Thursday, September 18, 2008

Banka simbolike dhe metamorfozat e inkoshientit

Banka simbolike dhe aktiviteti jetësor i individit Si çdo aktivitet tjetë, edhe aktiviteti psikik i individit, gjatë jetës së përditshme, bëhet i mundur në saje të një lënde fillestare jetësore, që do ta quajmë "paraja simbolike". Aktiviteti i përditshëm i individit, mund të kuptohet si aktivitet, që herë konsumon kënaqësi dhe herë nuk konsumon kënaqësi, pra, vetëzhdëmtohet. Sipas këtij rregulli, njeriu, gjatë aktivitetit të përditshëm, harxhon monedhë simbolike kur konsumon kënaqësi, ose depoziton "monedhë simbolike" në Bankën e tij të fshehtë, simbolike, sa herë që nuk konsumon kënaqësi. Në bazë të kësaj natyre, të veprimeve jetësore, Banka e fshehtë kryen operacione"bankare", në monedhë simbolike, për llogari të individit. Sipas rastit, shpenzon ose depoziton. "Monedha Simbolike" mund të kuptohet si mundësia për të vepruar e lëndës së lirë jetësore të individit, që ne do ta quajmë Superlëndë.

Formulimet në terma psikike të Superlëndës
Monedha simbolike ose pasuria simbolike, para së gjithash, i siguron individit besimin e vetvetishëm dhe kuptueshmërinë e vetvetishme për të vetqenë dhe për të vepruar në jetë, pa të cilat çdo perceptim, çdo ide dhe çdo lloj eksperience, nuk do të mund të konceptohej dhe nuk do të mund të ndodhte. Eshtë e vështirë, megjithatë, të dallohen, të kuptohen veças, kuptueshmëria e vetvetishme dhe besimi i vetvetishëm, gjatë rrjedhës së jetës së përditshme, pasi ato janë vetë jeta dhe nuk mund të ballafaqohen me kritere të tjera, të njohura prej njeriut, që të mund të bëheshin të dallueshme. Ato janë formulime psikike të Superlëndës. Nuk është e lehtë të kuptohet, se edhe një veprim i thjeshtë, siç është ecja, nuk do të kishte asnjë kuptim dhe nuk do të ndodhte pa besimin e vetvetishëm dhe pa kuptueshmërinë e vetvetishme. Kjo situatë, mund të konstatohet nëpër ëndrra, ku individi ndodh të zhvendoset prej planit të kësaj kuptushmërie dhe nuk ka asnjë koncept, as për veprimin dhe as për një objekt të thjeshtë. Në botën tonë, njeriu gjendet në një pozicion të dhënë kuptueshmërie dhe besimi të vetvetishëm dhe gjithçka që mendon dhe zbulon, nuk mund të dalë jashtë caqeve të këtij vetpozicionimi, rrafshi, ose niveli psikik. Ndryshe, kjo mund të thuhet se, ai është i vendosur brenda një pafundësie të fundme. Por, në këndvështrimin kualitativ, ekzistojnë edhe pozicionime, nivele të tjera të kuptueshmërisë dhe besimit të vetvetishëm. Kjo e vërtetë, mund të kapet nëpër ëndrra, ku njeriu përshkon detra, duke ecur përmbi ujë dhe, këtë veprim, do ta kryejë me natyralitet, pa u çuditur dhe pa u skandalizuar aspak. Kjo ndodh pikërisht kështu sepse individi, në ëndërr, pozicionohet në një plan ose nivel tjetër të kuptueshmërisë dhe besimit të vetvetishëm, të natyrshëm, sipas të cilave veprimi i ecjes përmbi ujë, i inspirohet atij i ndodhshëm, i natyrshëm dhe të gjithë përbërësit e tjerë psikikë si llogjika, normaliteti, etj., do të formohen menjëherë sipas këtij plani ose niveli kuptueshmërie dhe besimi.

Në të vërtetë, nuk do të ishte e drejtë të thuhet, se ky apo ai veprim është jashtë llogjikës apo normales; më e drejtë do të ishte të thuhet se, ky apo ai veprim, është jashtë një plani apo niveli të dhënë kuptueshmërie dhe besimi. Kuptueshmëria dhe besimi, janë formulime të lëndës së gjallë të jetës ose, me fjalë të tjera, të "Superlëndës". Superlënda, është shumë më tepër se kuptueshmëria dhe besimi, pavarësisht se njeriu mund të dallojë vetëm disa formulime të saj. Deri në një farë mase, kjo mund të sqarohet nëpërmjet këtij figuracioni skematik: Të imagjinojmë se kemi në dorë një kuti të bukur, të punuar prej lënde arre, në të cilën njerëzit fusin sendet e tyre të rralla. Fakti që lënda e arrës shndërrohet në një kuti të bukur, nuk do të thotë aspak se ajo i humb vetitë si e tillë, si një lëndë arre. Ajo është njëkohësisht lëndë arre, por edhe një kuti, që përdoret për një qëllim të caktuar. Në të njejtën mënyrë, edhe kuptueshmëria, besimi, vullneti, dëshira, qartësia, synimi, tejpamësia, etj., ndërtohen, edhe këto, prej një lënde të cilën e emërtuam Superlëndë. Fakti, që kjo Superlëndë shndërrohet në formulimet psikike të mësipërme, apo në formacione të tjera, nuk do të thotë aspak se ajo i humb vetitë e saj si Superlëndë, pra, si një lëndë me vetëkoshiencë, dituri, vetëveprim, etj., pra, që mund të shndërrohet edhe në nivele të tjera kuptueshmërie, të cilat njeriu s´mund t´i njohë, sepse ai kupton, mendon, vepron, etj., i ndodhur në një nivel të caktuar kuptueshmërie, siç thamë më lart.

Ndarja e njeriut nga vetvetja dhe aleancat e reja psikike
Me sa duket, njeriu i parë do të ketë qenë i unifikuar me këtë Superlëndë, pra, me vetë jetën. Kjo gjendje psikike e njeriut të parë, mund të kuptohet si një gjendje psikike aktive, që do të thotë: Një vetëpozicionim koshient në lidhje me kuptueshmërinë, besimin, dëshirën dhe vullnetin për të jetuar. Për atë, e jashtmja nuk përbënte asnjë problem, si në drejtim të kohës, ashtu edhe të hapësirës. Njeriu i parë, siç shpjegohet edhe në shkrimin "I dituri, i egri, relacioni", që nuk përfshihet në këtë libër, posedonte një vullnet dhe besim koshient jete (për të jetuar), jo vetëm instiktiv. Ai ishte njeriu që jeton, dhe jetën e kuptonte si përjetësi, dhe, për këtë, ishte plotësisht koshient. Më vonë, duhet të ketë ndodhur "një kapërcim" prej vetvetes. Ky fakt, po t´i referohemi logjikës dhe eksperiencës së përditshme, na detyron të mendojmë se ka ndodhur prej një motivi vetëshijues dhe një tërheqje vëmendjeje e një lloji të veçantë. Sipas logjikës, duhet të pranojmë se akti i vetëshijimit ka lindur mbi bazën e një situate të vetëdijshme opozitare dhe rivalizuese. Gjithashtu, vetëpozicionimi opozitar dhe rivalizues (që është një vetpozicionim vetëshijues), përmban në vetvete edhe egërsinë. Pra, përmban në vetvete pozicionimin e koshiencës të njeriut të ditur dhe të egër njëkohësisht. Prej kësaj zhvendosjeje, "kapërcimi" të njeriut nga vetvetja, krijohet një "hapsirë" midis vetes dhe vetvetes, që lind detyrimisht vetëndijimin. Vetja ndijon vetveten. Dihet se vetëpozicionimi i njeriut aktual, është vetëpozicionimi i njeriut që pëlqehet nga vetvetja. Pra, është vetëpozicionimi i të vetëpëlqyerit, që është vetëpozicionimi i të vetëditurit.

