Thursday, September 18, 2008

Hija

Karl Gustav Jung në shkrimin e tij të famshëm "Hija dhe Anima - Animus", thotë: "Kur përshtatshmëria e një individi është e dobët, ai do të gllabërohet prej efekteve të emocioneve, të cilat nxjerrin në pah edhe arsyen e kësaj përshtatshmërie të dobët, që është një nivel i ulët i personalitetit dhe një farë shkalle inferioriteti. Në këtë nivel të ulët të personalitetit, me emocione të pakontrolluara, ose të keqkontrolluara, individi sillet pak a shumë si primitiv dhe nuk është vetëm një viktime pasive e këtyre efekteve emocionale, por edhe i paaftë për gjykim moral...".

Në këto raste, njeriu gllabërohet prej Hijes, që, sipas Jung-ut, është ajo pjesë e personalitetit të pavetëdijshëm, si një vete-tjetër, që ndërhyn tek individi koshient, e përbërë nga karakteristikat më të errëta, nga inferioritetet më destruktive, me natyrë emocionale, duke qenë e pajisur kështu, për pasojë, me veti obsesive ose poseduese kundrejt individit. Në zhargonin tonë të përditshëm, hija, veç të tjerave, është pikërisht ajo që cilësohet, kur thuhet: "ai është bërë hije", ose: "ai është bërë me hije", ose  më tej akoma: "ai ka shkelur  hije",  "atij i del një hije", etj. Sipas Jung-ut, hija, në masën më të madhe, është përbërëse e pavetëdijes individuale, apo e fituar gjatë jetës së personit dhe, në një masë më të vogël, është përbërëse e pavetëdijes kolektive, apo arketip, që do të thotë një model i përbashkët për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga koha dhe vendi, që ushtron influencë te mendimet dhe sjelljet e njeriut, në një mënyrë të pavetdijëshme, që shfaqet në ëndrra, në vizione, në haluçinacione, në fantazitë krijuese, etj., i pandryshueshëm, i trashëguar, i pranishëm që prej fillimit të vetë jetës, ashtu si edhe Anima-Animus. Jung-u thotë: "Arketipet, modelet fillestare të përbashkëta për gjithë njerëzit, po t´i gjykosh nga pikpamja empirike, janë pikërisht ato që ndikojnë më së shumti mbi personalitetin. Më i pranishmi dhe më i lehti ndër to, për t´u provuar, është hija, sepse natyra e saj, në masën më të madhe, mund të mbartet nga përbërësit e pavetëdijes individuale". Për të kuptuar më qartë se çfarë ka parasysh K.G.Jung, me termin Hija, po japim shembullin e mëposhtëm:

Një person qëndron përpara hyrjes së ndërtesës së një institucioni. Pastaj, hezitues, fillon të ngjisë shkallët, duke parë në sy çdo njeri që hyn e del nga institucioni. Ndihet i pasigurtë dhe ka përshtypjen se po bën një veprim jo të natyrshëm dhe, se secili që kalon do t´i drejtohet duke i thënë se ç´kërkon ai aty, ndërkohë që kalimtarët, të zënë me punët e tyre, ndoshta, as që e venë re. Ai, pothuajse secilit që, duke hyrë ose duke dalë, kalon pranë tij, i buzëqesh në një mënyrë intime dhe domethënëse, sikur e njeh, ose, sikur tjetri do ta pyeste se si i kishte nga shtëpia. Ngjit shkallët me hapa të avashtë, që të bëjë sa më pak zhurmë dhe, u hap rrugën të tjerëve, duke u mënjanuar anash, në një mënyrë të panevojshme, duke qëndruar palëvizur, deri sa tjetri të kalojë. Në një moment, ndalon pranë dikujt, i cili zbret shkallët me hap të shpejtë, duke mbajtur një cigare në dorë, nxjerr një shkrepse dhe e fton për të ndezur cigaren, pastaj dëshiron ta pyesë se si i ka punët. Gjatë shkallares, fik një dritë që kish qëlluar e ndezur dhe i thotë dikujt pranë tij: "Gjynah që harxhohet kot!". Harron të pyesë se ku është X zyrë, për të cilën edhe ka ardhur. Sapo vendos të pyesë dikë, topitet dhe ndërron mëndje. Nuk është më ai i përditshmi, siç paraqitet zakonisht në ambientet e tij, ose me njerëzit e afërt, i gjallë, i zgjuar, urdhërues. Eshtë i transfiguruar në një Hije, ose, siç thuhet edhe ndryshe, është bërë me Hije. Në korridorin e katit të parë, i bën përshtypje tavani shumë i lartë dhe këtë dëshiron t´ua bëjë të ditur dy të tjerëve që, po rrinë pak më tutje, duke pritur.

