot as nga kushtet ontologjike, as nga ato racionale, atëherë logjikisht ato nuk mund të pretendojnë vlefshmëri dhe zbatim universal. Prandaj e keqja, padrejtësia kundrejt të varfërve, të ndershmëve e të pafuqishmëve e revolton psikanalistin e mendjeve dhe shpirtrave njerëzorë, të cilët shpirtra në fytyrën reale të kësaj epoke ku jetojmë, kanë nevojë jo vetëm për ndihmë shoqërore e ekonomike, por më tepër edhe për ndihmë psikologjike e psikoterapeutike shumë profesionale. Por shumë prej tyre e kanë të vështirë të përballen me terapeutistë si Kokonozi, për vetë faktin se jo vetëm nuk e dinë sesi funksionon ky proces, por janë dhe të stresuar prej imazhit të gabuar që u është përcjellë mbi klinikat e psikoterapisë.
Në “eksperimente” të panumërta me njerëz të zakontë e të pazakontë - ky “verfolger” (gjyetar-gdhendës), i etur dhe i mirë instruktuar dëshmish psikike e shpirtërore ka pasur përherë mjeshtërinë e durimin të zhbirojë ankthe simptomash neurotike, vegime e dëlire ëndrrash anormale, me pasionin e dashurinë për njeriun. mendërisht të ushtruar e shpirtërisht të kapluar, përpara se ato të kridheshin përsëri në labirintet e koshiencës e të subkoshiencës. Askush nga gjenerata e tij – nuk është kaq pranë problemeve të tyre, të luhatur mes enigmash e kontradiktash të zakonta e të pazakonta, duke mbrujtur enigmat e tyre e duke konservuar kontradiktat e tyre ende të papërfunduara. Pikërisht, kjo e “papërfunduar“ e lë të gjallë tek ne forcën e fshehtë e mirëbërëse të këtij njeriu shumëdimensional. Ky njeri përkthen dhe mjaft poetë neoklasikë, simbolistë, surrealistë, modernë, si edhe krijon poezi në hardiskun e tij të kompjuterit. Veçanërisht poezitë kanë nevojë për një ese me përmasa të tjera. Ato meritojnë vlerësim dhe vëmendje të veçantë, si një prurje interesante në letërsinë bashkëkohore, pasi ekzistojnë me të vërtetë vështirësitë e gjykimeve objektive të vlerave artistike. Sot e në të ardhmen këto poezi, si edhe subjektet psikanalitike njëra prej të cilave edhe “Banka Simbolike” – në kohët që do të vijnë do të jenë : “Coriosity Shop” – duke pritur admiruesit e tyre universalë.