Që të ndodhte kjo, duhej, patjetër, që njeriu të ishte koshient, se gjendej një dikush që përfaqësonte diturinë dhe fuqinë, ndaj të cilit ai krijoi situatën opozitare dhe rivalizuese, si rrjedhim, edhe vetëshijuese. Ky vetëpozicionim i ri, nënkupton humbjen e gjendjes aktive psikike dhe zëvëndësimin e saj me psikikën vetëshijuese dhe opozitare - psikika aktuale e njeriut. Pikërisht në këtë situatë dhe marrëdhënie, është ndodhur Njeriu i Parë. Ndryshe nuk mund të ndodhë pozicioni i të vetëditurit, vetëpëlqyerit dhe opozitarit. Kështu lindi "koshienca e re", koshienca ndiesore, ku të jetuarit gllabërohet prej fuqisë së efektit, vetëndijimit, ndijimit, jehonës, imagjinatës dhe të idesë për të formuar koncepte. Lindi koshienca që formatizonte, dimensiononte dhe kufizonte besimin dhe vullnetin e jetës. Vetëpëlqimi (vetëshijimi), egërsia dhe imagjinata, do të jenë tre nga pesë personazhet e rinj, që do të jenë pjesëtarë në përbërjen psikike të individit, mbas aktit të daljes nga vetvetja. Kjo dalje, "kapërcim", bëri që njeriu të bjerë menjëherë nën autoritetin e fuqive ndërhyrëse, të padukshme, Fuqive Aktoriale. Këto fuqi janë autoritete të padukshme, të cilat te njeriu veprojnë nëpërmjet akteve shqisore, të ndjesisë, efektit, iluzionit, flakërimeve emocionale, të intimitetit, të konfliktit, të imagjinatës, të përfytyrimit, imazheve, shkallëzimit të ideve, etj. Gjendja e jetës së kuptueshme dhe aktive të njeriut (të jetuar në vijimësi, në mënyrë koshiente, që nuk shtangohet nga konceptet, nga kapjet ndjesore e përfytyruese, etj.), prej të cilës njeriu u shkëput, nuk duhet ngatërruar me gjendjen e jetës ndjesore, përfytyruese, imagjinative, instiktive - aktoriale dhe arketipale të tij. Këto përmbajtje psikike koshiente ose inkoshiente, ndjesore, vizionare, etj., nuk janë krijuar "rastësisht", si rezultat i një eksperience kaotike, mekanike e të vdekur, por janë rezultat i aktivitetit të fuqive të gjalla të padukshme, apo i Fuqive Aktoriale koshiente, që i bashkëngjitet eksperiencës së perceptimit të individit, nëpërmjet një rregulli, dhe shkallëzimi mbinatyror. Tek individi, ky aktivitet do të paraqitet si arshivim ndjesish, efektesh, kujtesash, eksperiencash, jehonash, simbolesh, arketipash, që flenë dhe zgjohen; sipas katrorit aktorial, simbolit, numrit, modelit, ku vetëvendoset individi pa vetëdije, si rezultat i teprimit të koshiencës vetëshijuese, pasive, që gjatë jetës së përditshme do të shfaqet si programim i aktivitetit të tij koshient.

Zotat e rinj, që ndërhynë tek individi pas "daljes" nga vetvetja, do të përbëjnë lëndën e re psikike, që do ta quaja "lënda psikike aktoriale" (që vetëtransformohet); vetëshijimi, egërsia, instinkti, imagjinata, përfytyrimi, ndjesia, arketipi, simboli, miti, iluzioni, ëndrra, ideologjia, arti, etj. Kjo lëndë e re psikike, me të cilën njeriu u identifikua, përbën edhe aleancën e re, që krijoi ai pas aktit të ndarjes me vetveten (me vetveten autentike). Aleanca e re psikike, nuk është një konvencion i rastit dhe as një konvencion i vdekur. Ajo zotëron potencialitet, fuqi e koshiencë dhe funksionon në mënyrë të gjallë, si në jetën koshiente, ashtu edhe në jetën inkoshiente të individit. Vetvetja, origjinale, fillestare, prej së cilës njeriu "doli e u nda", përgjithësisht konfondohet me këtë material psikik, të pavetëdijshëm. Vetja, të cilën njeriu "e braktisi", është unike, e barabartë me vetveten dhe nuk ka veti ndërhyrëse, nuk mund të vetëndijohet dhe të vetëshijohet, nuk mund të krijojë efekt dhe jehonë pasi, për këtë, nevojiten disuniteti dhe diskordanca, që janë natyra e Fuqive Aktoriale ndërhyrëse.

Pushteti është mungesa e pushtetit të vetvetishëm, që sjell për pasojë aktorialitetin dhe ndërhyrjen, instinktin posedues dhe vetëshijues. Mosplotësinë dhe etjen për pushtet.

Mund të themi se, te njeriu, gjendet vetja e vërtetë, origjinale, prej së cilës ai u nda, vetja e natyrshme dhe e ligjshme, dhe, nga ana tjetër, vetja ndjesore, vetëshijuese, imagjinuese, mitike, simbolike, etj, që janë autoritetet dhe fuqitë e padukshme. Vetja e vërtetë mbeti tek e panjohura dhe tek e pavetëdijshmja, që kur Eva aprovoi këshillën opozitare të gjarprit. Është kjo vete, që i sugjeron individit kuptueshmërinë dhe besimin e vetvetishëm, pavarësisht se tek cilët objekte i vendos njeriu dhe për çfarë qëllimesh i përdor ato. Sapo një individ, ose një grup individësh, do të vendosin lidhje psikiko-koshiente, ose edhe sipas eksperiencës dhe traditës, me një objekt, personazh, figurë, fenomen, ide, kusht social, imazh ëndrre, etj., atëhere këto lidhje do të funksionojnë si të gjalla dhe do të diktojnë jetën psikiko-sociale të individit e të grupeve të individëve. Këto lidhje mund të vendosen me ëndrrat, me fenomene të tjera si zëra, vizione, me të ashtuquajturat vende të shenjta, me perënditë, me orakujt, me ide sipas eksperiencës psikiko- intelektuale të një individi, të grupeve të individëve, ose sipas traditës së popujve. Në këto lidhje, ose marrëdhënie, janë të pranishme dhe marrin pjesë intensivisht Fuqitë e padukshme Aktoriale. Vetë këto marrëdhënie, përbëhen prej një lënde të veçantë, prej një psiko-energjie, e cila posedon fuqi dhe koshiencë. Si rregull, sa më masive të jenë ato, aq më fuqimisht dhe aq më me rregullaritet do të proçedojnë. Por, me kohë, ato edhe shuhen e riformohen, sipas ngjarjeve, traditave të reja, zhvillimit kulturor dhe koncepteve, që përçohen në jetën e popujve, të grupeve të individëve dhe të individit në veçanti. Në këtë rast, është me rëndësi të theksohet se, lidhja ose marrëdhënia, që është vendosja e besimit mbi objekte kënaqësimarrëse, objekte të pakuptueshëm, psikikë apo socialë, do të mbetet e përhershme. Do të ndryshojë vetëm natyra e objektit: p.sh. mund të jetë ose objekt mitik, parapsikologjik, paranormal, mistik, ose social, intelektual, fizik, etj.

Në të vërtetë, në këto raste ndodh një mbifuqizim i besimit dhe një çlirim i plotë i psikikës. Fenomenet e pavullnetshme si ndjesitë, dëshirat, parandjenjat, sugjerimi i ëndrrave, i përfytyrimeve, i zërave, etj., do të zgjohen sipas frymëzimit të këtij besimi, ndërsa koshienca do t´i kapë këto sinjale dhe do t´i strukturojë në nivelet e saj. Kështu, ngjarjet e realitetit që do të pasojnë, do të ndjekin këtë strukturim koshient dhe inkoshient. Si rregull, kjo do të vazhdojë vetëm një farë kohe.