Duket, se ka harruar ku ndodhet dhe për ç´qëllim ka ardhur. Eshtë krejt i habitur dhe intelekti pothuajse nuk i funksionon. Në mendjen e tij gjithçka; njerëzit, shkallët, dyert etj., projektohen si një realitet tjetër, që e çudit, dhe, vetë Institucioni, jo si një vend, ku ai ka ardhur thjesht për të mbaruar një punë dhe për të ikur, por si diçka tjetër që e çorienton. I afrohet një gruaje me kovë në dorë, duke e gjetur më të përshtatshme si shërbyese që ishte, për ta pyetur. Ajo e adreson te një burrë, i cili po rrinte me pamje të rëndë, poshtë, në fillim të shkallëve. Bën sikur i afrohet atij, pastaj kthehet shpejt në drejtim të daljes, duke demonstruar se ka harruar, diku, diçka që duhet ta marrë. Largohet, dhe atë ditë nuk kthehet më.

Ky person, siç shihet, e ka të vështirë të përshtatet me ambientet e Institucionit, të vendosë marrëdhënie konkrete, pa ngarkesa emocionale me ato, sipas qëllimit dhe arësyes reale, për të cilat ndodhet aty. Ai e ka të pamundur të mos bjerë viktimë e një hijeje të stërmadhe, që del prej pavetëdijes së tij, që e zëvëndëson atë dhe i paraqet objektet e jashtme sipas përshtypjeve të tij inkoshiente, të deformuara, tiranike, të formuara tek ai gjatë kohës, sipas informacioneve, sensacioneve, interesave dhe imazheve të tij në lidhje me Institucionin.

Jung-u sqaron, se hija përbën një problem moral, të tillë që sfidon gjithë personalitetin, sepse askush nuk mund të bëhet i vetëdijshëm për të, pa përpjekje morale të konsiderueshme. Të bëhesh i vetëdijshëm për hijen, do të thotë të njohësh aspektet e errëta të vetvetes si reale, prezente dhe si një potencial destruktiv i përhershëm. Pikërisht ky akt është edhe kondita themelore për çdo lloj vetënjohje dhe, si i tillë, do të ndeshet, si rregull, me një rezistencë të konsiderushme, shkaqet e të cilës do të sqarohen më poshtë.

"Me të vërtetë, vetënjohja, si një masë terapeutike, shpesh kërkon një punë shumë të kujdesshme, dhe, që shtrihet në një periudhë kohe të gjatë" - thekson Jung-u. Siç u tha më lart, njeriu mund të bëhet i vetëdijshëm për hijen, pra edhe mund ta konstatojë atë, kur ajo nuk shfaqet si arketip, por si një përbërës i pavetëdijes individuale, i krijuar brenda jetës së personit. Në rastin kur hija shfaqet, tek individi, si arketip, si pjesëtare e pavetëdijes kolektive, do të ishte shumë larg prej së vetëdijshmes, pra, nuk do të mund të ndërgjegjësohej. Në rrethana normale, individi nuk do të mund ta distanconte atë nga vetvetja, që të mund ta dallonte dhe ta kuptonte. Madje, ky rast do të ishte një përvojë e rrallë dhe me shumë pasoja për individin. Por, ajo mund të ndërgjegjësohet dhe të kuptohet, kur shfaqet si përmbajtje e pavetëdijes individuale, që do të thotë se, njeriu, në një kohë të mëparshme, gjatë jetës së tij, ka dalluar te vetja një gjendje të caktuar psikologjike dhe emocionale, duke konstatuar edhe shkaqet e saj, por, më vonë, ai mësohet me këtë gjendje, s'ia vë më veshin dhe, ajo, tani do t´i ndodhë atij vetvetiu, në një mënyrë të pavetëdishme dhe spontane.