Lindja e mekanizmit të Bankës së fshehtë
Përmbajtjet psikike janë rezultat i aktivitetit të Fuqive Aktoriale të padukshme. Ky aktorialitet, nga njëra anë, në inkoshiencë do të programohet si ndjesi, si parandjenja, si simbolikë e ëndrrave e përfytyrimeve, si skicë-ide, para-ndjesi, jehona, telepati, etj., dhe, nga ana tjetër, në jetën e përditshme, do të paraqitet si formulime, synime e ide koshiente, si edhe në ngjarje të rastit, të caktuara. Akti i zëvendësimit të vetes fillestare me veten shijuese, ose me objekte shijues, ndodh edhe brenda jetës së çdo individi, sipas natyrës së tipave, që C. G. Jung i ka trajtuar në një mënyrë të përkryer. Kur ky zëvendësim, apo identifikim teprohet, atëherë, kjo vete fillestare reagon, për t´u vetëmbrojtur. Reagimet, fillimisht, do të jenë paralajmëruese; nëpërmjet ëndrrave, gjendjeve të këqija psikologjike, ngjarjeve të rastit, jo të favorshme dhe jo të këndshme, ankthit, gjendjes dizshijuese, depresive, etj. Këto sinjale paralajmëruese, do të bëhen më të theksuara duke provokuar fenomene patologjike, në fillim më të lehta dhe më vonë më të rënda, nëse individi nuk do të bëhet i ndërgjegjshëm për teprimet e lidhjeve të gabuara, apo për teprimin e vetëshijimit dhe të egërsisë. Ky "kundërveprim" i vetes fillestare, origjinale, ndaj individit realizohet sipas parimit të Bankës simbolike, që do të thotë se, ai ndodh me një rregullaritet sistematik, gradualitet, kuptim, drejtësi, inteligjencë perfekt, që do të ishte më e saktë t'i quanim, hyjnorë. Koshienca e individit luhatet midis oshtimave të veprimit të dy veteve, personaliteteve; të personalitetit fillestar, apo vetes legjitime, që vepron në mënyrë të vetvetishme, pa shtytës, ndërhyrës, dhe nga ana tjetër, të personalitetit, vetes aktoriale, që vepron nëpërmjet një besimi të vendosur gabim, nën diktatin e forcave uzurpuese e vetëshijuese, që shfaqen si një vezullim dhe diktat i nëndheshëm. Të dy këto vete, veprojnë si në inkoshiencë ashtu edhe në koshiencë. Problemi është se, cila prej tyre do të marrë revanshin, tek njeriu. Individi, do ta rifitojë apo jo personalitetin e tij të çliruar?
Funksioni dhe qëllimi i Bankës së fshehtë Banka e fshehtë funksionon mbi bazën e kriterit të vetes themelore, fillestare, dhe zhdëmton individin për teprimet e lidhjeve me objektet shijuese, me konstruktet vetëshijuese brenda vetvetes, dhunti, fuqi intelektuale, aktoriale, fizike, etj., ose, që është e njëjta gjë, për teprimet e vetëshijimit e të egërsisë. E thënë me fjalë të tjera; për teprimet e lidhjeve me fuqitë e padukshme aktoriale, që është teprimi i zhvendosjes prej vetes fillestare, aktive. Prej njeriut që jeton i lirë. Qëllimi i Bankës së fshehtë është ndërgjegjësimi i vetëdijes, që ajo të rivendosë vetveten dhe besimin, gjithnjë e më tepër drejt vetes së ligjshme, Personalitetit të Çliruar. (Njeriut të lirë) Personaliteti i çliruar nga vetë natyra e tij, posedon koshiencën e vërtetë për jetën, vullnetin, besimin, sigurinë, fuqinë dhe aktivitetin e pavarur. Është vetë jeta. Gjatë aktivitetit të tij, individi mbart dhe manifeston, në forma të ndryshme, gjendje të tepruara vetëshijimi, vetëkënaqësie dhe egërsie, gjendje që përbëjnë një vetëkonsum, pra edhe një harxhim të "parasë simbolike". Banka e fshehtë, do të përllogarisë fatura pagesash në adresë të individit, mbi bazën e këtij konsumi dhe shpenzimi. Harxhimi i "parasë simbolike", do të lëkundë aktivitetin psikik dhe jetësor të individit, që do të manifestohet me çrregullime psikike, flashkësi të besimit dhe vullnetit për jetën, me sëmundje dhe ngjarje të "rastit", të pafavorshme etj.
Parimet e Bankës së fshehtë(simbolike) Një nga parimet e Bankës së fshehtë është: Një kuptim i gabuar, ose një vetëvendosje e gabuar e vetëdijes që, në jetën e përditshme, paraqitet si vetëshijim dhe egërsi e tepruar, për të cilën individi s´është koshient, ose është, por nuk është i aftë të rivendosë një vetëpozicionim të drejtë, do të pasohet, në jetën e përditshme, nga ndodhi psikike të çrregulluara, si edhe nga ngjarje të jashtme, të rastit, strukturimi dhe ndodhja e të cilave do të jetë e tillë, që të evidentojë pikërisht këtë vetëpozicionim të gabuar. Pra nga ngjarje të rastit te disfavorshme, si edhe nga gjendje psikologjike dhe emocionale irituese, gjendje ankthi, frikë jasht kontrollit të arsyes, fobi, etj, etj. Vetëvendosja e gabuar vetëdijes, te njeriu, është vetja që vetëpëlqehet në mënyrë të tepruar, jashtë vetëkontrollit. Në jetën e përditshme, kjo buron nga gjendja natyrale, iluzive, e përhershme, e koshiencës vetëshijuese dhe nuk ka të bëjë aspak me vetëdijen e individit, lidhur me dhuntitë personale, apo me pozitën sociale. Gjatë jetës së përditshme, ajo shpreh aleancën e gabuar të vetëdijes me këto dhunti, me pozitën shoqërore, ose me objekte të tjera, me të cilat individi identifikohet, për të përmbushur pikërisht kërkesën e gjendjes natyrale dhe iluzive të psikikës, të "koshiencës së re", të shkëputur nga vetvetja. Vetëpozicionimi i gabuar i koshiencës, është vezullimi i fshehtë vetpëlqyes. Është një gjendje natyrale dhe e përhershme vetëshijuese, që krijon mundësinë e teprimit. Po të ndjekim dhe të analizojmë diagramin e agresivitetit dhe të vetëpëlqimit të një njeriu normal, do të dallojmë se ngjarjet e përditshme, që pasojnë njëra-tjetrën, do të nxjerrin në pah, mos në njërin rast, në tjetrin, këtë vetpozicionim të gabuar të koshiencës së tij. Në këtë rast, në adresë të këtij individi, të tjerët do të shprehen kështu: "Për çfarë e mban vehten se është ai", etj. Këto përcaktime, aludojnë për një vetëpozicionim të gabuar të koshiencës njerëzore. Është shumë domethënës fakti, se edhe tek një person në krahinën më të humbur dhe në situatën sociale më të papërfillshme qoftë, do të gjenden momente që do të shpalosin vetëpozicionimin e gabuar të tij, ku ai do të deponojë: "Zgjuarsinë dhe zotësinë time, nuk e ka kush". Ky është i dituri prej nga rrjedh i egri. Ai, që është i kapur nga diktati inkoshient i mësuesit, i predikuesit, i urdhëruesit të të tjerëve. Kjo gjendje pasive e vetëshijuese e psikikës, është fryma natyrore e jetës, apo vetë Fuqitë e padukshme Aktoriale, pra një ekuacion qiellor, të cilit njeriu i bindet detyrimisht dhe nuk është në gjendje t´i shmanget, pasi ai e zgjodhi vetë, duke qenë koshient, kur u nda prej vetes origjinale. Njeriu, veçse mund t´a sofistikojë, ta manipulojë, ta transferojë në situata sociale në interes të tij, etj. Shmangia dhe tejkalimi i kësaj vetje, që mbahet peng dhe diktohet prej fuqive të padukshme aktoriale, mund të realizohet duke u mbështetur në një fuqi shumë më superiore se ato, fuqi që qëndron në pozicionin e "Zotit të Zotave". Banka e fshehtë aktivizon ëndrrat dhe fenomenet e tjera të pavullnetshme; si ndjesi, gjendje emocionale, ankth, parandjenja, përfytyrime dhe mendime jashtë kontrollit të natyrshëm, të tepruara, etj., për të sinjalizuar teprimet e individit, lidhur me vetëzëvëndësimin dhe depersonalizimin, lidhur me teprimin e vendosjes së gabuar të besimit, që do të thotë largim i tepruar nga gjendja aktive e psikikës. Këto teprime do të trajtohen prej saj, si gjendje pasive ekstreme, si situata vetëshijimi dhe egërsie ekstreme, të palejueshme. Portat e koshiencës trokasin pa pushim, që ta zgjojnë njeriun dhe ta ndërgjegjësojnë për veten fillestare, për personalitetin e lirë dhe të pavarur, në të kundërt, nëse individi nuk do të ndërgjegjësohet, atëherë ngjarjet psikike dhe ngjarjet e realitetit të jashtëm, që do të pasojnë, do t'i evidentojnë agresivitetin dhe gjendjet vetëshijuese si, të pazotërueshëm, patologjikë dhe të konvertuar në fenomene psikike të pakontrollueshëm, neuroza, sëmundje të ndryshme, ngjarje të rastit, të pariparueshme, etj. Fenomenet dhe ngjarjet spontane, të pavullnetëshme, të çfarëdo lloj natyre qofshin, përgatiten prej vetë individit dhe janë vazhdim i mënyrës se si procedon ai gjatë veprimeve të vullnetshme dhe të vetëdijëshme.
Një shembull praktik: Anisa, një punonjëse rreth 35- vjeçe, drejtoreshë e një institucioni, mbasi mbaronte orarin zyrtar dhe kthehej në shtëpi, reagonte, sillej ndaj të shoqit dhe fëmijës së saj me një arrogancë dhe agresivitet të pakontrollueshëm. Ajo tregonte se nuk kishte ndonjë shkak apo ndonjë arsye, megjithatë, nuk ishte në gjendje ta përmbante shpërthimin e saj. Gjithashtu, ajo thoshte se ishte krejtësisht koshiente për sjelljen e saj të gabuar, por e ndjente veten të paaftë që të përmbahej. Anisa, gjatë pjesës së parë të ditës, kur ndodhej në zyrë, u drejtohej vartësve të saj me një ton të vrazhdë, me prepotencë dhe aspak njerëzisht, ndërkohë që i kishte të gjitha mundësitë të bëhej koshiente për këtë sjellje dhe të ushtronte vetëkontroll. - Dhe, ndërkohë që kjo ishte e krejt e mundur, pra mund të realizohej, ajo nuk e bënte. Atëherë, ajo, në pjesën e dytë të ditës, do të jetë nën diktatin e një vetjeje të pavullnetëshme dhe të pazotërueshme, të cilën e ka ndërtuar vetë, duke qenë koshiente, gjatë pjesës së parë të ditës. Banka e Fshehtë funksionon në mënyrë të tillë, që agresiviteti dhe gjendja e vetëshijimit e përsëritur, çka nënkupton një teprim të largimit nga gjendja aktive e psikikës, do të konvertohet në fenomene patologjike, ndaj të cilave individi bëhet i ndjeshëm dhe reagon në mënyrë të rrufeshme në drejtim të ndërgjegjësimit dhe të vetëkontrollit. Një shembull tjetër praktik: Klaudia, një vajzë, studente në vitin e fundit të fakultetit të Letërsisë, ankohej se gjatë marrëdhënieve në mjedisin familjar, ndaj vëllait pak më të vogël, herë-herë i lindnin ndjesi seksuale të pavullnetshme, të cilat e skandalizonin. Ajo tregonte se, megjithëse mundohej me të gjitha forcat që t´i shtypte dhe t´i shmangte, ato reagonin më fuqishëm. Duke shqyrtuar me imtësi vetëpozicionimin e fshehtë të koshiencës së saj, nëpërmjet veprimeve kundrejt të vëllait, do të rezultojë se, ajo ishte përçmuese ndaj personalitetit të tij. Shpesh sillej me arrogancë ndaj tij dhe i pëlqente që ai ta vlerësonte së tepërmi për inteligjencën dhe talentin e saj. Duke zbuluar koshiencën e saj, mund të dalloje në mënyrë të dukshme, se ajo ndjehej superiore dhe në një pozicion vetëpëlqimi kundrejt tij. Kjo situatë superioriteti dhe agresiviteti (pra, krejtësisht pasive), përmban në vetvete dëshirën për t´u pëlqyer prej tij, ose për t´u kënaqur me anë të tij që, në një moment tjetër, do të shpaloset, në mënyrë të drejtë për drejtë dhe të hapur, si shpërthim ndjesish seksuale. Këto shpërthime të pavullnetshme ndjesish seksuale, që e detyronin Klaudian të reagonte në një mënyrë të rrufeshme dhe të ushtronte vetëkontrollin, ishin të parapërgatitura prej vetë asaj, në një mënyrë të fshehtë dhe të pakuptueshme, si rezultat i vetëvendosjes së gabuar ndaj të vëllait, i veprimeve arrogante dhe përçmuese, ndaj të cilave kjo vajzë nuk kishte ndonjë interes të ndërgjegjësohej dhe të ushtronte vetëkontrollin, ndërkohë që ajo e kishte mundësinë, vullnetin e vetëdijshëm, ta realizonte këtë. Gjendja e opozicionit të tepruar, apo e cinizmit së tepruar, si edhe e kundërta, gjendja shijuese-afektive e tepruar kundrejt një personi, jashtë konceptit e motivit të psikikës aktive, shpesh, në ëndërr, shfaqet si marrëdhënie seksuale, ndërsa, në jetën e përditshme, si shpërthim i pavullnetshëm ndjesish seksuale, ose si vetëndijim i lakuriqësisë trupore. Banka e fshehtë, veprimet e tepruara vetëshijuese dhe agresive të Klaudias ndaj të vëllait të saj, do t´i trajtojë si konsum dhe harxhim, dhe, sipas këtij konsumi, do të zhdëmtojë "në para simbolike", llogarinë individuale të saj. Si rezultat i veprimeve agresive dhe vetëshijuese të përsëritura, "paraja simbolike" e vajzës, do të ndjekë një kurbë rënëse dhe do të pakësohet. Për këtë arsye, aktiviteti psikik i saj nuk do të jetë në gjendje të përmbushë konditat e normalitetit. Të personalitetit të lirë. Tek ajo do të shfaqen fenomene psikike jashtë kontrollit të koshiencës dhe normave të psikologjisë normale, si p.sh., ndjesitë e pavullnetshme seksuale ndaj të vëllait. Nëse kjo vajzë nuk do të ndërgjegjësohej për një rivendosje të drejtë të koshiencës, si ndaj vëllait ashtu edhe ndaj vetvetes, atëherë ajo do të ishte e detyruar të ushtronte ndaj këtyre ndjesive, shtypjen dhe rishtypjen e përsëritur. Kjo mënyrë e çalë dhe e pakuptimtë e të vepruarit, do të pasohej prej një kundërveprimi më të egër të inkoshientit dhe do të përfundonte me simptomat e neurozës. Unë përdora përkufizimin "mënyrë e çalë dhe e pakuptimtë e të vepruarit," sepse, veprimi i kundërshtimit dhe i shtypjes të ndjesive seksuale nga ajo, do t´i ngjante veprimit të një personi, i cili qëndron në diell dhe ankohet ndaj vapës. Banka e fshehtë, si një mekanizëm ekzekutues i koshiencës themelore brenda pavetëdijes, do të aprovonte dhe do të pranonte një zhvendosje të lehtë të individit, që është ndërgjegjësimi dhe vetëpozicionimi i drejtë i tij. Ky vetëpozicionim i drejtë (sa më afër vetes aktive), do të sqarojë të gjithë pavetëdijen e individit, do të eleminojë konfliktet dhe shtypjet. Do të paraqitet si një çlirim psikik. Në rastin e metaforës së mësipërme, personi që qëndron në diell nuk do të rropatet duke kundërshtuar vapën, por do të zhvendoset dhe do të qëndrojë në një vend të mbrojtur nga dielli.
Një parim tjetër i Bankës së Fshehtë, është: Një rrëzim i vogël i individit në jetën e përditshme, do të pasohet prej një rrëzimi më të madh, ose një ngjarje kundërshtare do të pasohet edhe nga të tjera, që do të thotë se, një harxhim i vogël i "parasë simbolike", do të pasohet nga një harxhim më i madh i saj. Ky shkallëzim i dinamikës së inkoshientit, do të funksionojë për aq kohë sa individi nuk bëhet i vetëdijshëm për vetëvendosjen e gabuar, në mënyrë të tepruar. Nëse manifestimi i agresivitetit dhe i vetëshijimit tek individi, nuk është aq i mjaftueshëm sa Banka e fshehtë të mund t'a zhdëmtojë atë me një rrëzim, komplikim të ndjeshëm, atëherë ngjarjet e rastit që do të pasojnë do të jenë të tilla, që individi të bjerë në kurthe më të mëdha, që do të favorizonin rritjen e agresivitetit e të vetëshijimit, aq sa ky të jetë i mjaftueshëm për një zhdëmtim të dukshëm, që do të ishte një komplikim, çrregullim emocional, psikik, më i dukshëm, më i rëndë. Ndryshe kjo mund të thuhet: Një ngjarje që do të provokonte te një individ një gjendje vetëshijimi dhe agresiviteti, do të pasohet nga ngjarje të tjera më të rënda, që do të provokojnë, tek ai, agresivitet më të madh. Kjo do të vazhdojë edhe me shfaqjen e fenomeneve psikopatologjikë, ëndrra të frikshme, imazhe dhe kujtesa të ngulitura, halucinacione, derisa individi të bëhet reagues ndaj vetëpozicionimit të koshiencës së tij. Parimi i tretë i Bankës simbolike: Dinamika e psikikës, e cila nënkupton jo vetëm ngjarjet psikike por edhe ngjarjet e realitetit të jashtëm, është e ndërtuar në një mënyrë të tillë që: -Banka e fshehtë nuk mund të zhdëmtojë dhe të rrëzojë rëndë një individ, nëse atij nuk i krijohet mundësia, më shumë se një herë, për të kuptuar vetëpozicionimin e tij të gabuar së tepërmi, pra me tepri, që është dhe parimi i tretë i Bankës simbolike. Kjo mundësi i krijohet individit, si nëpërmjet strukturimit dhe procedimit të ngjarjeve të realitetit të jashtëm, (ngjarje që ndodhin në kundërshtim me synimet e ditës), ashtu edhe nëpërmjet sinjalizimeve të ëndrrave (ëndërra të ngatërruara të frikshme, me shije të keqe, ëndrra seksuale, etj) të gjendjeve emocionale të këqia, të parandjenjave, të uljes së besimit dhe ikjes së kuptimit të jetës, të ankthit të tepruar, sëmundjeve, keqkuptimeve,etj.
Banka e fshehtë kryen veprime dhe në drejtim të kundërt. Ajo përllogarit fatura në "para simbolike", që arkëtohen në llogarinë e individit, pra, që konsiderohen si shtim i "parasë simbolike" të tij. Kjo ndodh kur pozicionimi psikik i individit në rrjedhën e ngjarjeve të realitetit është vetëzhdëmtues, që do të thotë ulje e agresivitetit dhe e vetëshijimit, ndërkohë që momenti dhe ngjarjet paraqiten të tilla, që i nxisin ato për të qenë në nivele të larta. Shtimi i "parasë simbolike" shfaqet si fuqizim i aktivitetit psikik; fuqizim i besimit, i ekuilibrit, i qartësisë dhe i energjisë për kapërcimin e rrethanave të vështira, fuqizim i natyrës humane, ulje e zilisë dhe e imoralitetit dhe, mbi të gjitha, si fuqizim i kuptimeve në lidhje me misterin dhe praninë hyjnore. Vetëpozicionimi i drejtë i koshiencës, është afrimi ndaj vetes aktive të çliruar, është vendosja e drejtë e besimit. Besim jete në vijimësi, pa ngurtësime. Është koshienca e jetës si përjetësi. Ky pozicion, shpesh konfondohet me aleancat psikike të gabuara, të cilat krijojnë përshtypjen e fuqisë, iluzionin e mbështetjes dhe sigurisë, vetëdijen e mbinjeriut, etj., që, në të vërtetë, s´është veçse identifikimi me Fuqitë e padukshme Aktoriale që, me kalimin e kohës, rezulton vetëuzurpues dhe vetëshkatërues. Ekzistenca e padyshimtë e Bankës Simbolike, lejon të kuptosh se universi i ngjarjeve dhe çdo univers tjetër i perceptueshëm, ka karakter simbolik. Tregon: Pamundësinë, Skllavërinë, Egoizmin, Frikën dhe Mosbesimin e Njeriut aktual, siç paraqitet dhe nga vetë Inkoshienti. Këtë karakter, botës, ia dha vetë njeriu qysh në zanafillë, nëpërmjet aktit të shkëputjes nga vetvetja, njeriut që jeton duke e trajtuar atë, botën, si një objekt kënaqësimarrjeje, si një matës të potencës dhe aftësive të tij. Një pasqyrë, ku ai të mund të kundrohej, duke u zhvendosur kështu nga pozicioni i njeriut aktiv e jetues, në pozicionin e njeriut mendues e të ditur, pozicion i cili shndërrohet, detyrimisht, në pozicionin e të vetëpëlqyerit, pozicion krejtësisht pasiv, i cili e çan rrugën nëpërmjet instiktit të vetëpëlqimit, të vetëdukjes, të superioritetit, që, kur gjatë marshimit për kënaqësi e triumf, e tepron, kthehet kundër vetvetes dhe vetëzhdëmtohet. Në momentet ekstreme të kënaqësi-marrjes, të etjes për posedim dhe të egërsisë, ai kafshon vetveten.
Hija