P.sh., në rrethana të caktuara të jetës, njeriu është i vetëdishëm për emocionin, tërheqjen apo frikën që i ngjall dikush, një vend i caktuar, një objekt apo fenomen natyror, etj., dhe është i qartë edhe për shkakun e kësaj gjendjeje emocionale, por, më vonë, duke qenë e harruar prej tij, ajo gjendje do t´i ndodhë, mjafton që të përsëriten rrethanat, në një mënyrë të pa zotërueshme, si një frikë, ngjyrim, kujtesë emocionale, etj., e pavetëdishme. Pikërisht, kjo lloj gjendjeje psikologjike, e cila ka të bëjë me hijen e fituar gjatë jetës, sipas Jung-ut, mund të ndërgjegjësohet nëpërmjet vullnetit, kthjellimit dhe një pune këmbëngulëse, të asimilohet në një farë mase nga personaliteti koshient. Por, sqaron Jung-u, ndonëse nëpërmjet kthjellimit dhe vullnetit koshient, njeriu mund të shpëtojë prej hijes,  përvoja tregon se janë disa tipare të hijes, të cilat ofrojnë një rezistencë këmbëngulëse ndaj kontrollit moral të individit dhe që janë të pandikueshme prej këtij kontrolli, sado insistues të jetë ky. Këto rezistenca, zakonisht lidhen me "projeksionet", që nuk njihen si të tilla nga individi, por që merren si të vërteta dhe reale. Njohja e tyre përbën një arritje të jashtëzakonshme. Disa veti të hijes, mund të njihen si të tilla pa ndonjë vështirësi të madhe, por, në këtë rast, kthjellimi, kuptimi i qartë i problemit dhe vullneti, bëhen të pavlefshëm, sepse, shkaku i emocionit, i iluzionit, i fanitjes, etj., gjendet, jashtë çdo dyshimi, te një objekt tjetër, person tjetër, situatë e jashtme, etj. Është e vërtetë se, një vëzhgues neutral, një person i tretë, i kupton me lehtësi projeksionet fanitëse dhe iluzionet në lidhje me një objekt, me një person, me një rrethanë, etj., të një njeriu, por, ka shumë pak gjasa që, vetë ky njeri, t´i kuptojë ato si të tilla. Përkundrazi, ky do të ngulë këmbë me kryeneçësi, se i kupton drejt gjërat, se është i vetëdishëm, se të tjerët nuk e kuptojnë, etj.

Është e domosdoshme që, ky njeri, përpara se të tentojë të tërheqë projeksionet e tij me tone emocionale nga objekti i tyre, pra, përpara se të bëhet i aftë të vendosë marrëdhënie reale me objektin, duhet të  bindet se, vetë ai  lëshon një hije shumë të gjatë. Jung-u sqaron se nuk është vetëdija ai subjekt që e bën projeksionin, por është pavetëdija. Kështu, njeriu ndeshet me projeksionin, por nuk e prodhon atë, prandaj dhe e ka të vështirë për ta konstatuar. Meqë është kështu, nëse një individ çfarëdo nuk është i prirur vazhdimisht për të njohur projeksionet e tij, atëhere faktori projeksion-bërës, pavetëdija, ka dorë të lirë për të realizuar objektin e vet, nëse ka një të tillë, ose, nëse nuk ka, do të gjejë patjetër, një ditë, ndonjë situatë tjetër, ku të shfaqë fuqinë e vet karakteristike, projeksion-bërës.

Përgjithësisht, këta individë janë të pakënaqur nga jeta dhe nga rrethanat e tyre. Ata, duke pritur rrethana të tjera dhe një realitet tjetër, i lenë shteg të lirë, pavetëdijes, të lëshojë hijen, një personalitet pasiv, iluziv dhe destruktiv, i cili i shkëput ato nga bota, duke i gjetur asaj gjithmonë kleçka për t´iu kundërvënë, se gjoja çdo gjë nuk do t´ia vlente dhe do të ishte pa dobi, etj. Jung-u tregon, se një pacient 45 vjeçar, i cili vuante nga një neurozë kompulsive që në moshën 20 vjeç dhe që ishte shkëputur tërësisht nga bota reale, i thotë një ditë: "Kurrë nuk do ta pranoja se kam humbur 25 vitet më të mira të jetë sime!".

"Pasojat e projeksioneve, -sqaron Jung-u, -janë izolimi i subjektit nga mejdisi i tij, meqë, në vend të marrëdhënieve reale me këtë mejdis, tani do të ketë vetëm marrëdhënie iluzore. Projeksionet do ta ndryshojnë dhe do ta paraqesin botën sipas anës së panjohur të vetë individit. Prandaj, në analizë të fundit, ato çojnë në një gjendje veterotike, ose autistike, gjendje mendore ku realiteti nuk përfillet, në të cilën individi ëndërron një botë ku realiteti mbetet gjithnjë i paarritshëm.

Rezultati i ndjenjës së pamjaftueshmërisë, së mosplotësisë dhe, akoma më keq, i ndjesisë së shterpësisë, do të shpegohej prej tij me projeksionin - dashakeqësi e mjedisit ndaj tij, dhe, kështu, izolimi do të intensifikohej. Sa më tepër projeksione të presojnë midis individit dhe mjedisit, aq më e vështirë bëhet, për të, të shohë përmes iluzioneve. Shpesh, është tragjike të shikosh sesi e shkatërron një njeri jetën e tij dhe jetën e atyre që e rrethojnë, duke mbetur krejt i paaftë për të kuptuar sesi gjithë tragjedia buron nga ai vetë dhe sesi, ai, vazhdon ta ushqejë këtë tragjedi dhe ta mbajë, përditë, të gjallë. Natyrisht, jo me vetëdije, sepse me vetëdije ai është i angazhuar në ankime dhe sharje ndaj kësaj bote të pabesë, që mbetet larg e më larg, në distancë. Por, në të vërtetë, është një faktor i pavetëdijshëm te ai, që thurr iluzonet, të cilat veshin botën e tij. Dhe, ajo që thuret, s´është gjë tjetër veçse një mëshikëz që, më në fund, do t'a mbulojë të tërin".

Natyra e hijes është e tillë që, sa më shumë individi tregohet neglizhent për ta kuptuar dhe për ta shmangur, sa më i fjetur të jetë ai ndaj kontrollit të fiksimeve, paragjykimeve, gjendjeve emocionale ekstreme dhe frenuese, ose eksituese, aq më shumë, ajo, si një frymë e gjallë, koshiente dhe destruktive, synon t'a shtrijë vetveten, duke gjetur objekte të reja për t´i paraqitur të deformuara dhe të ndryshuara, si p.sh., të frikshme, armiqësore, ose tërheqëse dhe të dobishme jashtë logjikës, në një mënyrë obsesive, me qëllim që ta izolojë individin nga jeta reale, ose nga të kuptuarit në mënyrë të arsyeshme të realitetit, derisa, një ditë, shndërrohet në psikozë dhe haluçinacion, për ta mbajtur individin krejtësisht nën pushtetin dhe diktatin e vet.