Karl Gustav Jung në shkrimin e tij të famshëm "Hija dhe Anima - Animus", thotë: "Kur përshtatshmëria e një individi është e dobët, ai do të gllabërohet prej efekteve të emocioneve, të cilat nxjerrin në pah edhe arsyen e kësaj përshtatshmërie të dobët, që është një nivel i ulët i personalitetit dhe një farë shkalle inferioriteti. Në këtë nivel të ulët të personalitetit, me emocione të pakontrolluara, ose të keqkontrolluara, individi sillet pak a shumë si primitiv dhe nuk është vetëm një viktime pasive e këtyre efekteve emocionale, por edhe i paaftë për gjykim moral...".

Në këto raste, njeriu gllabërohet prej Hijes, që, sipas Jung-ut, është ajo pjesë e personalitetit të pavetëdijshëm, si një vete-tjetër, që ndërhyn tek individi koshient, e përbërë nga karakteristikat më të errëta, nga inferioritetet më destruktive, me natyrë emocionale, duke qenë e pajisur kështu, për pasojë, me veti obsesive ose poseduese kundrejt individit. Në zhargonin tonë të përditshëm, hija, veç të tjerave, është pikërisht ajo që cilësohet, kur thuhet: "ai është bërë hije", ose: "ai është bërë me hije", ose  më tej akoma: "ai ka shkelur  hije",  "atij i del një hije", etj. Sipas Jung-ut, hija, në masën më të madhe, është përbërëse e pavetëdijes individuale, apo e fituar gjatë jetës së personit dhe, në një masë më të vogël, është përbërëse e pavetëdijes kolektive, apo arketip, që do të thotë një model i përbashkët për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga koha dhe vendi, që ushtron influencë te mendimet dhe sjelljet e njeriut, në një mënyrë të pavetdijëshme, që shfaqet në ëndrra, në vizione, në haluçinacione, në fantazitë krijuese, etj., i pandryshueshëm, i trashëguar, i pranishëm që prej fillimit të vetë jetës, ashtu si edhe Anima-Animus. Jung-u thotë: "Arketipet, modelet fillestare të përbashkëta për gjithë njerëzit, po t´i gjykosh nga pikpamja empirike, janë pikërisht ato që ndikojnë më së shumti mbi personalitetin. Më i pranishmi dhe më i lehti ndër to, për t´u provuar, është hija, sepse natyra e saj, në masën më të madhe, mund të mbartet nga përbërësit e pavetëdijes individuale". Për të kuptuar më qartë se çfarë ka parasysh K.G.Jung, me termin Hija, po japim shembullin e mëposhtëm:

Një person qëndron përpara hyrjes së ndërtesës së një institucioni. Pastaj, hezitues, fillon të ngjisë shkallët, duke parë në sy çdo njeri që hyn e del nga institucioni. Ndihet i pasigurtë dhe ka përshtypjen se po bën një veprim jo të natyrshëm dhe, se secili që kalon do t´i drejtohet duke i thënë se ç´kërkon ai aty, ndërkohë që kalimtarët, të zënë me punët e tyre, ndoshta, as që e venë re. Ai, pothuajse secilit që, duke hyrë ose duke dalë, kalon pranë tij, i buzëqesh në një mënyrë intime dhe domethënëse, sikur e njeh, ose, sikur tjetri do ta pyeste se si i kishte nga shtëpia. Ngjit shkallët me hapa të avashtë, që të bëjë sa më pak zhurmë dhe, u hap rrugën të tjerëve, duke u mënjanuar anash, në një mënyrë të panevojshme, duke qëndruar palëvizur, deri sa tjetri të kalojë. Në një moment, ndalon pranë dikujt, i cili zbret shkallët me hap të shpejtë, duke mbajtur një cigare në dorë, nxjerr një shkrepse dhe e fton për të ndezur cigaren, pastaj dëshiron ta pyesë se si i ka punët. Gjatë shkallares, fik një dritë që kish qëlluar e ndezur dhe i thotë dikujt pranë tij: "Gjynah që harxhohet kot!". Harron të pyesë se ku është X zyrë, për të cilën edhe ka ardhur. Sapo vendos të pyesë dikë, topitet dhe ndërron mëndje. Nuk është më ai i përditshmi, siç paraqitet zakonisht në ambientet e tij, ose me njerëzit e afërt, i gjallë, i zgjuar, urdhërues. Eshtë i transfiguruar në një Hije, ose, siç thuhet edhe ndryshe, është bërë me Hije. Në korridorin e katit të parë, i bën përshtypje tavani shumë i lartë dhe këtë dëshiron t´ua bëjë të ditur dy të tjerëve që, po rrinë pak më tutje, duke pritur.

Duket, se ka harruar ku ndodhet dhe për ç´qëllim ka ardhur. Eshtë krejt i habitur dhe intelekti pothuajse nuk i funksionon. Në mendjen e tij gjithçka; njerëzit, shkallët, dyert etj., projektohen si një realitet tjetër, që e çudit, dhe, vetë Institucioni, jo si një vend, ku ai ka ardhur thjesht për të mbaruar një punë dhe për të ikur, por si diçka tjetër që e çorienton. I afrohet një gruaje me kovë në dorë, duke e gjetur më të përshtatshme si shërbyese që ishte, për ta pyetur. Ajo e adreson te një burrë, i cili po rrinte me pamje të rëndë, poshtë, në fillim të shkallëve. Bën sikur i afrohet atij, pastaj kthehet shpejt në drejtim të daljes, duke demonstruar se ka harruar, diku, diçka që duhet ta marrë. Largohet, dhe atë ditë nuk kthehet më.

Ky person, siç shihet, e ka të vështirë të përshtatet me ambientet e Institucionit, të vendosë marrëdhënie konkrete, pa ngarkesa emocionale me ato, sipas qëllimit dhe arësyes reale, për të cilat ndodhet aty. Ai e ka të pamundur të mos bjerë viktimë e një hijeje të stërmadhe, që del prej pavetëdijes së tij, që e zëvëndëson atë dhe i paraqet objektet e jashtme sipas përshtypjeve të tij inkoshiente, të deformuara, tiranike, të formuara tek ai gjatë kohës, sipas informacioneve, sensacioneve, interesave dhe imazheve të tij në lidhje me Institucionin.

Jung-u sqaron, se hija përbën një problem moral, të tillë që sfidon gjithë personalitetin, sepse askush nuk mund të bëhet i vetëdijshëm për të, pa përpjekje morale të konsiderueshme. Të bëhesh i vetëdijshëm për hijen, do të thotë të njohësh aspektet e errëta të vetvetes si reale, prezente dhe si një potencial destruktiv i përhershëm. Pikërisht ky akt është edhe kondita themelore për çdo lloj vetënjohje dhe, si i tillë, do të ndeshet, si rregull, me një rezistencë të konsiderushme, shkaqet e të cilës do të sqarohen më poshtë.

"Me të vërtetë, vetënjohja, si një masë terapeutike, shpesh kërkon një punë shumë të kujdesshme, dhe, që shtrihet në një periudhë kohe të gjatë" - thekson Jung-u. Siç u tha më lart, njeriu mund të bëhet i vetëdijshëm për hijen, pra edhe mund ta konstatojë atë, kur ajo nuk shfaqet si arketip, por si një përbërës i pavetëdijes individuale, i krijuar brenda jetës së personit. Në rastin kur hija shfaqet, tek individi, si arketip, si pjesëtare e pavetëdijes kolektive, do të ishte shumë larg prej së vetëdijshmes, pra, nuk do të mund të ndërgjegjësohej. Në rrethana normale, individi nuk do të mund ta distanconte atë nga vetvetja, që të mund ta dallonte dhe ta kuptonte. Madje, ky rast do të ishte një përvojë e rrallë dhe me shumë pasoja për individin. Por, ajo mund të ndërgjegjësohet dhe të kuptohet, kur shfaqet si përmbajtje e pavetëdijes individuale, që do të thotë se, njeriu, në një kohë të mëparshme, gjatë jetës së tij, ka dalluar te vetja një gjendje të caktuar psikologjike dhe emocionale, duke konstatuar edhe shkaqet e saj, por, më vonë, ai mësohet me këtë gjendje, s'ia vë më veshin dhe, ajo, tani do t´i ndodhë atij vetvetiu, në një mënyrë të pavetëdishme dhe spontane.

P.sh., në rrethana të caktuara të jetës, njeriu është i vetëdishëm për emocionin, tërheqjen apo frikën që i ngjall dikush, një vend i caktuar, një objekt apo fenomen natyror, etj., dhe është i qartë edhe për shkakun e kësaj gjendjeje emocionale, por, më vonë, duke qenë e harruar prej tij, ajo gjendje do t´i ndodhë, mjafton që të përsëriten rrethanat, në një mënyrë të pa zotërueshme, si një frikë, ngjyrim, kujtesë emocionale, etj., e pavetëdishme. Pikërisht, kjo lloj gjendjeje psikologjike, e cila ka të bëjë me hijen e fituar gjatë jetës, sipas Jung-ut, mund të ndërgjegjësohet nëpërmjet vullnetit, kthjellimit dhe një pune këmbëngulëse, të asimilohet në një farë mase nga personaliteti koshient. Por, sqaron Jung-u, ndonëse nëpërmjet kthjellimit dhe vullnetit koshient, njeriu mund të shpëtojë prej hijes,  përvoja tregon se janë disa tipare të hijes, të cilat ofrojnë një rezistencë këmbëngulëse ndaj kontrollit moral të individit dhe që janë të pandikueshme prej këtij kontrolli, sado insistues të jetë ky. Këto rezistenca, zakonisht lidhen me "projeksionet", që nuk njihen si të tilla nga individi, por që merren si të vërteta dhe reale. Njohja e tyre përbën një arritje të jashtëzakonshme. Disa veti të hijes, mund të njihen si të tilla pa ndonjë vështirësi të madhe, por, në këtë rast, kthjellimi, kuptimi i qartë i problemit dhe vullneti, bëhen të pavlefshëm, sepse, shkaku i emocionit, i iluzionit, i fanitjes, etj., gjendet, jashtë çdo dyshimi, te një objekt tjetër, person tjetër, situatë e jashtme, etj. Është e vërtetë se, një vëzhgues neutral, një person i tretë, i kupton me lehtësi projeksionet fanitëse dhe iluzionet në lidhje me një objekt, me një person, me një rrethanë, etj., të një njeriu, por, ka shumë pak gjasa që, vetë ky njeri, t´i kuptojë ato si të tilla. Përkundrazi, ky do të ngulë këmbë me kryeneçësi, se i kupton drejt gjërat, se është i vetëdishëm, se të tjerët nuk e kuptojnë, etj.

Është e domosdoshme që, ky njeri, përpara se të tentojë të tërheqë projeksionet e tij me tone emocionale nga objekti i tyre, pra, përpara se të bëhet i aftë të vendosë marrëdhënie reale me objektin, duhet të  bindet se, vetë ai  lëshon një hije shumë të gjatë. Jung-u sqaron se nuk është vetëdija ai subjekt që e bën projeksionin, por është pavetëdija. Kështu, njeriu ndeshet me projeksionin, por nuk e prodhon atë, prandaj dhe e ka të vështirë për ta konstatuar. Meqë është kështu, nëse një individ çfarëdo nuk është i prirur vazhdimisht për të njohur projeksionet e tij, atëhere faktori projeksion-bërës, pavetëdija, ka dorë të lirë për të realizuar objektin e vet, nëse ka një të tillë, ose, nëse nuk ka, do të gjejë patjetër, një ditë, ndonjë situatë tjetër, ku të shfaqë fuqinë e vet karakteristike, projeksion-bërës.

Përgjithësisht, këta individë janë të pakënaqur nga jeta dhe nga rrethanat e tyre. Ata, duke pritur rrethana të tjera dhe një realitet tjetër, i lenë shteg të lirë, pavetëdijes, të lëshojë hijen, një personalitet pasiv, iluziv dhe destruktiv, i cili i shkëput ato nga bota, duke i gjetur asaj gjithmonë kleçka për t´iu kundërvënë, se gjoja çdo gjë nuk do t´ia vlente dhe do të ishte pa dobi, etj. Jung-u tregon, se një pacient 45 vjeçar, i cili vuante nga një neurozë kompulsive që në moshën 20 vjeç dhe që ishte shkëputur tërësisht nga bota reale, i thotë një ditë: "Kurrë nuk do ta pranoja se kam humbur 25 vitet më të mira të jetë sime!".

"Pasojat e projeksioneve, -sqaron Jung-u, -janë izolimi i subjektit nga mejdisi i tij, meqë, në vend të marrëdhënieve reale me këtë mejdis, tani do të ketë vetëm marrëdhënie iluzore. Projeksionet do ta ndryshojnë dhe do ta paraqesin botën sipas anës së panjohur të vetë individit. Prandaj, në analizë të fundit, ato çojnë në një gjendje veterotike, ose autistike, gjendje mendore ku realiteti nuk përfillet, në të cilën individi ëndërron një botë ku realiteti mbetet gjithnjë i paarritshëm.

Rezultati i ndjenjës së pamjaftueshmërisë, së mosplotësisë dhe, akoma më keq, i ndjesisë së shterpësisë, do të shpegohej prej tij me projeksionin - dashakeqësi e mjedisit ndaj tij, dhe, kështu, izolimi do të intensifikohej. Sa më tepër projeksione të presojnë midis individit dhe mjedisit, aq më e vështirë bëhet, për të, të shohë përmes iluzioneve. Shpesh, është tragjike të shikosh sesi e shkatërron një njeri jetën e tij dhe jetën e atyre që e rrethojnë, duke mbetur krejt i paaftë për të kuptuar sesi gjithë tragjedia buron nga ai vetë dhe sesi, ai, vazhdon ta ushqejë këtë tragjedi dhe ta mbajë, përditë, të gjallë. Natyrisht, jo me vetëdije, sepse me vetëdije ai është i angazhuar në ankime dhe sharje ndaj kësaj bote të pabesë, që mbetet larg e më larg, në distancë. Por, në të vërtetë, është një faktor i pavetëdijshëm te ai, që thurr iluzonet, të cilat veshin botën e tij. Dhe, ajo që thuret, s´është gjë tjetër veçse një mëshikëz që, më në fund, do t'a mbulojë të tërin".

Natyra e hijes është e tillë që, sa më shumë individi tregohet neglizhent për ta kuptuar dhe për ta shmangur, sa më i fjetur të jetë ai ndaj kontrollit të fiksimeve, paragjykimeve, gjendjeve emocionale ekstreme dhe frenuese, ose eksituese, aq më shumë, ajo, si një frymë e gjallë, koshiente dhe destruktive, synon t'a shtrijë vetveten, duke gjetur objekte të reja për t´i paraqitur të deformuara dhe të ndryshuara, si p.sh., të frikshme, armiqësore, ose tërheqëse dhe të dobishme jashtë logjikës, në një mënyrë obsesive, me qëllim që ta izolojë individin nga jeta reale, ose nga të kuptuarit në mënyrë të arsyeshme të realitetit, derisa, një ditë, shndërrohet në psikozë dhe haluçinacion, për ta mbajtur individin krejtësisht nën pushtetin dhe diktatin e vet.

Është pikërisht hija që, në kushte të veçanta, realizon me njeriun komunikime speciale nëpërmjet imazheve, mendimeve, zërave, etj. Në këtë rast, njeriu, me anë të këtij personaliteti iluzor, të dhunshëm dhe kryeneç, në mënyrë të pavetëdijshme, justifikon dhe përligj mosrealizimin e personalitetit të vërtetë dhe real, të cilin nuk ka mundur ta krijojë nëpërmjet marrëdhënieve të arsyeshme dhe të moralshme me vetveten dhe me të jashtmen. Progresi i mëtejshëm i hijes, si rezultat i kryeneçësisë, i këmbënguljes së paarsyeshme, i mungesës së vetëkontrollit dhe refleksionit nga ana e individit, hap pas hapi, sjell zënien e vetëdijes dhe katandisjen e tij në lodër, në dorë të fiksimeve, mendimeve obsesive, dyshimeve torturuese, si dhe fanitjeve irracionale, veprimit të ëndrrave, shenjave domethënëse, simboleve, etj., të cilat, siç do të shihet në shembullin e mëposhtëm, fitojnë energji dhe fuqi imponuese, në rastin e një personi të rënë, pa energjinë e logjikës reale dhe pa energjinë e besimit konstruktiv.

Një person rreth 38 vjeç, që vuante nga fiksimet, tregon se, dyshonte prej kohësh që e shoqja e tradhtonte. Megjithëse nuk kishte as edhe një fakt real, ku të mbështeste dyshimin e tij, ai ishte i sigurtë për tradhëtinë e saj, dhe kjo e cfiliste dhe e bënte të vuante aq shumë sa thoshte se, nuk gjente zgjidhje tjetër, përveçse të vriste atë dhe veten, për të shpëtuar nga dhimbjet dhe tmerri i dyshimeve, duke mos menduar as për djalin 5 vjeçar, që do të mbetej pa prindër.Ai sqaron se, shpesh, ndonëse e dinte që gruan e kishte lënë në shtëpi, sapo dilte në rrugë për të shkuar në punë, i fiksohej se do ta haste diku, duke ikur fshehurazi, për të takuar të dashurin e saj. Një ditë, në një gjendje të tensionuar dhe të rraskapitur psikologjike, një zë, si një fishkëllimë ere, i kishte pëshpëritur në vesh, duke i thënë se e shoqja ishte nisur në plazhin e Durrësit, me të dashurin e saj.

Pa e zgjatur, niset në plazh dhe e kërkon atje, duke bredhur gjithë ditën, deri mbasdite, pa konstatuar asgjë. Pavarësisht nga ky fakt, kthehet në shtëpi i mbarsur me fiksime e dyshime të reja. Besonte se do ta gjente të mbyllur aty me X- in, një shefin e saj. Përpiqet të hapë derën, por ajo nuk hapej. Në çast, kishte menduar se e shoqja e kishte mbyllur derën nga brenda dhe e kishte lënë çelësin në derë, gjë që nuk kishte ndodhur herë të tjera. Dyshimet që e kishin torturuar aq kohë, sipas thënies së tij, tani, u vërtetuan plotësisht. Vendosi të realizojë vrasjen, sapo të hynte brenda. E shoqja, i hap derën, duke e sqaruar se dera kishte qenë e hapur dhe se ai, më kot, e kishte shtyrë, duke trokitur fort. Në të vërtetë, dera kishte qenë e hapur, por ai nuk e pranonte këtë.

Pasi hyri në shtëpi, kontrolloi me imtësi dhe pastaj u fut në guzhinë, gjithmonë me mendimin e aktit të vrasjes. Aty, ulur në divan, shikon djalin 5 vjeçar me një majmun të verdhë në dorë. I fanitet ideja se e shoqja ia kishte dhënë majmunin e verdhë djalit për t´i lënë atij të kuptojë se ato që mendonte ai, në lidhje me tradhëtinë e saj, s´ishin të vërteta, por vetëm ndjenja xhelozie. Ky mendim, tregon ai, sikur e çliroi pak. Pastaj, kishte vënë re se e shoqja kishte veshur një fustan të verdhë dhe përsëri i fanitet ideja se ajo qe veshur me fustanin e verdhë për t´i treguar atij se ato që mendonte ai nuk ishin të vërteta, por krijoheshin vetëm nga xhelozia. Sipas tij, ky fakt i dytë, e kishte çliruar plotësisht dhe ai kishte hequr dorë, të paktën për momentin, nga mendimi i vrasjes.