Është pikërisht hija që, në kushte të veçanta, realizon me njeriun komunikime speciale nëpërmjet imazheve, mendimeve, zërave, etj. Në këtë rast, njeriu, me anë të këtij personaliteti iluzor, të dhunshëm dhe kryeneç, në mënyrë të pavetëdijshme, justifikon dhe përligj mosrealizimin e personalitetit të vërtetë dhe real, të cilin nuk ka mundur ta krijojë nëpërmjet marrëdhënieve të arsyeshme dhe të moralshme me vetveten dhe me të jashtmen. Progresi i mëtejshëm i hijes, si rezultat i kryeneçësisë, i këmbënguljes së paarsyeshme, i mungesës së vetëkontrollit dhe refleksionit nga ana e individit, hap pas hapi, sjell zënien e vetëdijes dhe katandisjen e tij në lodër, në dorë të fiksimeve, mendimeve obsesive, dyshimeve torturuese, si dhe fanitjeve irracionale, veprimit të ëndrrave, shenjave domethënëse, simboleve, etj., të cilat, siç do të shihet në shembullin e mëposhtëm, fitojnë energji dhe fuqi imponuese, në rastin e një personi të rënë, pa energjinë e logjikës reale dhe pa energjinë e besimit konstruktiv.

Një person rreth 38 vjeç, që vuante nga fiksimet, tregon se, dyshonte prej kohësh që e shoqja e tradhtonte. Megjithëse nuk kishte as edhe një fakt real, ku të mbështeste dyshimin e tij, ai ishte i sigurtë për tradhëtinë e saj, dhe kjo e cfiliste dhe e bënte të vuante aq shumë sa thoshte se, nuk gjente zgjidhje tjetër, përveçse të vriste atë dhe veten, për të shpëtuar nga dhimbjet dhe tmerri i dyshimeve, duke mos menduar as për djalin 5 vjeçar, që do të mbetej pa prindër.Ai sqaron se, shpesh, ndonëse e dinte që gruan e kishte lënë në shtëpi, sapo dilte në rrugë për të shkuar në punë, i fiksohej se do ta haste diku, duke ikur fshehurazi, për të takuar të dashurin e saj. Një ditë, në një gjendje të tensionuar dhe të rraskapitur psikologjike, një zë, si një fishkëllimë ere, i kishte pëshpëritur në vesh, duke i thënë se e shoqja ishte nisur në plazhin e Durrësit, me të dashurin e saj.

Pa e zgjatur, niset në plazh dhe e kërkon atje, duke bredhur gjithë ditën, deri mbasdite, pa konstatuar asgjë. Pavarësisht nga ky fakt, kthehet në shtëpi i mbarsur me fiksime e dyshime të reja. Besonte se do ta gjente të mbyllur aty me X- in, një shefin e saj. Përpiqet të hapë derën, por ajo nuk hapej. Në çast, kishte menduar se e shoqja e kishte mbyllur derën nga brenda dhe e kishte lënë çelësin në derë, gjë që nuk kishte ndodhur herë të tjera. Dyshimet që e kishin torturuar aq kohë, sipas thënies së tij, tani, u vërtetuan plotësisht. Vendosi të realizojë vrasjen, sapo të hynte brenda. E shoqja, i hap derën, duke e sqaruar se dera kishte qenë e hapur dhe se ai, më kot, e kishte shtyrë, duke trokitur fort. Në të vërtetë, dera kishte qenë e hapur, por ai nuk e pranonte këtë.

Pasi hyri në shtëpi, kontrolloi me imtësi dhe pastaj u fut në guzhinë, gjithmonë me mendimin e aktit të vrasjes. Aty, ulur në divan, shikon djalin 5 vjeçar me një majmun të verdhë në dorë. I fanitet ideja se e shoqja ia kishte dhënë majmunin e verdhë djalit për t´i lënë atij të kuptojë se ato që mendonte ai, në lidhje me tradhëtinë e saj, s´ishin të vërteta, por vetëm ndjenja xhelozie. Ky mendim, tregon ai, sikur e çliroi pak. Pastaj, kishte vënë re se e shoqja kishte veshur një fustan të verdhë dhe përsëri i fanitet ideja se ajo qe veshur me fustanin e verdhë për t´i treguar atij se ato që mendonte ai nuk ishin të vërteta, por krijoheshin vetëm nga xhelozia. Sipas tij, ky fakt i dytë, e kishte çliruar plotësisht dhe ai kishte hequr dorë, të paktën për momentin, nga mendimi i vrasjes.