Duhet sqaruar se, majmunin e verdhë me të cilin luante i biri, si edhe fustanin e verdhë të veshur nga e shoqja, ai i kishte parë shumë e shumë herë, por, pikërisht atë mbrëmje, ato i faniteshin me një kuptim të caktuar simbolik. (Ai kishte dëgjuar se ngjyra e verdhë tregonte xhelozi). Ky person, në gjendjen e tij kryeneçe, mosbesuese dhe të paarsyeshme, i jep hijes mundësi të fitojë pushtet në të gjitha veprimet e tij koshiente, të thurë tek ai një merimangë psikike destruktive, e cila, në rastin e tij, por edhe në përgjithësi, karakterizohet prej këtyre tipareve; nga pulsimi i agresivitetit dhe i pëlqimit ekstrem të vetes, nga flashkja e besimit dhe dyshimi jonormal, nga stimuli dhe impulsi që i jep orientimit të individit drejt incidenteve dhe ngjarjeve të rastit, favorizuese të dyshimeve, nga prirja që ajo i jep aktivitetit psikik, drejt obsioneve simbolike, misterioze, ezoterike, etj,. që, jo rrallë, konfondohen me konceptin e Zotit, nga stimulumi i gjendjejve psikike iluzore, të tensionura, në pritje të ndodhjes së diçkaje të keqe, për të cilën dyshohet, të një të keqeje në përgjithësi, ose, të një të mire të papritur, nga inspirimi i hamendjeve të gabuara, sipas të cilave individi është më i zoti se të tjerët, por nuk ka patur kushte, ose nuk do vetë t´i shpalosë aftësitë e tij, ngaqë nuk ia vlen.

Hija, ka vetinë që, incidente apo ngjarje aksidentale, të cilat i përkasin një rrethane të caktuar, duke u përjetuar në një mënyrë të ankthshme, të paarsyeshme, nga individi, t´í shtrijë dhe t´i fanisë si reale edhe për një rrethanë krejtësisht tjetër, për ta mbajtur individin vazhdimisht në tension, dyshues dhe pasiv. Gjithashtu, ajo ka vetinë që, në rastin e një informacion të keq, të cilin një individ e merr në lidhje me njerëz të tjerë, e paraqet të tillë, sikur, nga momenti në moment, do t´i ndodhë edhe atij, ose njerëzve të tij të afërt. Hija, një eksperiencë psikike destruktive të dikurshme, e rikujton dhe e fanit në koshiencë, më vonë, si reale dhe të pranishme, për ta mbajtur individin vazhdimisht në një gjendje mosbesuese, të frikshme dhe të mpirë, që ky individ të mendojë, gabimisht, se rrethanat e tij prezente janë vërtetë të dyshimta, që fshehin një orë të keqe, etj. 

P.sh., personi i mësipërm, pohonte, se i kujtoheshin shumë informacione në lidhje me tradhëtitë bashkëshortore, të cilat i bënin shumë përshtypje dhe që i përpunonte duke i menduar me imtësi dhe me një ndjenjë tmerri. Pikërisht, këto përshtypje emocionale të përjetuara nga ai pa kriter, me një ndjenjë mbytëse dhe të pakontrolluara nga vetëdija, do të shndërroheshin në fakte psikike inkoshiente, në dispozicion të hijes, kundër tij.

Hija e merr materialin e saj nga vetë personi, kur ai nuk është i vetëdijshëm dhe i vëmendshëm në lidhje me motivin, logjikën, masën, intensitetin e ndijimeve, ndjenjave, përjetimeve, dyshimeve, kundërvënieve, afeksioneve, etj., gjatë veprimeve të jetës së përditshme.

Të gjitha faktet psikike, me karakter emocional, kur nuk ndodhin sipas motivit, masës, llogjikës së veprimit që ndodh, apo të aktit konkret të vetëdijshëm, por nga rrëmbimi, spontaneiteti, sugjestioni, etj., nuk do mund të shlyhen, kur veprimi real përfundon, por do të mbeten tek individi, duke u shndërruar në përbërës të pavetëdijshëm të hijes, e cila do t´í rifreskojë dhe do t´i ngjallë, sipas dëshirës së saj, jashtë kontrollit të individit, duke i diktuar këtij vullnetin e saj dominues, regresiv dhe iluziv. Aq më tepër, kjo do të jetë shkatërruese, kur njeriu ka një vetëdije mosbesuese, duke e lënë veten t´i dalë jashtë kontrollit dhe të marrë për të vërteta gjithçka që i fanit hija.

Një person 30 vjeçar, tregonte se e ndiqte nga pas një "diçka", që ai e emërtonte, "të raftë pika". Ajo "diçka" ishte e tillë, që herë i dukej se qëndronte brenda tij dhe herë jashtë tij, duke e ndjekur nga mbrapa. Ai thoshte se, "të raftë pika", ishte një qenie e gjallë, e padukshme, që i shkaktonte shumë andralla gjatë ditës. P.sh., ajo bënte që atij të mos i realizohej asgjë nga ato që mendonte, si edhe i sillte shumë tersllëqe dhe incidente gjatë ditës.

Në fakt, të gjitha ato që tregonte ai, ashtu ndodhnin vërtet. Nga këndvështrimi i tij, atë e ndiqte nga pas një hije, të cilën ai e quante, "të raftë pika". Shprehja, "të raftë pika", për atë, në këtë rast, nuk kishte më kuptimin gjuhësor, të njohur prej të gjithëve. Absolutisht jo. Madje, ai pyeste se çfarë  ishte "të raftë pika". E kishte fjalën, se cila ishte ajo "diçka" që e kishte emrin "të raftë pika". Ose, cila ishte ajo "diçka", që atij i fanitej dhe i krijonte iluzionin e një emri, i cili ishte "të raftë pika". Ai tregoi se, shumë vite më parë, e dëgjonte këtë shprehje, shpesh, në rrethin e tij familjar, me një theksim dhe ton shumë të rëndë, të egër, të tmerrshëm, ndërkohë që ai e kuptonte shumë mirë se kjo mënyrë të theksuari dhe toni, lidheshin me kuptimin e saj të keq. Veç kësaj, ai thoshte se e kishte dëgjuar shprehjen "të raftë pika" edhe mes fjalëve të këngëve, të kënduara me instrumente muzikorë, në vendin e tij të lindjes.

Tashmë, në trurin e tij kishte mbetur një impresion (efekt, përshtypje) i tmerrshëm, keqandjellës, që fanitej me një forme të caktuar frymore, e cila i  qëndronte pranë dhe që e kishte emrin "të raftë pika", e shkëputur krejtësisht prej kontekstit gjuhësor të të folurit të përditshëm, si dhe prej kontekstit të rrethanave konkrete të një marrëdhënieje të caktuar. Tani, "të raft pika", tek ai nuk e merrte kuptimin në mënyrë të natyrshme, sipas analizës së logjikës gjuhësore dhe momentit të dhënë, por sipas një sensacioni të frikshëm, sipas një tingëllimi dhe ngjyrimi  rrëqethës, sipas një fryme të kobshme dhe kanosëse, të ngulitur, të përhershme, pavarësisht nga rrethanat konkrete. Pra, si një qenie e keqe, që e ndiqte nga pas.

Ky person, duke qenë nga natyra shumë mosbesues, si dhe duke mos e njohur problemin, i ka lënë hijes dorë të lirë, të endë, nga arshiva emocionale e dikurshme, e përjetuar pa kriter, si fëmijë që ishte, në vetëdijen e tij, merimangën e saj, teknologjinë e saj destruktive, fanitëse dhe diktuese, të cilën ai e merr për të vërtetë, duke besuar, kështu, gjthçka destruktive dhe shkatërruese, në lidhje me vetveten, duke frenuar dhe neutralizuar gjithë aktivitetin psikik, real dhe konstruktiv.