Duhet sqaruar se, majmunin e verdhë me të cilin luante i biri, si edhe fustanin e verdhë të veshur nga e shoqja, ai i kishte parë shumë e shumë herë, por, pikërisht atë mbrëmje, ato i faniteshin me një kuptim të caktuar simbolik. (Ai kishte dëgjuar se ngjyra e verdhë tregonte xhelozi). Ky person, në gjendjen e tij kryeneçe, mosbesuese dhe të paarsyeshme, i jep hijes mundësi të fitojë pushtet në të gjitha veprimet e tij koshiente, të thurë tek ai një merimangë psikike destruktive, e cila, në rastin e tij, por edhe në përgjithësi, karakterizohet prej këtyre tipareve; nga pulsimi i agresivitetit dhe i pëlqimit ekstrem të vetes, nga flashkja e besimit dhe dyshimi jonormal, nga stimuli dhe impulsi që i jep orientimit të individit drejt incidenteve dhe ngjarjeve të rastit, favorizuese të dyshimeve, nga prirja që ajo i jep aktivitetit psikik, drejt obsioneve simbolike, misterioze, ezoterike, etj,. që, jo rrallë, konfondohen me konceptin e Zotit, nga stimulumi i gjendjejve psikike iluzore, të tensionura, në pritje të ndodhjes së diçkaje të keqe, për të cilën dyshohet, të një të keqeje në përgjithësi, ose, të një të mire të papritur, nga inspirimi i hamendjeve të gabuara, sipas të cilave individi është më i zoti se të tjerët, por nuk ka patur kushte, ose nuk do vetë t´i shpalosë aftësitë e tij, ngaqë nuk ia vlen.

Hija, ka vetinë që, incidente apo ngjarje aksidentale, të cilat i përkasin një rrethane të caktuar, duke u përjetuar në një mënyrë të ankthshme, të paarsyeshme, nga individi, t´í shtrijë dhe t´i fanisë si reale edhe për një rrethanë krejtësisht tjetër, për ta mbajtur individin vazhdimisht në tension, dyshues dhe pasiv. Gjithashtu, ajo ka vetinë që, në rastin e një informacion të keq, të cilin një individ e merr në lidhje me njerëz të tjerë, e paraqet të tillë, sikur, nga momenti në moment, do t´i ndodhë edhe atij, ose njerëzve të tij të afërt. Hija, një eksperiencë psikike destruktive të dikurshme, e rikujton dhe e fanit në koshiencë, më vonë, si reale dhe të pranishme, për ta mbajtur individin vazhdimisht në një gjendje mosbesuese, të frikshme dhe të mpirë, që ky individ të mendojë, gabimisht, se rrethanat e tij prezente janë vërtetë të dyshimta, që fshehin një orë të keqe, etj. 

P.sh., personi i mësipërm, pohonte, se i kujtoheshin shumë informacione në lidhje me tradhëtitë bashkëshortore, të cilat i bënin shumë përshtypje dhe që i përpunonte duke i menduar me imtësi dhe me një ndjenjë tmerri. Pikërisht, këto përshtypje emocionale të përjetuara nga ai pa kriter, me një ndjenjë mbytëse dhe të pakontrolluara nga vetëdija, do të shndërroheshin në fakte psikike inkoshiente, në dispozicion të hijes, kundër tij.

Hija e merr materialin e saj nga vetë personi, kur ai nuk është i vetëdijshëm dhe i vëmendshëm në lidhje me motivin, logjikën, masën, intensitetin e ndijimeve, ndjenjave, përjetimeve, dyshimeve, kundërvënieve, afeksioneve, etj., gjatë veprimeve të jetës së përditshme.

Të gjitha faktet psikike, me karakter emocional, kur nuk ndodhin sipas motivit, masës, llogjikës së veprimit që ndodh, apo të aktit konkret të vetëdijshëm, por nga rrëmbimi, spontaneiteti, sugjestioni, etj., nuk do mund të shlyhen, kur veprimi real përfundon, por do të mbeten tek individi, duke u shndërruar në përbërës të pavetëdijshëm të hijes, e cila do t´í rifreskojë dhe do t´i ngjallë, sipas dëshirës së saj, jashtë kontrollit të individit, duke i diktuar këtij vullnetin e saj dominues, regresiv dhe iluziv. Aq më tepër, kjo do të jetë shkatërruese, kur njeriu ka një vetëdije mosbesuese, duke e lënë veten t´i dalë jashtë kontrollit dhe të marrë për të vërteta gjithçka që i fanit hija.

Një person 30 vjeçar, tregonte se e ndiqte nga pas një "diçka", që ai e emërtonte, "të raftë pika". Ajo "diçka" ishte e tillë, që herë i dukej se qëndronte brenda tij dhe herë jashtë tij, duke e ndjekur nga mbrapa. Ai thoshte se, "të raftë pika", ishte një qenie e gjallë, e padukshme, që i shkaktonte shumë andralla gjatë ditës. P.sh., ajo bënte që atij të mos i realizohej asgjë nga ato që mendonte, si edhe i sillte shumë tersllëqe dhe incidente gjatë ditës.

Në fakt, të gjitha ato që tregonte ai, ashtu ndodhnin vërtet. Nga këndvështrimi i tij, atë e ndiqte nga pas një hije, të cilën ai e quante, "të raftë pika". Shprehja, "të raftë pika", për atë, në këtë rast, nuk kishte më kuptimin gjuhësor, të njohur prej të gjithëve. Absolutisht jo. Madje, ai pyeste se çfarë  ishte "të raftë pika". E kishte fjalën, se cila ishte ajo "diçka" që e kishte emrin "të raftë pika". Ose, cila ishte ajo "diçka", që atij i fanitej dhe i krijonte iluzionin e një emri, i cili ishte "të raftë pika". Ai tregoi se, shumë vite më parë, e dëgjonte këtë shprehje, shpesh, në rrethin e tij familjar, me një theksim dhe ton shumë të rëndë, të egër, të tmerrshëm, ndërkohë që ai e kuptonte shumë mirë se kjo mënyrë të theksuari dhe toni, lidheshin me kuptimin e saj të keq. Veç kësaj, ai thoshte se e kishte dëgjuar shprehjen "të raftë pika" edhe mes fjalëve të këngëve, të kënduara me instrumente muzikorë, në vendin e tij të lindjes.

Tashmë, në trurin e tij kishte mbetur një impresion (efekt, përshtypje) i tmerrshëm, keqandjellës, që fanitej me një forme të caktuar frymore, e cila i  qëndronte pranë dhe që e kishte emrin "të raftë pika", e shkëputur krejtësisht prej kontekstit gjuhësor të të folurit të përditshëm, si dhe prej kontekstit të rrethanave konkrete të një marrëdhënieje të caktuar. Tani, "të raft pika", tek ai nuk e merrte kuptimin në mënyrë të natyrshme, sipas analizës së logjikës gjuhësore dhe momentit të dhënë, por sipas një sensacioni të frikshëm, sipas një tingëllimi dhe ngjyrimi  rrëqethës, sipas një fryme të kobshme dhe kanosëse, të ngulitur, të përhershme, pavarësisht nga rrethanat konkrete. Pra, si një qenie e keqe, që e ndiqte nga pas.

Ky person, duke qenë nga natyra shumë mosbesues, si dhe duke mos e njohur problemin, i ka lënë hijes dorë të lirë, të endë, nga arshiva emocionale e dikurshme, e përjetuar pa kriter, si fëmijë që ishte, në vetëdijen e tij, merimangën e saj, teknologjinë e saj destruktive, fanitëse dhe diktuese, të cilën ai e merr për të vërtetë, duke besuar, kështu, gjthçka destruktive dhe shkatërruese, në lidhje me vetveten, duke frenuar dhe neutralizuar gjithë aktivitetin psikik, real dhe konstruktiv.

No comments: